Në kuadër të konsultimeve, të nisura dje në mbrëmje, secila parti do t’i propozojë presidentit Herzog një kandidat, të cilit mund t’i besohet detyra për formimin e qeverisë.
Sipas praktikës tradicionale, presidenti zgjedh kandidatin që vlerëson se ka shanset më të mëdha për të siguruar shumicën parlamentare.
Ky person nuk është domosdoshmërisht drejtuesi i partisë, që ka fituar më shumë vende në parlament.
Aleanca ultraortodokse “Judaizmi i Bashkuar i Torës”, nuk propozoi asnjë kandidat për kryeministër, ndërsa partia e ekstremit të djathtë “Otzma Yehudit” (Fuqia Hebraike) mbështeti kryeministrin në detyrë, Benjamin Netanyahu, për të marrë mandatin e formimit të qeverisë.
Partia e majtë liberale, Demokratët mbështeti ish-shefin e ushtrisë, Gadi Eisenkot, i konsideruar si sfiduesi kryesor i Netanyahut. Në favor të tij u shpreh edhe partia arabe “Raam”.
Në zgjedhjet parlamentare të 27 tetorit, partia e djathtë “Likud” e Netanyahut, fitoi numrin më të madh të vendeve në Knesset, parlamentin me 120 anëtarë, duke siguruar 27 mandate.
Në vendin e dytë u rendit partia e qendrës “Yashar” e Eisenkot, me 21 mandate.
Megjithatë, as blloku i Netanyahut dhe as opozita nuk arritën të sigurojnë 61 mandatet e nevojshme për shumicën parlamentare, duke e bërë të vështirë krijimin e qeverisë së re.
Herzog pritet të zhvillojë konsultime me përfaqësuesit e “Likud” dhe “Yashar” sot në mbrëmje.
Eisenkot pritet të marrë mbështetjen e numrit më të madh të partive për të siguruar mandatin, por formimi i një koalicioni me partitë arabe për të arritur shumicën parlamentare, mund të jetë i vështirë.
Partitë arabe pothuajse dyfishuan përfaqësimin e tyre në parlament, duke siguruar gjithsej 19 mandate.
Ky rezultat bëri që “Likud” i Netanyahut, t’i akuzonte për manipulim zgjedhor, pretendime që më pas u hodhën poshtë nga autoritetet zgjedhore.
Në mesazhin e tij të parë me video, të publikuar që prej zgjedhjeve, dje në mbrëmje, Netanyahu kritikoi sërish partitë arabe, duke paralajmëruar për rrezikun e krijimit të një qeverie që varet nga islami ekstremist dhe partitë islamiste.
Burimi: RTKLive
