Author: Momenti

  • Mijëra punonjës protestojnë në Lozanë kundër shkurtimeve buxhetore në sektorin publik

    Mijëra punonjës protestojnë në Lozanë kundër shkurtimeve buxhetore në sektorin publik

    Rreth 5 mijë persona kanë protestuar të martën në qytetin e Lozanës në Zvicër, kundër masave të kursimit dhe shkurtimeve të planifikuara në sektorin publik të kantonit Vaud.

    Protesta u zhvillua në prag të shqyrtimit të buxhetit nga parlamenti kantonal, i planifikuar për 1 dhjetor.

    Sipas gazetës zvicerane Le Temps, marshimi u organizua nga sindikatat e punonjësve të sektorit publik dhe gjysmëpublik, SSP dhe SUD.

    Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin Montbenon rreth orës 18:00, ndërsa rreth 45 minuta më vonë marshuan drejt ndërtesës së qeverisë kantonale, duke kaluar nëpër sheshin Saint-François dhe urën Bessieres.

    Sipas vlerësimit të agjencisë Keystone-ATS, në protestë morën pjesë rreth 4 mijë persona, ndërsa policia e vlerësoi numrin e pjesëmarrësve në afërsisht 5 mijë.

    Në mesin e protestuesve kishte edhe shumë të rinj, të cilët mbanin pankarta me mesazhe kundër shkurtimeve në arsim dhe shërbimet publike.

    Gjatë protestës u dëgjuan slogane kundër politikave të kursimit, ndërsa sindikatat kërkuan anulimin e shkurtimeve buxhetore dhe përdorimin e rezervave financiare dhe të të ardhurave të jashtëzakonshme të kantonit për mbulimin e deficitit të parashikuar.

    Mobilizimi nuk u kufizua vetëm në marshimin e mbrëmjes, transmeton Telegrafi.

    Gjatë ditës pati protesta dhe greva në disa institucione, përfshirë Spitalin Universitar të Lozanës (CHUV), Universitetin e Lozanës dhe Shkollën e Lartë të Punës Sociale. Në disa shkolla dhe gjimnaze gjithashtu pati mobilizime.

    Kjo ishte dita e dytë e grevës dhe protesta e tretë e organizuar gjatë vjeshtës në kantonin Vaud. Protesta e parë u mbajt më 5 nëntor, ndërsa mobilizimi i mëparshëm u zhvillua më 20 nëntor, kur në Lozanë u mblodhën rreth 10 mijë persona.

    Sindikatat kundërshtojnë paketën e shkurtimeve të prezantuar nga autoritetet kantonale në shtator dhe kërkojnë që rezervat financiare të përdoren për të mbuluar deficitin, në vend që barra e kursimeve të rëndojë mbi punonjësit dhe shërbimet publike.

    Buxheti do të shqyrtohet nga parlamenti kantonal duke filluar nga 1 dhjetori./Telegrafi/

  • Babai shpëton djemtë nga shkopi fluturues i bejsbollit, reagimi i tij bëhet viral

    Babai shpëton djemtë nga shkopi fluturues i bejsbollit, reagimi i tij bëhet viral

    Një baba është bërë sensacion në rrjetet sociale pas një reagimi të jashtëzakonshëm gjatë një ndeshjeje bejsbolli në New York, ku arriti të ndalte me njërën dorë një shkop që fluturoi drejt tribunave, duke mbrojtur dy djemtë e tij.

    Ngjarja ndodhi në stadiumin Citi Field, gjatë një ndeshjeje të skuadrës New York Mets. Në një moment, një shkop bejsbolli fluturoi nga fusha në drejtim të spektatorëve, duke shkaktuar reagime të menjëhershme në tribuna.

    Babai, i cili ishte ulur pranë dy djemve të tij, reagoi me shpejtësi dhe arriti ta kapte shkopin me dorën e djathtë. Ajo që e bëri momentin edhe më të pazakontë ishte fakti se në dorën tjetër mbante një gotë birrë dhe nuk u ngrit fare nga vendi.

    Pamjet e këtij momenti u shpërndanë me shpejtësi në internet, ku përdoruesit e rrjeteve sociale e vlerësuan reagimin e tij dhe e pagëzuan me epitetin “babai i vitit”.

    Shumë prej tyre komentuan se ai arriti të kryente një pritje të jashtëzakonshme në një situatë ku rrezikoheshin fëmijët e tij. /Telegrafi/

  • Presidentja Shiroka-Pula: Asnjë proces gjyqësor nuk mund ta zhbëjë të drejtën e popullit të Kosovës për liri

    Presidentja Shiroka-Pula: Asnjë proces gjyqësor nuk mund ta zhbëjë të drejtën e popullit të Kosovës për liri

    Presidentja Shiroka-Pula: Asnjë proces gjyqësor nuk mund ta zhbëjë të drejtën e popullit të Kosovës për liri

    Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka deklaruar se asnjë proces gjyqësor nuk mund ta zhbëjë të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe sakrificën mbi të cilën është ndërtuar ajo, duke iu referuar gjykimit në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Ajo i bëri këto komente në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, me rastin e 28 Nëntorit.

    Në fjalimin e saj, Shiroka Pula vlerësoi rëndësinë historike të kësaj date, duke theksuar se flamuri kuq e zi u bë simbol i qëndresës dhe i luftës çlirimtare të Kosovës.

    Sipas njoftimit të Presidencës, ajo rikujtoi se 28 Nëntori shënon katër ngjarje të rëndësishme: Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Presidentja vlerësoi sakrificën e familjes Jashari, duke theksuar se lufta e UÇK-së ishte luftë për liri dhe për të drejtën e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë në vendin e vet.

    Duke folur për procesin gjyqësor në Hagë, ajo tha se asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta mohojë të drejtën e Kosovës për liri dhe sakrificën e bërë për të.

    Ndryshe, më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë i dënoi ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimin me 13 vjet burgim për krime lufte.

    Në të njëjtën pritje, Shiroka Pula përgëzoi Shqipërinë për përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe bëri thirrje për forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.

    Ajo theksoi se flamuri që valëvitet sot është amanet i brezave që luftuan, sakrifikuan dhe dhanë jetën për të, ndërsa kërkoi më shumë integrim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

    “Më shumë Kosovë në Shqipëri dhe më shumë Shqipëri në Kosovë, deri te dita kur së bashku do të ngremë dolli në Bruksel!”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Presidentja për festën e organizuar në nder të 28 Nëntorit: Më shumë Kosovë në Shqipëri dhe më shumë Shqipëri në Kosovë

    Presidentja për festën e organizuar në nder të 28 Nëntorit: Më shumë Kosovë në Shqipëri dhe më shumë Shqipëri në Kosovë

    Presidentja për festën e organizuar në nder të 28 Nëntorit: Më shumë Kosovë në Shqipëri dhe më shumë Shqipëri në Kosovë

    Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka kërkuar forcimin e bashkëpunimit dhe integrimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke thënë se dy vendet duhet të kenë më shumë lidhje në të gjitha fushat.

    Këtë deklaratë ajo e bëri në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, me rastin e 28 Nëntorit.

    “Më shumë Kosovë në Shqipëri dhe më shumë Shqipëri në Kosovë, deri te dita kur së bashku do të ngremë dolli në Bruksel!”, tha Shiroka Pula.

    Në fjalën e saj, presidentja foli edhe për rëndësinë historike të 28 Nëntorit, duke kujtuar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, si dhe kontributin e patriotëve shqiptarë nga të gjitha trevat, përfshirë Hasan Prishtinën dhe Isa Boletinin.

    Ajo tha se kjo datë ka rëndësi të veçantë edhe për Kosovën, pasi shënon ditëlindjen e Adem Jasharit dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Duke folur për luftën e UÇK-së dhe procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të saj, Shiroka Pula tha se asnjë proces gjyqësor nuk mund ta zhbëjë të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe sakrificën mbi të cilën është ndërtuar ajo.

    Presidentja ka përgëzuar gjithashtu Shqipërinë për përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke shprehur shpresën që flamuri kuq e zi së shpejti të valëvitet edhe në Bruksel.

    Burimi: Insajderi

  • Trump i habitur me rënien e bursave: Humbëm gjashtë trilionë dollarë, dikush le të më tregojë çfarë ndodhi!

    Trump i habitur me rënien e bursave: Humbëm gjashtë trilionë dollarë, dikush le të më tregojë çfarë ndodhi!

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur habinë për zhvillimet në tregjet financiare pas zgjedhjeve të fundit afatmesme në Shtetet e Bashkuara, duke pretenduar se humbjet kanë arritur në gjashtë trilionë dollarë.

    “Nuk e di çfarë dreqin ndodhi në këto zgjedhjet e fundit. Dikush, ju lutem, ma shpjegoni. Pas zgjedhjeve afatmesme, humbëm gjashtë trilionë dollarë. Bota nuk ishte e kënaqur me rezultatet”, deklaroi Trumpi.

    Deklarata e tij vjen në një periudhë të luhatjeve në tregjet financiare amerikane, ku investitorët po reagojnë ndaj zhvillimeve politike dhe pasigurisë lidhur me drejtimin e ardhshëm të ekonomisë amerikane.

    Megjithatë, situata në Wall Street mbetet e paqëndrueshme. Pas një rikthimi të fuqishëm të hënën, më 23 nëntor, bursat amerikane kanë regjistruar sërish rënie të martën.

    Sipas të dhënave gjatë sesionit të së martës, indeksi Nasdaq, i cili përfshin shumë prej kompanive më të mëdha të teknologjisë, ra rreth 2.5 për qind, ndërsa S&P 500 humbi rreth 1.2 për qind. Në anën tjetër, Dow Jones qëndroi pothuajse i pandryshuar, me një rritje të lehtë.

    Një prej faktorëve kryesorë që ndikoi në luhatjet e së martës ishte rënia e aksioneve të kompanive të teknologjisë dhe të inteligjencës artificiale. Aksionet e Nvidia-s, një prej kompanive më me ndikim në këtë sektor, ranë 8.4 për qind, pasi një ditë më parë kishin shënuar rritje prej 31.5 për qind. Edhe kompanitë e tjera të gjysmëpërçuesve pësuan humbje të konsiderueshme.

    Kjo rënie erdhi vetëm një ditë pas një prej seancave më të mira të muajve të fundit në Wall Street.

    Të hënën, Nasdaq u rrit 6.5 për qind, S&P 500 shënoi rritje prej 4.7 për qind, ndërsa Dow Jones u ngrit me 3 për qind. Rikthimi u nxit kryesisht nga optimizmi rreth Nvidia-s dhe zhvillimeve në sektorin e inteligjencës artificiale.

    Ndryshe, shqetësimet e investitorëve lidhen edhe me vlerësimet e larta të kompanive të inteligjencës artificiale, kostot e mëdha të ndërtimit të qendrave të të dhënave dhe mundësinë e rritjes së normave të interesit nga Rezerva Federale amerikane. /Telegrafi/

  • Tentativa për grabitjen e parave përfundon me pengmarrje, 25 persona në duart e sulmuesve në Kartagjena të Kolumbisë

    Tentativa për grabitjen e parave përfundon me pengmarrje, 25 persona në duart e sulmuesve në Kartagjena të Kolumbisë

    Njëzet e pesë persona mbahen peng në një supermarket në qytetin kolumbian të Kartagjenës, deklaroi të martën Abelardo De La Espriella, duke shtuar se janë angazhuar forcat ushtarake dhe policore.

    Pesë gra të moshuara, të cilat mbaheshin peng, janë liruar tashmë, tha ai.

    Incidenti nisi kur një grup u përpoq të merrte nën kontroll një automjet të blinduar që transportonte para nga një qendër tregtare.

    Operatorët e kamerave të sigurisë njoftuan policinë përmes një butoni alarmi, tha De La Espriella.

    Më pas, atyre “nuk u mbeti zgjidhje tjetër veçse të strehoheshin në një nga dyqanet”, u shpreh ai.

    “U rrëmbyen tridhjetë persona, pesë prej të cilëve janë liruar tashmë. Bëhet fjalë për gra të moshuara”, tha De La Espriella nga qyteti Villavicencio, ku kishte udhëtuar pas një shpërthimi me makinë bombë që ndodhi atje gjatë natës.

    “Të gjitha kapacitetet e forcave tona të sigurisë janë angazhuar tashmë, përfshirë njësitë speciale”, shtoi ai. /Telegrafi/

  • Mërgim Vojvoda refuzoi milionat nga Lindja e Mesme, zbulon arsyen pse zgjodhi Udinesen

    Mërgim Vojvoda refuzoi milionat nga Lindja e Mesme, zbulon arsyen pse zgjodhi Udinesen

    Mërgim Vojvoda ka refuzuar ofertat nga Lindja e Mesme për të vazhduar karrierën në futbollin italian, ku synon të qëndrojë sa më gjatë në një prej pesë kampionateve më të forta të Evropës.

    Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës është njëri prej futbollistëve të paktë shqiptarë që luan në këtë nivel. Që nga viti 2020, ai ka regjistruar 180 paraqitje në Serie A, duke u aktivizuar kryesisht te Torino, ku luajti 135 ndeshje. Për Comon ka regjistruar 45 paraqitje, ndërsa me skuadrën aktuale, Udinese, deri më tani ka luajtur 14 ndeshje.

    Në një intervistë për emisionin “Udinese Tonight” të televizionit “TV 12”, Vojvoda ka treguar se gjatë verës kishte marrë oferta nga Lindja e Mesme, por preferoi të vazhdonte aventurën në Itali.

    “Më pëlqen të luaj në Itali, niveli është shumë i lartë. Në verë më kontaktuan nga Lindja e Mesme, por doja të qëndroja në një ligë të nivelit të lartë dhe ja ku jam”.

    Ai ka treguar se edhe nga bashkëlojtarët në Kombëtaren e Kosovës ka marrë vlerësime për vështirësinë e futbollit italian, duke e veçuar sidomos aspektin taktik.

    “Në Kombëtare flas me bashkëlojtarët që kanë luajtur në Itali, Francë dhe Spanjë, dhe ata thonë se liga italiane është më e vështirë, veçanërisht nga aspekti taktik dhe përqendrimi që kërkon. Nuk mund të bësh gabime”.

    Vojvoda ka folur edhe për përshtatjen e tij në Itali, duke theksuar se integrimi në kulturën dhe shoqërinë vendase ishte një prej prioriteteve të tij që nga dita e parë.

    “Sapo mbërrita në Itali, u përpoqa të integrohesha dhe pas disa muajsh jepja intervista në italisht. Kjo është shumë e rëndësishme për mua. Së pari duhet të integrohesh, pastaj të tjerët do të të hapin krahët. Të tjerët presin që të jetë e kundërta, por duhet të jesh i pari që mëson gjuhën, kulturën dhe ushqimin”.

    Vojvoda beson te mbijetesa e Udineses

    Mbrojtësi 31-vjeçar iu bashkua Torinos në shtator të vitit 2020, nga Standard Liege, ku qëndroi deri në shkurt të vitit 2025, kur u transferua te Como. Në korrik të këtij viti, ai ndërroi sërish ambient, duke iu bashkuar Udineses.

    Skuadra e tij aktuale nuk po kalon një periudhë të mirë, pasi gjendet në vendin e parafundit në Serie A me vetëm gjashtë pikë. Megjithatë, Vojvoda është optimist se gjërat do të ndryshojnë dhe se skuadra do të arrijë të largohet nga zona e rënies.

    Ai ka thënë se është ndier mirë që nga momenti i parë te Udinese, duke vlerësuar mikpritjen e klubit dhe të tifozëve, ndonëse ka pranuar se përgatitja fizike ishte ndryshe nga ajo me të cilën ishte mësuar.

    “Kur mbërrita, menjëherë ndjeva ngrohtësinë e klubit dhe të tifozëve. U ndjeva mirë. Përgatitja fizike që bëmë ishte ndryshe nga ajo me të cilën isha mësuar dhe nuk isha në formën time më të mirë fizike. Sa më shumë ndeshje kalonin, aq më shumë e ndieja këtë. Jam shumë i lumtur që jam këtu”.

    “Edhe në një situatë si kjo, kur arrin të dalësh nga një situatë e vështirë, është edhe më e mrekullueshme. Dua të jap 100 për qind deri në fund”.

    Vojvoda ka kujtuar edhe periudhën e kaluar te Como, ku punoi nën drejtimin e trajnerit Cesc Fabregas, të cilin e ka vlerësuar lart.

    Nën drejtimin e spanjollit, futbollisti i Kosovës u aktivizua në disa pozita, përfshirë mbrojtësin e djathtë, atë të majtë dhe sulmuesin e krahut.

    “Nën drejtimin e Fabregasit luaja si mbrojtës i djathtë, mbrojtës i majtë dhe sulmues anësor. Në fillim të sezonit të kaluar te Como, të gjithë sulmuesit e krahut ishin të lënduar dhe ai më aktivizoi në atë pozitë. Luajta shumë mirë dhe e kalova gjithë sezonin në atë rol”.

    “Kur mbërrita në Como, ishim në zonën e kuqe, por trajneri ishte i bindur se mund t’ia dilnim dhe përfunduam në vendin e dhjetë. Këtu, sikurse atje, e dimë cilësinë që kemi. Është e rëndësishme që të gjithë të jenë fizikisht dhe mendërisht të gatshëm dhe të japin gjithçka. Nëse ndodh kjo, jam i bindur se mund t’ia dalim”.

    Ai ka shtuar se Udineses nuk i ka munguar potenciali, por lëndimet e futbollistëve kanë ndikuar në ecurinë e skuadrës.

    “Deri më tani gjithmonë na ka munguar dikush dhe nuk ka qenë e lehtë as për trajnerin. Nëse të gjithë janë të shëndetshëm, mund të bëjmë po aq mirë sa vitin e kaluar”.

    Vojvoda është gjithashtu futbollisti me më së shumti paraqitje në histori të Kombëtares së Kosovës. Që nga debutimi në vitin 2017, ai ka regjistruar 81 ndeshje me fanellën dardane./Telegrafi/

  • Ambasadori Malaj: Faktori shqiptar në rajon është më i fuqishëm se kurrë (VIDEO)

    Ambasadori Malaj: Faktori shqiptar në rajon është më i fuqishëm se kurrë (VIDEO)

    Ambasadori Malaj: Faktori shqiptar në rajon është më i fuqishëm se kurrë (VIDEO)

    Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, në prag të 28 nëntorit ditës së shqiptarëve, ka deklaruar në emisionin Rubikon se faktori shqiptar në rajon është më i fuqishëm se kurrë, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Kosovës.

    Malaj ka thënë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë thelluar në disa fusha, përfshirë tregtinë, biznesin, lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave, infrastrukturën dhe sigurinë.

    Ai ka vlerësuar se zhvillimi i këtyre raporteve ndihet drejtpërdrejt nga qytetarët e të dyja vendeve.

    “Faktori shqiptar në përgjithësi, jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por faktori shqiptar në rajon është më i fuqishëm se kurrë. Shqiptarët bashkëpunojnë ngushtësisht me njëri-tjetrin, Shqipëria bashkëpunon ngushtë me Kosovën, si edhe Kosova me Shqipërinë”, ka deklaruar Malaj në Rubikon të Klan Kosovës.

    Ambasadori ka përmendur edhe marrëveshjet mes dy qeverive, të cilat, sipas tij, mundësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave për nëntë muaj të vitit, pa kontrolle në të dyja anët e kufirit.

    Malaj ka theksuar gjithashtu bashkëpunimin në fushën e sigurisë.

    “Më pas marrëdhëniet shkojnë edhe në fushën e sigurisë, shumë të forta. Kemi marrëveshjen Kosovë–Shqipëri–Kroaci që flet më mirë për këtë bashkëpunim. Por bashkëpunimi mes dy vendeve shkon edhe më tej, me trajnime e ushtrime të përbashkëta”, ka deklaruar Malaj. /Klankosova.tv

  • Vrau bashkëshorten para syve të katër fëmijëve, 41-vjeçari shqiptar dënohet me burgim të përjetshëm në Greqi

    Vrau bashkëshorten para syve të katër fëmijëve, 41-vjeçari shqiptar dënohet me burgim të përjetshëm në Greqi

    Vrau bashkëshorten para syve të katër fëmijëve, 41-vjeçari shqiptar dënohet me burgim të përjetshëm në Greqi

    Pandeli Nakoleci, 41-vjeçari i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Marjola Nakoleci, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Përzier Penale e Trikalave në Greqi.

    Vendimi është marrë unanimisht, pas përfundimit të procesit gjyqësor më 23 nëntor. Përveç dënimit me burgim të përjetshëm për vrasjen, gjykata i ka shqiptuar edhe një vit burgim për armëmbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armës.

    Gjykata e shpalli Nakolecin fajtor për vrasje me dashje, të kryer në gjendje të qetë psikike, duke mos i pranuar pretendimet e mbrojtjes se krimi ishte kryer në një gjendje të fortë emocionale. Po ashtu, u rrëzuan kërkesat për njohjen e përgjegjësisë së reduktuar psikike dhe për zbatimin e rrethanave lehtësuese.

    Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 22 gusht 2025, në Volos të Greqisë, kur Marjola Nakoleci, 36-vjeçare dhe nënë e katër fëmijëve, u vra në hyrje të pallatit ku jetonte me familjen.

    Sipas raportimeve të mediave greke, bashkëshorti e kishte sulmuar me një objekt të mprehtë, duke i shkaktuar plagë të shumta. Njëra prej goditjeve, në zonën e zemrës, rezultoi fatale.

    Procesi gjyqësor u zhvillua në një atmosferë të rënduar emocionale. Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe katër fëmijët e çiftit, të moshave 19, 17, 14 dhe 6 vjeç. Ata e ndoqën procesin, por nuk u morën në pyetje si dëshmitarë.

    Gjatë gjykimit, mbrojtja kishte pretenduar se vrasja ishte kryer pas një konflikti të çastit dhe në gjendje të fortë emocionale. Megjithatë, sipas akuzës, këto pretendime nuk u mbështetën nga provat e shqyrtuara në gjykatë, e cila përfundimisht pranoi qëndrimin e prokurorisë.

    Pas shpalljes së vendimit, avokatja e familjes së viktimës, Antonia Ballous, e cilësoi atë si drejtësi për Marjolën, fëmijët dhe familjen e saj.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Gjykata Evropiane: Shtetet mund t’i kthejnë mbrapsht migrantët në raste të caktuara

    Gjykata Evropiane: Shtetet mund t’i kthejnë mbrapsht migrantët në raste të caktuara

    Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur të martën se shtetet anëtare të Këshillit të Evropës kanë të drejtë të kontrollojnë hyrjen e shtetasve të huaj në territorin e tyre.

    Megjithatë, Gjykata theksoi se të gjitha 46 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës duhet të garantojnë respektimin e të drejtave të njeriut, edhe në situata të vështira apo armiqësore.

    Vendimi lidhet me rastet e shtetasve nga Afganistani, Iraku dhe Kuba, të cilët tentuan të hynin në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Poloni, Letoni dhe Lituani, gjatë viteve 2021 dhe 2022.

    Në atë periudhë, në kufirin ndërmjet Bjellorusisë dhe vendeve lindore të BE-së kishte pasur tensione për shkak të krizës së migracionit. Bjellorusia ishte akuzuar se kishte organizuar ardhjen e migrantëve nga vende të ndryshme dhe i kishte orientuar drejt kufijve të Bashkimit Evropian, me qëllim të ushtrimit të presionit ndaj BE-së.

    Gjykata e cilësoi këtë veprim si “instrumentalizim të migracionit”.

    Sipas vendimit, shtetet kanë të drejtë të kontrollojnë hyrjen e shtetasve të huaj në territorin e tyre, edhe kur migracioni përdoret si mjet presioni politik. Megjithatë, ato duhet të sigurojnë që migrantët të mos ekspozohen ndaj trajtimit çnjerëzor ose poshtërues.

    Autoritetet duhet gjithashtu të identifikojnë personat që mund të jenë veçanërisht të rrezikuar nga keqtrajtimi.

    Migrantët që e çuan rastin në Gjykatën Evropiane pretenduan se ishin penguar me dhunë të kalonin kufirin drejt BE-së dhe se kërkesat e tyre për azil nuk ishin shqyrtuar.

    Gjykata sqaroi se kthimi i një shtetasi të huaj në shtetin që instrumentalizon migracionin nuk përbën automatikisht shkelje të nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili ndalon torturën dhe trajtimin çnjerëzor ose poshtërues.

    Megjithatë, Gjykata urdhëroi Poloninë, Letoninë dhe Lituaninë që t’u paguajnë kompensim migrantëve për mënyrën se si ishin trajtuar në kufijtë e jashtëm të BE-së me Bjellorusinë.

    Pesë vende të BE-së planifikojnë qendër kthimi në Ruandë

    Ndërkohë, pesë vende të Bashkimit Evropian kanë njoftuar javën e kaluar një plan me Ruandën për krijimin e një të ashtuquajture qendër kthimi.

    Në këtë qendër pritet të vendosen azilkërkuesit, kërkesat e të cilëve janë refuzuar, derisa të organizohet kthimi i tyre në vendet e origjinës, raporton DW.

    Projekti ka ngritur shqetësime për shkak të situatës së të drejtave të njeriut në Ruandë dhe dyshimeve nëse do të mund të garantohen të drejtat e personave që do të dërgohen atje.

    Burimi: RTKLive