Blog

  • Hungaria përballet me thatësirën më të rëndë në 126 vjet, tregojnë të dhënat

    Hungaria përballet me thatësirën më të rëndë në 126 vjet, tregojnë të dhënat

    Hungaria po përjeton në vitin 2026 thatësirën më të rëndë në 126 vjet, ndërsa vendi i Evropës Qendrore po përballet me mungesë serioze të ujit pas një periudhe të gjatë me reshje të pakta dhe temperatura të larta.

    Sipas të dhënave të shërbimit kombëtar meteorologjik HungaroMet, Hungaria regjistroi gjithashtu verën më të thatë që nga viti 1901 dhe të dytën më të nxehtë në të njëjtën periudhë, transmeton Telegrafi.

    Pas një dimri me reshje nën mesataren e zakonshme, vendi u godit nga një valë e të nxehtit në qershor, e ndjekur nga periudha të tjera me temperatura të larta gjatë korrikut dhe gushtit. Kushtet e pazakonta të thata shkaktuan edhe rënie rekord të nivelit të ujit në lumin Danub.

    Sipas analizës së HungaroMet për verën e vitit 2026, reshjet mesatare në të gjithë vendin arritën vetëm në 74.1 milimetra, ose 36 për qind të mesatares për periudhën 1991–2020.

    Temperatura mesatare sezonale ishte 23.43 gradë Celsius, rreth 2.59 gradë më e lartë se norma afatgjatë prej 20.84 gradësh.

    HungaroMet vlerëson se thatësira është pasojë e modeleve të zgjatura atmosferike dhe çrregullimeve në ciklin e ujit. Edhe pse janari solli mot të ftohtë dhe të lagësht, muajt pasues u karakterizuan nga mungesa e reshjeve dhe temperaturat mbi normalen.

    Në prill, reshjet arritën vetëm në 10 për qind të sasisë së zakonshme. Maji solli disa periudha më të lagështa, por toka nuk arriti të rikuperonte lagështinë e nevojshme deri në fund të pranverës. Më pas, muajt e verës e përkeqësuan situatën.

    Deri në fund të qershorit, pothuajse i gjithë territori i Hungarisë kishte një deficit të lagështisë së tokës prej më shumë se 100 milimetrash në shtresën e sipërme, deri në një metër thellësi. Mungesa e reshjeve, e kombinuar me temperaturat shumë të larta, rriti humbjen e ujit përmes avullimit dhe uli ndjeshëm lagështinë në tokë.

    Të dhënat tregojnë se nga 1 prilli deri më 2 shtator, të paktën 30 për qind e territorit hungarez përjetoi kushte thatësire të moderuara ose më të rënda për gati 84 për qind të kësaj periudhe. Në fund të gushtit, thatësira bujqësore kishte arritur nivele të rënda në gjysmën e vendit.

    Sipas një raporti të Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), nivelet e ujërave nëntokësore po vazhdojnë të bien, ndërsa Evropa Qendrore dhe Lindore renditen ndër rajonet më të prekura nga mungesa e tyre.

    Lagështia e tokës ishte shumë më e ulët se normalja edhe gjatë vitit 2025, ndërsa situata u përkeqësua më tej këtë vit. Një vlerësim i mëparshëm në Hungari tregonte se niveli mesatar i ujërave nëntokësore ishte 1.4 deri në 1.7 metra nën nivelin e konsideruar optimal.

    Ekspertët paralajmërojnë se edhe nëse vjeshta sjell më shumë reshje, ato nuk do të mjaftojnë për ta zgjidhur krizën e ujit.

    Sipas tyre, Hungaria duhet të ndryshojë mënyrën se si e menaxhon ujin, duke e mbajtur atë në territor në vend që ta lejojë të largohet shpejt përmes lumenjve ose rrjedhjeve sipërfaqësore. Kjo do të kërkonte ndryshime në praktikat bujqësore, reforma të rëndësishme strukturore dhe investime afatgjata. /Telegrafi/

  • “Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë”, email kërcënues në disa institucione shtetërore në Shqipëri

    “Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë”, email kërcënues në disa institucione shtetërore në Shqipëri

    “Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë”, email kërcënues në disa institucione shtetërore në Shqipëri

    Një email kërcënues ka mbërritur ditën e sotme në disa institucione shtetërore në Shqipëri, përfshirë edhe Shkollën e Magjistraturës, raporton A2 CNN.

    Në mesazhin e dërguar nga një adresë jashtë sistemeve zyrtare qeveritare, autori pretendon se është udhëheqësi i një milicie serbe dhe kërcënon me vendosjen e një mjeti shpërthyes në ndërtesën e një institucioni. Në email ka edhe kërcënime ndaj shqiptarëve që të njohin Kosovën si territor rë Serbisë.

    “Përshëndetje. Jam udhëheqësi i Milicisë Serbe. Kemi ardhur të hakmerremi ndaj jush. Sapo kam vendosur personalisht një mjet shpërthyes në ndërtesën tuaj. Shpërthimi do të ndodhë pas një ore. Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë. FAT TË MBARË”, thuhet në email, ndërsa institucioneve u kërkohet të mos klikojnë lidhje interneti apo bashkëngjitje nëse dërguesi nuk është i njohur.

    Pas sinjalizimeve, strukturat e Policisë së Shtetit kanë nisur verifikimet për të vlerësuar situatën dhe për të bërë të mundur identifikimin e autorëve të këtyre mesazheve. Dyshohet se janë alarme false.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post “Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë”, email kërcënues në disa institucione shtetërore në Shqipëri appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • Reali kërkon fitore ndaj Villarealit, Mourinhos i shtohen mungesat

    Reali kërkon fitore ndaj Villarealit, Mourinhos i shtohen mungesat

    Skuadra madrilene synon të rikthehet te rezultatet pozitive dhe të ngushtojë diferencën me Barcelonën, e cila kryeson tabelën pas një fillimi të përsosur të sezonit.

    Real Madridi renditet në pozitën e katërt me 15 pikë nga shtatë ndeshjet e para, gjashtë më pak se Barcelona. Skuadra e drejtuar nga Jose Mourinho vjen pas humbjes 2:1 në derbin ndaj Atletico Madridit, por shpreson të shfrytëzojë përparësinë e fushës vendase, ku ka regjistruar tri fitore radhazi.

    Megjithatë, përgatitjet për këtë përballje po shoqërohen me shqetësime për gjendjen fizike të disa futbollistëve.

    Sipas medieve spanjolle, Eder Militao, Rodrygo, Ferland Mendy dhe Raul Asencio janë jashtë konkurrencës për shkak të lëndimeve, ndërsa Dean Huijsen mungon për shkak të pezullimit.

    Gjendja e Federico Valverdes do të vlerësohet para ndeshjes, pasi mesfushori ka probleme me kyçin e këmbës.

    Në anën tjetër, Villarrealit do t’i mungojë Tajon Buchanan, i cili po rikuperohet nga një lëndim në kofshë.

    Mysafirët do të synojnë të përfitojnë nga mungesat e kundërshtarit për të marrë rezultat pozitiv në “Bernabeu”. Forma e fundit e të dyja skuadrave premton një përballje interesante, me Real Madridin që kërkon të rikthehet te fitoret dhe Villarrealin që synon të vazhdojë me paraqitje të mira.

    Në përballjen e fundit mes këtyre dy skuadrave, të zhvilluar më 24 janar 2026, Real Madridi kishte fituar 2:0 në fushën e Villarrealit.

    Tashmë mbetet të shihet nëse skuadra e Mourinhos do të arrijë të shfrytëzojë avantazhin e terrenit vendas dhe të afrohet me Barcelonën në garën për kreun e La Ligës.

    Burimi: RTKLive

  • Tahiri: Ligji për Gjykatën Speciale duhet të zbatohet plotësisht, pa përjashtime

    Tahiri: Ligji për Gjykatën Speciale duhet të zbatohet plotësisht, pa përjashtime

    Tahiri: Ligji për Gjykatën Speciale duhet të zbatohet plotësisht, pa përjashtime

    Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Arian Tahiri ka vlerësuar si arritje të madhe miratimin e Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, duke kërkuar zbatimin e plotë të tij dhe respektimin e vendimit të Kuvendit të Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook,, Tahiri ka theksuar se ky vendim është i rëndësishëm për mbrojtjen e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe garantimin e drejtësisë, transmeton Klankosova.tv.

    Ai ka bërë thirrje që institucionet dhe qytetarët t’i qëndrojnë prapa çdo neni të ligjit dhe të kërkojnë zbatimin e tij të plotë, pa përjashtime dhe pa ekuivoke.

    Sipas Tahirit, Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, ndërsa Kuvendi është institucioni që ushtron pushtetin legjislativ.

    “Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Gjykata Speciale është organ i krijuar mbi bazën e rendit juridik të Republikës së Kosovës, ndërsa Kuvendi është institucioni që ushtron pushtetin legjislativ. Ligjet që miraton Kuvendi nuk janë rekomandime dhe as çështje vullneti: ato janë detyrim dhe duhet të zbatohen”, ka theksuar Tahiri.

    Ai ka shtuar se nuk duhet të ketë hezitim apo tërheqje përballë zbatimit të ligjit, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për ta shpërfillur atë do të përballet me qëndrimin e tij të vendosur.

    Tahiri ka ritheksuar se Kosova duhet të veprojë si shtet sovran dhe se zbatimi i plotë i ligjit duhet të jetë prioritet.

  • Prangoset 26-vjeçari i kërkuar për vjedhje në Ferizaj

    Prangoset 26-vjeçari i kërkuar për vjedhje në Ferizaj

    Prangoset 26-vjeçari i kërkuar për vjedhje në Ferizaj

    Policia në Ferizaj ka arrestuar një 26-vjeçar të kërkuar për veprën penale “Vjedhje”.

    Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari me inicialet A.B. është ndaluar sot, rreth orës 01:00.

    Gjatë verifikimeve është konstatuar se ai kërkohej nga Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Ferizaj, lidhur me raste të vjedhjes, transmeton Klankosova.tv

    “I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe hetuesit kanë kontaktuar prokurorin e shtetit, i cili ka nxjerrë vendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, për procedura tjera hetimore”, thotë Policia e Ferizajt./Klankosova.tv

  • Anthropic ndalon sjelljen abuzive dhe mizore ndaj chatbot-it Claude

    Anthropic ndalon sjelljen abuzive dhe mizore ndaj chatbot-it Claude

    Kompania amerikane e inteligjencës artificiale Anthropic ka përditësuar rregullat e përdorimit të chatbot-it të saj, Claude, duke ndaluar sjelljet e vazhdueshme dhe të panevojshme abuzive ose mizore ndaj modeleve të saj të inteligjencës artificiale.

    Sipas politikës së re, kufizimi synon raste ekstreme kur përdoruesit sillen vazhdimisht në mënyrë mizore ndaj chatbot-it, pa ndonjë qëllim të arsyeshëm. Megjithatë, rregullat nuk përfshijnë shprehjen e zakonshme të pakënaqësisë, testimin e modeleve apo temat e errëta në krijimtarinë artistike, raportoi The Verge.

    Një zëdhënës i kompanisë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për sqarime se cilat sjellje mund të konsiderohen abuzive ose mizore, transmeton Telegrafi.

    Anthropic kishte vendosur më herët kufizime ndaj sjelljeve abuzive, ndërsa modelet Claude tashmë kanë mundësinë ta ndërpresin një bisedë kur përdoruesi vazhdon të sillet në mënyrë të dëmshme ose abuzive. Sipas kompanisë, ndërprerja e bisedës do të mbetet mekanizmi kryesor për zbatimin e këtij rregulli.

    Anthropic po shqyrton mundësinë e mirëqenies së inteligjencës artificiale

    Ndryshimi lidhet me diskutimet që kompania po zhvillon rreth statusit moral të sistemeve të inteligjencës artificiale dhe mundësisë që ato të kenë përvoja të ngjashme me vetëdijen.

    Në faqen e saj, Anthropic ka pranuar se mbetet shumë e pasigurt nëse Claude dhe modelet e tjera të mëdha gjuhësore mund të kenë status moral, tani ose në të ardhmen. Megjithatë, kompania thotë se po e trajton seriozisht këtë çështje dhe po shqyrton masa me kosto të ulët për të zvogëluar rreziqet e mundshme për mirëqenien e modeleve.

    Mundësia që Claude ta përfundojë një bisedë potencialisht shqetësuese është një nga masat që Anthropic e ka përmendur në këtë kontekst. Kompania e prezantoi këtë veçori në gusht të vitit 2025, si pjesë të hulumtimeve mbi mirëqenien e modeleve të inteligjencës artificiale.

    Debati për vetëdijen e AI-së vazhdon

    Ideja se sistemet e inteligjencës artificiale mund të zhvillojnë vetëdije mbetet një çështje e debatueshme në industrinë e teknologjisë.

    Drejtori ekzekutiv i Anthropic, Dario Amodei, ka deklaruar se nuk mund ta përjashtojë këtë mundësi. Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i OpenAI-t, Sam Altman, ka shprehur rezerva ndaj prirjes për t’u atribuar modeleve të inteligjencës artificiale cilësi njerëzore ose një autoritet të ngjashëm me atë fetar.

    “Jam shumë i shqetësuar kur njerëzit përpiqen t’u atribuojnë modeleve të AI-së autoritet fetar ose të heqin dorë nga gjykimi njerëzor në favor të tyre. Mendoj se kjo përbën një çështje reale të sigurisë”, shkroi Altman në një postim në rrjetin social X.

    Deklarata e tij erdhi disa ditë pasi The New York Times raportoi për bisedat e zhvilluara nga drejtues të Anthropic me studiues fetarë, në kuadër të diskutimeve mbi natyrën dhe statusin e mundshëm të sistemeve të inteligjencës artificiale.

    Përditësimi i politikës së Anthropic përfshin edhe sqarime të tjera lidhur me përdorimin e modeleve të saj, përfshirë kufizime ndaj fushatave mashtruese, ndërhyrjeve në zgjedhje, zhvillimit të armëve dhe mbikëqyrjes së paautorizuar. Rregullat e reja pritet të hyjnë në fuqi më 12 nëntor 2026. /Telegrafi/

  • SPB Tetovë: Policia do të jetë e pranishme në terren për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë në Bërvenicë

    SPB Tetovë: Policia do të jetë e pranishme në terren për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë në Bërvenicë

    SPB Tetovë njofton se gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjen e kryetarit të ri të Komunës së Bërvenicës, Sektori për Parandalim pranë SPB Tetovë realizoi kontakte me të gjithë kandidatët dhe shtabet zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme lokale në Komunën e Bërvenicës që do të mbahen më 18 tetor 2026.

    Siç thonë nga SPB, takimet janë mbajtur me qëllim koordinimin e agjendave të tyre, zhvillimin e sigurt të fushatës si dhe respektimin e të gjitha rregullave dhe dispozitave ligjore për zhvillimin paqësor të fushatës zgjedhore dhe të vetë zgjedhjeve.

    “SPB Tetovë u bën thirrje të gjithë qytetarëve, aktivistëve dhe pjesëmarrësve në procesin zgjedhor për tolerancë, sjellje dinjitoze dhe përmbajtje nga provokimet apo prishja e rendit publik”.

    “Policia do të jetë e pranishme në terren për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë, të qetë dhe të sigurt për të gjithë; në të kundërt, kushdo që vepron në kundërshtim me rregullat dhe dispozitat ligjore do të përgjigjet sipas tyre, të cilat sipas Kodit Penal janë rigoroze dhe nuk do të tolerohet askush”, thonë nga SPB Tetovë.

  • Zvicra planifikon miliarda për rrugët dhe hekurudhat, por kritikohet për projektet e transportit

    Zvicra planifikon miliarda për rrugët dhe hekurudhat, por kritikohet për projektet e transportit

    Plani i qeverisë zvicerane për zgjerimin e infrastrukturës së transportit deri në vitin 2045, me investime që arrijnë në dhjetëra miliarda franga, është vënë në pikëpyetje për shkak të kostove dhe mënyrës së përzgjedhjes së projekteve.

    Sipas mediumit zviceran Watson, programi «Verkehr’45» synon të përcaktojë prioritetet për zgjerimin e rrugëve, hekurudhave dhe transportit në zonat urbane. Megjithatë, planet kanë nxitur kritika lidhur me arsyeshmërinë ekonomike të disa investimeve dhe sigurinë e financimit të tyre.

    Kontrolli Federal i Financave ka identifikuar mangësi të konsiderueshme në bazën mbi të cilën janë përcaktuar prioritetet. Sipas tij, vlerësimet e përdorura nuk ofrojnë një bazë mjaftueshëm të besueshme për të vendosur se cilat projekte duhet të realizohen të parat.

    Dyshime për kostot dhe përfitimet

    Një nga kritikat kryesore lidhet me zgjerimin e autostradave. Sipas Kontrollit Federal të Financave, përfitimet ekonomike të disa projekteve mund të jenë mbivlerësuar, ndërsa alternativat më të lira për menaxhimin e trafikut nuk janë shqyrtuar në mënyrë sistematike.

    Në vend të zgjerimit të rrugëve, disa segmente mund të përfitonin nga përdorimi më efikas i korsive ekzistuese ose nga kufizimet dinamike të shpejtësisë.

    Edhe projektet hekurudhore janë kritikuar, pasi përzgjedhja e tyre nuk është mbështetur gjithmonë në kritere të përditësuara dhe lehtësisht të verifikueshme, shkruan Watson, transmeton Telegrafi.

    Ndër projektet e përfshira në debat është edhe tuneli hekurudhor i Grimselit, për të cilin autoriteti financiar shpreh dyshime lidhur me përfitimet ekonomike në raport me kostot.

    Rrezik për vonesa në realizimin e projekteve

    Një tjetër shqetësim është financimi. Fondi për infrastrukturën hekurudhore mund të përballet me mungesë të mjeteve në vitet e ardhshme, duke rritur rrezikun që disa projekte të shtyhen.

    Për rrugët, parashikimet për të ardhurat e fondit përkatës konsiderohen optimiste, ndërsa shpenzimet e planifikuara mund të tejkalojnë mjetet financiare të disponueshme.

    Nga ana tjetër, Departamenti Federal i Transportit kundërshton një pjesë të kritikave.

    Sipas tij, vendimet për investimet nuk duhet të mbështeten vetëm në llogaritjet ekonomike, por duhet të marrin parasysh edhe sigurinë, funksionimin e rrjetit dhe zhvillimin rajonal.

    Programi «Verkehr’45» synon të krijojë një plan afatgjatë për transportin zviceran deri në vitin 2045, por debati rreth kostove, prioriteteve dhe financimit mbetet i hapur./Telegrafi/

  • Kanadezja 61-vjeçare thyen rekordin botëror, qëndron pesë orë në pozicionin plank

    Kanadezja 61-vjeçare thyen rekordin botëror, qëndron pesë orë në pozicionin plank

    Një 61-vjeçare nga Kanadaja ka thyer rekordin e saj botëror, duke qëndruar për pesë orë në pozicionin plank, gjatë Lojërave Botërore për Seniorë Huntsman, të mbajtura në Utah të SHBA-së.

    DonnaJean Wilde realizoi sfidën gjatë ceremonisë së hapjes së këtij aktiviteti sportiv, i cili u kushtohet arritjeve të sportistëve mbi moshën 50-vjeçare, transmeton Telegrafi.

    Wilde qëndroi në pozicionin plank për pesë orë, duke tejkaluar rekordin e saj të mëparshëm prej katër orësh, 30 minutash e 11 sekondash, të vendosur në vitin 2024.

    Sipas organizatorëve, sfida e saj u zhvillua më 6 tetor dhe përfundoi pasi ajo arriti kufirin prej pesë orësh. Megjithatë, rekordi i ri ende duhet të shqyrtohet dhe të miratohet zyrtarisht nga Guinness World Records.

    Drejtori ekzekutiv i Lojërave Botërore për Seniorë Huntsman, Kyle Case, tha se arritja e Wilde përfaqëson frymën e këtij aktiviteti.

    “Është një mënyrë për të njohur aftësitë që ke sot dhe për të kuptuar se nuk duhet të ndalesh, por mund të vazhdosh të bësh gjërat që të pëlqejnë”, tha Case për televizionin KSL-TV.

    Ai shtoi se sporti është vetëm një nga shumë aktivitetet që njerëzit mund të vazhdojnë t’i shijojnë edhe me kalimin e moshës.

    Lojërat Botërore për Seniorë Huntsman mbledhin pjesëmarrës nga mosha 50-vjeçare e lart dhe synojnë të promovojnë aktivitetin fizik, shëndetin dhe një jetë aktive në çdo moshë. /Telegrafi/

  • Rritje prej 10 për qind e vizitorëve në hotelet e Kosovës gjatë gushtit

    Rritje prej 10 për qind e vizitorëve në hotelet e Kosovës gjatë gushtit

    Nga numri i përgjithshëm, 37 mijë e 986 ishin vizitorë vendorë, ndërsa 63 mijë e 806 të tjerë vinin nga jashtë vendit.

    Në gusht të vitit 2025, në hotelet e Kosovës ishin regjistruar 92 mijë e 544 vizitorë. Kjo nënkupton një rritje prej 10 për qind brenda një viti.Sipas statistikave të ASK-së, gjatë gushtit 2026 janë regjistruar gjithsej 212 mijë e 411 netë qëndrime. Prej tyre, 135 mijë e 740 netë qëndrime u realizuan nga vizitorët e huaj, ndërsa 76 mijë e 671 nga vizitorët vendorë.

    Edhe numri i vizitorëve të huaj ka shënuar rritje, me 7.3 për qind krahasuar me gushtin e vitit të kaluar.

    Ndër shtetet prej nga erdhën më së shumti vizitorë të huaj në Kosovë gjatë këtij muaji ishin Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia.

    Burimi: RTKLive