
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka bërë thirrje për revoltë kombëtare pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së grave në Kosovë.
Protesta është paralajmëruar për të mërkurën, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, nga ku protestuesit pritet të marshojnë drejt institucioneve të vendit.
Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, marshimi do të vazhdojë drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Qeverisë.
Kolektivi ka kritikuar institucionet për, siç shprehet, shpërfilljen e jetës dhe sigurisë së grave, duke pretenduar se vrasja e Arlinda Zekajt ishte paralajmëruar nga vetë viktima, e cila kishte kërkuar ndihmë.
“Arlinda Zekaj u vra me ndërmjetësim të shtetit i cili nuk iu beson grave, i përbuz, i neglizhon ato dhe vazhdon t’i shoh parësisht si prona të burrave”, thuhet në reagimin e organizatës.
Sipas Kolektivit, dhuna ndaj grave lidhet me patriarkinë në shoqëri dhe neglizhencën institucionale, për të cilat kërkon llogaridhënie.
Organizata ka paralajmëruar se mobilizimi nuk do të përfundojë me protestën e së mërkurës, duke deklaruar se do të vazhdojë të dalë në rrugë dhe të bllokojë institucione edhe në ditët në vijim.
“Andaj, të mërkurën, të enjten, të premten e ditët në vijim, ne do dalim rrugëve, e do bllokojmë institucione sepse është momenti i fundit që ky shtet të jap llogari”, thuhet në thirrje.
Në fund, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës dhe të solidarizohen në kërkesën për përgjegjësi institucionale dhe mbrojtje më të madhe të grave nga dhuna.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali