Prokuroria sqaron veprimet para vrasjes së Arlinda Zekajt: Ish-bashkëshorti ishte nën aktakuzë për kanosje

Prokuroria sqaron veprimet para vrasjes së Arlinda Zekajt: Ish-bashkëshorti ishte nën aktakuzë për kanosje

Written by

in

Prokuroria sqaron veprimet para vrasjes së Arlinda Zekajt: Ish-bashkëshorti ishte nën aktakuzë për kanosje

Prokuroria Themelore në Pejë ka dalë me një njoftim lidhur me veprimet institucionale të ndërmarra para vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila u vra mbrëmjen e së dielës në Vitomiricë të Pejës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, më 22 tetor, Kryeprokurorja kishte pranuar një kërkesë nga tani e ndjera, përmes së cilës ajo kishte paraqitur pretendimet e saj lidhur me trajtimin e rasteve të mëparshme dhe kishte kërkuar zbatimin e një urdhri gjyqësor.

Pas pranimit të kërkesës, Kryeprokurorja e kishte adresuar çështjen te institucionet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, Gjykatën Themelore në Pejë, Qendrën për Punë Sociale dhe institucionet e tjera përkatëse, duke kërkuar vlerësimin urgjent të situatës dhe verifikimin e pretendimeve për lëshime të mundshme.

Po ashtu, ishte iniciuar një rast për të hetuar nëse në veprimet ose mosveprimet e personave zyrtarë të përmendur në kërkesë kishte elemente të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas Prokurorisë, më 16 tetor, Gjykata kishte nxjerrë një vendim që urdhëronte ish-bashkëshortin e Arlinda Zekajt ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Gjithashtu, asaj i ishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje për gjashtë muaj, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

Në njoftim thuhet se, kur Arlinda kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpi, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar. Pas vlerësimit të rrethanave dhe rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, prokurori kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm mund të paraqiste rrezik për jetën e saj.

Për këtë arsye, prokurori kishte kontaktuar vëllezërit e viktimës dhe, pas bisedimeve, Arlinda kishte pranuar të shkonte te familjarët, duke kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët. Sipas Prokurorisë, ishte hartuar edhe një procesverbal lidhur me këto rrethana dhe ishte kërkuar njoftimi i gjyqtarit që kishte nxjerrë vendimin.

Prokuroria njofton gjithashtu se më 23 tetor kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të viktimës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Ndërkohë, më 25 tetor, rreth orës 19:48, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për një rast të dyshuar të dhunës në familje në shtëpinë e Arlindës. Në stacion policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj dhe viktima, ndërsa ndaj J.S. ishte caktuar masa e ndalimit për 48 orë, në kuadër të procedurës për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës.

Sipas njoftimit, Arlindës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Ajo ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.

Siç ka raportuar më parë Gazeta Sinjali, Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuar për vrasjen është kunati i saj, Albert Sylaj, i cili dyshohet se e goditi me sëpatë.

Sinjali ka raportuar gjithashtu se viktima kishte denoncuar dhunë në familje dhe se ishte kthyer në shtëpi e shoqëruar nga një patrullë policore pak minuta para se të gjendej pa shenja jete. Avokatja që e kishte përfaqësuar në çështjet e dhunës në familje, Adelina Hoxha Shabani, kishte deklaruar për Sinjalin se Arlinda i kishte shprehur frikën se mund të vritej.

Prokuroria Themelore në Pejë ka shprehur keqardhje për humbjen e jetës së Arlindës, duke theksuar rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale.

Në fund, Prokuroria ka bërë të ditur se Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, i cili, sipas njoftimit, ende nuk është arrestuar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali