Category: Lajme

  • Gruda, Trendafilovës: Specialja nuk mund të zgjedhë cilin ligj do ta zbatojë

    Gruda, Trendafilovës: Specialja nuk mund të zgjedhë cilin ligj do ta zbatojë

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, i është kundërpërgjigjur kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, duke theksuar se Gjykata Speciale nuk mund të zgjedhë se cilin ligj do ta zbatojë.

    Përmes një postimi në Facebook, Gruda ka deklaruar se, ndonëse askush nuk mund t’ia diktojë gjykatës mënyrën e interpretimit të ligjit, ajo është e obliguar të zbatojë ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

    “E vërtetë që askush nuk mund t’ia diktojë gjykatës se si ta interpretojë ligjin. Por gjykata nuk mund të zgjedhë cilin ligj do ta zbatojë”, ka shkruar Gruda.

    Ai ka theksuar se Kuvendi i Kosovës është institucioni përgjegjës për miratimin e ligjeve, ndërsa gjykatave u takon interpretimi dhe zbatimi i tyre.

    “Ligjet i miraton Kuvendi, ndërsa gjykata i interpreton dhe i zbaton. Prandaj, sapo ligji i ri për Gjykatën Speciale të hyjë në fuqi, Gjykata duhet ta zbatojë”, ka deklaruar deputeti i PDK-së.

    Reagimi i Grudës vjen pas një video-mesazhi të Trendafilovës, në të cilin ajo ka riafirmuar pavarësinë e Dhomave të Specializuara dhe përkushtimin e këtij institucioni ndaj sundimit të ligjit, gjykimit të drejtë dhe mbrojtjes së dëshmitarëve e viktimave.

    Trendafilova ka thënë se gjykata është përballur me dezinformata lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e saj, si dhe me përpjekje për të penguar rrjedhën e drejtësisë.

    Ajo ka theksuar se Dhomat e Specializuara e ushtrojnë mandatin e tyre pa ndikime apo ndërhyrje politike, ndërsa ka nënvizuar se kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë legjitime në një shoqëri demokratike.

    Megjithatë, sipas saj, askush nuk duhet t’u diktojë gjyqtarëve se si ta interpretojnë dhe zbatojnë ligjin.

    Në mesazhin e saj, Trendafilova ka vënë në pah edhe mekanizmat juridikë përmes të cilëve të akuzuarit mund t’i kundërshtojnë vendimet gjyqësore, përfshirë procedurat e apelit dhe shqyrtimin kushtetues.

    Deklaratat e saj vijnë pas ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara nga Kuvendi i Kosovës, në një periudhë të shoqëruar me reagime publike dhe protesta pas vendimit dënues ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

    Në thelb të debatit qëndron raporti ndërmjet pavarësisë së gjyqësorit dhe zbatimit të ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, çështje për të cilën Gruda ka theksuar se Gjykata Speciale nuk mund të zgjedhë në mënyrë arbitrare ligjin që zbaton.

    Burimi: RTKLive

  • Gruda i kundërpërgjigjet Trendafilovës: Gjykata nuk mund të zgjedhë cilin ligj do ta zbatojë

    Gruda i kundërpërgjigjet Trendafilovës: Gjykata nuk mund të zgjedhë cilin ligj do ta zbatojë

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda i është kundërpërgjigjur kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova duke theksuar se Gjykata Speciale nuk mund të zgjedhë se cilin ligj do ta zbatojë, duke nënvizuar ndarjen e kompetencave ndërmjet Kuvendit dhe gjyqësorit.

    Përmes një postimi në Facebook, Gruda ka deklaruar se askush nuk mund t’i diktojë Gjykatës mënyrën e interpretimit të ligjit, por ajo është e obliguar të zbatojë ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

    “E vërtetë që askush nuk mund t’ia diktojë gjykatës se si ta interpretojë ligjin. Por gjykata nuk mund të zgjedhë cilin ligj do ta zbatojë”, ka shkruar Gruda.

    Ai ka theksuar se Kuvendi është institucioni që miraton ligjet, ndërsa Gjykata ka përgjegjësinë t’i interpretojë dhe t’i zbatojë ato.

    “Ligjet i miraton Kuvendi, ndërsa gjykata i interpreton dhe i zbaton. Prandaj, sapo ligji i ri për Gjykatën Speciale të hyjë në fuqi, Gjykata duhet ta zbatojë”.

    Ankohet pak Trendafilova, thotë se Specialja nuk ndikohet nga politika

    Burimi: Dukagjini

  • Komisioni për Shëndetësi miraton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026

    Komisioni për Shëndetësi miraton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026

    Komisioni për Shëndetësi ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.

    Projektligji është miratuar me gjashtë vota për, tri abstenime dhe asnjë votë kundër.

    Anëtari i komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sylejman Meholli tha se kjo ndarje buxhetore lidhet me pagën e 13-të.

    “Çështja për të cilën po flasim është një plotësim-ndryshim me një gjenezë siç e keni edhe ju, ligji numër 10-N-2001, që megjithatë e prek edhe sektorin e shëndetësisë, siç është gjithë sektori tjetër sepse po flasim për 102 milionë euro shtesë që kanë ndikuar në kodin 28900 për pagën e 13-të në sektorin publik, e që do të angazhojnë profesionistë shëndetësorë, siç janë angazhuar vitin e kaluar, edhe po ashtu do të paguhet shtesa sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me shtesën në pagë në lidhje me përvojën e punës, 0.5% në vit, dhe do të paguhet në mënyrë retroaktive edhe për pjesën që nuk është paguar,” tha ai.

    Kurse, anëtarja e komisionit nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra tha se raportimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia është i domosdoshëm për të adresuar kërkesat drejtuar atij.

    “E di, e di, po du me u lidhë në çështjen që e ngriti Albana, është pika e katërt, unë do ta shoh që duhet ta kemi në raportim ministrin. Është e paraparë në një vizitë, në fakt ftesë e komisionit të raportojë në muajin nëntor, kështu që kjo kishte me qenë një pikë që kërkesat me i adresu, shprehur edhe për çështjet, çështja e ligjit për sigurime shëndetësore edhe çështjet e tjera që do t’i diskutojmë pikën e parë. Nuk po e shoh që është e paraparë në nëntor”, tha Deliu-Kodra.

    Kurse, Naim Bardiqi nga LVV-ja tha se Ministria e Shëndetësisë është pjesë e këtij plotësim-ndryshimi të ligjit.

    “Lidhur me ligjin për sigurimin e detyrueshëm për kujdesin shëndetësor, por edhe furnizimin me produkte shëndetësore, shërbimet farmaceutike, kujdesin parësor shëndetësor edhe të tjera, edhe Ministria e Shëndetësisë, vetë janë pjesë e ligjit tonë buxhetor, dhe janë po ashtu edhe investimet gjithashtu edhe lidhja e taksave për shëndetësi është paraparë në projeksionet, respektivisht të aprovuar për nisjen apo për shpenzimet për vitet në vijim”, tha ai./EO

    Burimi: Dukagjini

  • Hapet sezoni i gjuetisë nga 25 tetori

    Hapet sezoni i gjuetisë nga 25 tetori

    Sipas Ministrisë, gjuetia do të zhvillohet me kushte dhe kufizime ligjore, me qëllim të mbrojtjes së faunës së egër, ruajtjes së biodiversitetit dhe sigurisë publike.

    Aktivitetet e gjuetisë do të lejohen vetëm në vendgjuetitë që kanë plane të miratuara të menaxhimit, për llojet e përcaktuara dhe në përputhje me kalendarin e gjuetisë.

    Zbatimi i vendimit do të mbikëqyret nga inspektorët përgjegjës dhe institucionet kompetente. Ministria u ka bërë thirrje gjuetarëve dhe menaxherëve të vendgjuetive që të respektojnë legjislacionin dhe të bashkëpunojnë me organet mbikëqyrëse.

    Burimi: RTKLive

  • Dogana zbulon pajisje topografike të padeklaruara me vlerë 5,400 euro në Aeroportin e Prishtinës

    Dogana zbulon pajisje topografike të padeklaruara me vlerë 5,400 euro në Aeroportin e Prishtinës

    Gjatë kontrolleve rutinore të udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, zyrtarët doganorë kanë identifikuar mall të padeklaruar në bagazhin e një udhëtari me shtetësi turke.

    Përmes një postimi në faqen zyrtare të Doganës bëhet e ditur se udhëtari kishte kaluar përmes kanalit të gjelbër, i cili është i dedikuar për udhëtarët që nuk kanë mallra për të deklaruar. Për shkak të dyshimeve të ngritura gjatë kontrollit, zyrtari doganor ka vendosur të kryejë kontrollin fizik të bagazhit.

    Gjatë kontrollit janë gjetur pajisje profesionale STONEX GPS për matje topografike dhe gjeodezike, me vlerë të përafërt prej 5,400 eurosh, të cilat nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore.

    Për mosdeklarimin e mallrave, në kundërshtim me dispozitat e nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, ndaj rastit është iniciuar procedura për kundërvajtje doganore.

    Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e legjislacionit doganor, parandalimin e kontrabandës dhe evazionit fiskal, si dhe në garantimin e trajtimit të barabartë të të gjithë udhëtarëve dhe operatorëve ekonomikë.

    Burimi: Dukagjini

  • Rama dhe ambasadori britanik diskutojnë 19 projektet strategjike të Prishtinës

    Rama dhe ambasadori britanik diskutojnë 19 projektet strategjike të Prishtinës

    Përmes një postimi në ‘Facebook’, Rama ka bërë me dije se gjatë takimit është diskutuar për projekte në fusha të ndryshme, përfshirë infrastrukturën, transportin publik, sportin, shëndetësinë dhe zhvillimin urban.

    Ai ka theksuar se synimi është që këto projekte të konkretizohen dhe të kontribuojnë në krijimin e një kryeqyteti më funksional dhe me më shumë mundësi për qytetarët.

    Burimi: RTKLive

  • DASH për Kosovën: Përparim kundër trafikimit, por sfida mbeten

    DASH për Kosovën: Përparim kundër trafikimit, por sfida mbeten

    Kosova ka shënuar përparim në disa fusha të luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore, por vazhdon të përballet me mangësi në ndjekjen penale të trafikantëve, identifikimin e viktimave dhe riintegrimin e tyre. Këto janë disa nga gjetjet kryesore të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), i cili e mban Kosovën në Nivelin 2.

    Sipas raportit, Qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit me qenie njerëzore, por po bën përpjekje të konsiderueshme për t’i përmbushur ato.

    “Qeveria tregoi një rritje të përgjithshme të përpjekjeve në krahasim me periudhën e mëparshme të raportimit”, thuhet në raport, ku si zhvillime pozitive përmenden dënimi i më shumë trafikantëve, rritja e financimit për ndihmën ndaj viktimave dhe shtimi i mjeteve për aktivitetet parandaluese.

    Megjithatë, DASH thekson se përparimi institucional nuk është shoqëruar me rezultate të mjaftueshme në të gjitha fushat, veçanërisht në zbatimin e ligjit dhe ofrimin e mbështetjes afatgjatë për viktimat.

    Gjatë vitit 2025, Policia e Kosovës hetoi katër raste të trafikimit me qenie njerëzore, krahasuar me pesë raste në vitin 2024.

    Ndërkohë, autoritetet ngritën aktakuza ndaj 34 personave të dyshuar për trafikim, nga 49 sa ishin në vitin paraprak.

    Gjykatat dënuan tre persona për trafikim me qëllim të shfrytëzimit seksual, krahasuar me një të dënuar në vitin 2024.

    Megjithatë, raporti vë në pah se vetëm dy nga tre të dënuarit morën dënime me burgim efektiv: njëri u dënua me pesë vjet e gjashtë muaj burgim dhe gjobë prej 3.000 eurosh, ndërsa tjetri me tre vjet burgim. Personi i tretë u dënua me një vit provë.

    Sipas DASH, dënimet nën minimumin e paraparë me ligj dobësojnë përpjekjet për t’i mbajtur trafikantët përgjegjës dhe mund të krijojnë rreziqe për sigurinë e viktimave.

    Raporti thekson gjithashtu se shumë prokurorë dhe gjyqtarë nuk kanë trajnim dhe përvojë të mjaftueshme për trajtimin e rasteve që përfshijnë kontroll emocional dhe shtrëngim psikologjik të viktimave. Kjo, sipas vëzhguesve të cituar në raport, mund të rezultojë në dënime të buta ose në rikualifikimin e veprave penale në kategori me dënime më të ulëta.

    Një prej shqetësimeve të theksuara në raport është mënyra se si autoritetet i trajtojnë rastet e fëmijëve të detyruar të lypin nga prindërit e tyre.

    Sipas DASH, Policia e Kosovës ka vazhduar t’i hetojë disa prej këtyre rasteve si neglizhencë ose abuzim prindëror, në vend se si trafikim me qenie njerëzore.

    Raporti vëren se autoritetet nuk i kanë hetuar të gjitha rastet e lypjes së detyruar të fëmijëve si trafikim dhe se mungesa e procedurave të përshtatshme për identifikimin e viktimave mund të çojë në ndëshkimin e tyre për veprime të kundërligjshme të kryera si pasojë e drejtpërdrejtë e shfrytëzimit.

    Kjo çështje është veçanërisht e rëndësishme për fëmijët që mund të detyrohen nga prindërit ose persona të tjerë të përfshihen në aktivitete shfrytëzuese.

    Raporti nënvizon nevojën për identifikim më të mirë të viktimave të mundshme dhe për mbrojtjen e tyre nga ndëshkimi për veprime të kryera nën ndikimin ose detyrimin e trafikantëve.

    Gjatë vitit 2025, institucionet identifikuan 13 viktima të trafikimit me qenie njerëzore, krahasuar me 14 në vitin 2024. Të 13 viktimat e identifikuara, sipas raportit, ishin shfrytëzuar për qëllime të trafikimit seksual. Dy prej tyre ishin gra, ndërsa 11 ishin vajza. Asnjëra nuk ishte shtetase e huaj.

    “Qeveria ofroi strehim, kujdes shëndetësor, këshillim, shërbime juridike dhe ndihmë për riatdhesim, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile. Sipas raportit, 18 viktima morën ndihmë përmes bashkëpunimit ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civile, ndërsa institucionet e specializuara të strehimit asistuan 10 viktima”, thuhet në raport.

    Raporti vlerëson se procedurat e referimit të viktimave funksionojnë mirë, por identifikimi i personave të shfrytëzuar përmes lypjes së detyruar mbetet i pamjaftueshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët.

    Përtej identifikimit dhe strehimit fillestar, raporti evidenton probleme në ofrimin e shërbimeve që do t’u mundësonin viktimave të rindërtonin jetën dhe të bëheshin financiarisht të pavarura.

    “Programet e riintegrimit patën sukses të kufizuar për shkak të mungesës së burimeve dhe mundësive të punësimit për viktimat, në mënyrë që ato të bëheshin financiarisht të pavarura”, thuhet në raport.

    Sipas vlerësimit, Qendrat për Punë Sociale ofrojnë shërbime për fëmijët viktima dhe veprojnë si kujdestare të tyre ligjore, por përballen me mungesë të stafit dhe kapaciteteve për t’i përmbushur të gjitha përgjegjësitë.

    Vështirësi janë raportuar edhe në ofrimin e shërbimeve për viktimat e ritrafikuara, personat që kanë nevojë për terapi të përshkruar nga psikiatrit dhe ata që kërkojnë mbështetje afatgjatë psikosociale.

    Këto mangësi tregojnë se mbrojtja e viktimave nuk përfundon me identifikimin apo vendosjen në strehimore, por kërkon shërbime të vazhdueshme, mbështetje profesionale dhe mundësi konkrete për riintegrim.

    Në fushën e parandalimit, raporti evidenton rritje të financimit qeveritar. Për aktivitetet parandaluese, qeveria ndau 15.000 euro gjatë vitit 2025, krahasuar me 3.550 euro në vitin 2024.

    Institucionet organizuan aktivitete ndërgjegjësuese për grupet e cenueshme, mbajtën në funksion linjën telefonike kundër trafikimit dhe ndërmorën masa për të ulur kërkesën për shërbime seksuale komerciale të lidhura me shfrytëzimin e viktimave.

    Qeveria gjithashtu vazhdoi rregullimin e veprimtarisë së rekrutuesve të punëtorëve dhe inspektimet e rregullta në vendet e punës.

    Megjithatë, raporti vëren se nuk është raportuar trajnim i posaçëm për inspektorët e punës lidhur me identifikimin e trafikimit me qenie njerëzore, apo referim i rasteve të mundshme të trafikimit nga inspektorati te organet e zbatimit të ligjit.

    Sa i përket zbatimit të Planit Kombëtar të Veprimit për periudhën 2024–2025, raporti thekson se vlerësimi i qeverisë evidentoi objektiva të përmbushur, të tjera në proces dhe disa që nuk ishin zbatuar.

    Sipas profilit të trafikimit të paraqitur në raport, gratë dhe vajzat rekrutohen përmes premtimeve mashtruese për martesë ose punësim si valltare dhe këngëtare, për t’u shfrytëzuar seksualisht në shtëpi private, apartamente, klube nate dhe sallone masazhi.

    Fëmijët nga Kosova, Shqipëria dhe vendet e tjera fqinje shfrytëzohen për lypje të detyruar.

    Raporti thekson se ‘viktima të trafikimit seksual në Kosovë janë edhe gra dhe vajza nga Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe vende të tjera. Po ashtu, në Kosovë janë shfrytëzuar viktima të huaja nga Shqipëria, Kolumbia, Meksika, Tajlanda dhe Venezuela’.

    Shtetasit e Kosovës, ndërkaq, u nënshtrohen trafikimit seksual dhe punës së detyruar edhe në vende të tjera të Evropës.

     

    Burimi: RTKLive