
Një incident i rëndë dyshohet se ka ndodhur gjatë ditës së sotme në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë, ku djali i ish-deputetes së Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, dyshohet se është kërcënuar me armë nga një zyrtar i kësaj ministrie.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar ish-deputeten Donika Kadaj-Bujupi, e cila ka konfirmuar arrestimin e personit të dyshuar lidhur me incidentin.
Sipas informacioneve të raportuara, i dyshuari është zyrtari i ministrisë, Sami Shaqiri, ndërsa incidenti dyshohet se ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me një komision disiplinor.
Mosmarrëveshja thuhet se kishte nisur pasi djali i ish-deputetes kishte refuzuar të merrte pjesë në komision, me arsyetimin se ishte epror i Shaqirit.
Para incidentit, Shaqiri dyshohet se i kishte kërkuar përmes postës elektronike plotësimin e një formulari, ndërsa Bujupi i ishte përgjigjur që formularin ta plotësonte vetë dhe më pas t’ia sillte për nënshkrim.
Situata dyshohet se ka eskaluar kur Shaqiri e ka ndjekur Bujupin deri në tualetin e ministrisë, ku dyshohet se e ka kërcënuar me armë.
Pas incidentit, i dyshuari është arrestuar, ndërsa arrestimin e tij e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali ish-deputetja Donika Kadaj-Bujupi.
Deri në këtë fazë, nuk ka konfirmim zyrtar nga Policia e Kosovës për rrethanat e plota të incidentit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali