
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka deklaruar se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka të drejtë vetoje mbi çështjet e sigurisë evropiane, duke theksuar se Ukraina duhet të integrohet plotësisht në arkitekturën e sigurisë së kontinentit.
Kallas i bëri këto deklarata gjatë një konference të përbashkët për media në Varshavë, ku ishte e shoqëruar nga ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, dhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha.
Ajo theksoi se Evropa tashmë ka një strukturë të vendosur të sigurisë, në të cilën NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë rolet e tyre përkatëse, ndërsa nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së plotë të Ukrainës në këtë strukturë.
“Ne tashmë e kemi në vend një arkitekturë evropiane të sigurisë. NATO dhe Bashkimi Evropian kanë secili rolet e tyre përkatëse. Duhet të sigurohemi që Ukraina të integrohet plotësisht në këtë strukturë”, u shpreh Kallas.
Shefja e diplomacisë evropiane theksoi gjithashtu se Bashkimi Evropian duhet të ketë rol kyç në arritjen e çdo marrëveshjeje të mundshme të paqes, ndërsa kërkoi që veprimet e sabotazhit të Rusisë kundër vendeve evropiane të ndërpriten menjëherë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali