Category: Lajme

  • Përplasje në administratën Trump për vizitën në Ballkan

    Përplasje në administratën Trump për vizitën në Ballkan

    E-mailet e publikuara zbulojnë konfliktin mes dy zyrtarëve të lartë amerikanë për kompetencat diplomatike. Përplasja u shtri edhe në Ballkan, pas takimeve të Paolo Zampollit me zyrtarë serbë dhe përfaqësues të Republikës Srpska.

    Një konflikt i brendshëm në administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, ka nxjerrë në pah mosmarrëveshjet mes zyrtarëve të lartë të Departamentit të Shtetit për kompetencat dhe kufijtë e angazhimit diplomatik.

    Sipas një raportimi të mediumit amerikan Politico, përplasja përfshin zëvendëssekretarin e Shtetit, Christopher Landau, dhe Paolo Zampollin, të dërguarin e posaçëm për partneritete globale dhe mik prej vitesh i presidentit Trump.

    Korrespondenca elektronike, e cila shtrihet përgjatë gati një viti, përmban akuza për tejkalim të kompetencave, mosbindje institucionale, rrjedhje informacioni në media dhe kërcënime për masa disiplinore.

    Një nga çështjet që e nxori konfliktin përtej mureve të institucioneve amerikane ishte angazhimi i Zampollit në Ballkan.

    Sipas POLITICO-s, pas takimeve të tij me zyrtarë politikë dhe ekonomikë serbë, Landau kontaktoi personalisht ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, për t’i sqaruar se Zampolli nuk kishte autorizim të përfaqësonte administratën amerikane për çështje që shkonin përtej diplomacisë kulturore.

    Landau kërkoi falje nëse vizita e të dërguarit kishte shkaktuar paqartësi.

    Mosmarrëveshjet për kompetencat

    Në një e-mail të nëntorit të vitit 2025, Landau i kërkoi Zampollit të ndërpriste çdo angazhim që nuk lidhej drejtpërdrejt me diplomacinë kulturore. Ai pretendoi se i dërguari nuk kishte autoritet të merrej me çështje më të gjera të politikës së jashtme.

    Në komunikimet pasuese, Landau e akuzoi Zampollin për ndërmarrjen e nismave të paautorizuara, përfshirë ato në fushën tregtare dhe ekonomike.

    Zampolli, ndërkaq, ka argumentuar se përgjegjësia e tij buron drejtpërdrejt nga presidenti amerikan. Në një intervistë për Financial Times, ai e kishte përshkruar Trumpin si eprorin e tij kryesor.

    Konflikti u përshkallëzua më tej në qershor, kur Zampolli kërkoi nga inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Shtetit nisjen e një hetimi ndaj Landaut, duke e akuzuar atë për rrjedhje informacioni në media. Landau i mohoi kategorikisht akuzat.

    Pse ka rëndësi për Ballkanin?

    Rasti është me interes për rajonin, sepse tregon se angazhimet e përfaqësuesve amerikanë në Ballkan mund të bëhen pjesë e mosmarrëveshjeve brenda vetë administratës në Uashington.

    Vizitat dhe takimet e zyrtarëve amerikanë në Serbi dhe në Republikën Srpska kanë rëndësi politike për shkak të interesave amerikane në rajon, marrëdhënieve Kosovë–Serbi dhe zhvillimeve në Bosnjë e Hercegovinë.

    Megjithatë, përplasja e bërë publike nuk dëshmon, në vetvete, se politika zyrtare amerikane ndaj Ballkanit ka ndryshuar. Ajo ngre kryesisht pikëpyetje për ndarjen e kompetencave, koordinimin diplomatik dhe mënyrën se si përfaqësohet administrata amerikane jashtë vendit.

    Një zyrtar i administratës, i cituar nga POLITICO, e përshkroi konfliktin si një episod të turpshëm, të ngjashëm me një shfaqje groteske.

    Zampolli, nga ana e tij, pretendoi se Landau e kishte sulmuar që nga dita e parë, ndërsa Departamenti i Shtetit deklaroi se Landau po përqendrohej në koordinimin e zyrtarëve për zbatimin e agjendës së politikës së jashtme të Trumpit dhe të sekretarit të Shtetit, Marco Rubio.

    Burimi: POLITICO

    Burimi: RTKLive

  • “Ndjeva që u përplasa fuqishëm…”, dëshmia e Ledion Ballës që policët i thyen këmbën në protestë!

    “Ndjeva që u përplasa fuqishëm…”, dëshmia e Ledion Ballës që policët i thyen këmbën në protestë!

    “Ndjeva që u përplasa fuqishëm…”, dëshmia e Ledion Ballës që policët i thyen këmbën në protestë!

    Fiks Fare ka biseduar me Ledion Ballën që u dhunua brutalisht disa ditë më parë nga 4 punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët i thyen këmbët dhe më pas e morën si leckë për t’a transportuar në spital.

    Ledioni ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës, ndërkohë që bashkëpunëtorët e emisionit investigativ zhvilluan një bisedë ekskluzive, ku ai dhe nëna e tij që i qëndron te koka tregojnë se e kanë goditur fuqishëm.

    “Ndjeva që u përplasa fuqishëm. Isha aty në lokal dhe nisa një herë të iki. Pastaj s’kisha ku shkoja se ishte rruga e bllokuar. Ndëjta dhe vetëm kur ndjeva që u përplasa diku. Fuqishëm” thotë Ledioni. Më tej shton se nuk vritet njeriu kot, teksa thotë se nuk ka qenë pjesë e protestës. “Po nuk vritet njeriu kot. Me dal në rrugë e ça …” shton ai.

    Nga ana tjetër, nëna e tij thotë se i kanë futur hekur në këmbë dhe më vonë do të përdorë fizioterapist. “Tani është në fazën e rikuperimit. I futën hekur nga gjuri e deri poshtë. O Zot, asnjë mos e pastë kismet. Nuk i është dëmtuar lëkura apo enët e gjakut. Vetëm kocka është thyer, tjerat nuk janë” thotë nëna e tij.

    Në fund të bisedës, në dhomën e spitalit, mbërrin edhe kryeinfermieri i cili i kërkon bashkëpunëtores së emisionit Fiks Fare se kanë marrë urdhër që Ledioni të mos flasë me askënd. “E kam urdhër, asnjë mos t’a takojë” i thotë ai, duke i kërkuar bashkëpunëtores që të largohet nga dhoma.

    Për këtë ngjarje, Policia e Shtetit ka pezulluar 4 punonjësit që e morën në krahë Ledionin si dhe shefin e krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.1. Fiksi tentoi që të kontaktojë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, duke i marrë një prononcim. Në ditën e tretë të protestës së studentëve, Hitaj ndodhej në afërsi të kryeministrisë. Në momentin që grupi i xhirimit po i afrohej vendit ku qëndronte kryepolici, disa punonjës të tjerë largojnë me forcë gazetaren dhe operatorin.

    Fiksi kontakton në telefon me z. Hitaj, por ai nuk jep shpjegime. “Mirupafshim” thotë, ndërsa s’jep asnjë prononcim. Menjëherë pas kësaj përgjigje, Hitaj filmohet duke lëvizur lirisht e duke qeshur, pavarësisht se efektivët e tij filmohen duke dhunuar studentë dhe të mitur.

    ***

    Bisedë e gazetarëve të Fiks Fare me Ledian Ballën, në Spitalin Universitar të Traumës, pasi 5 policët i thyen këmbën

    Fiksi: Ai që ka thyer këmbën a është më mirë?
    Sanitarja: Po, po ai që ka thyer këmbën është tek 1-shi.
    Kryeinfermieri i turnit 1: Si je kë kërkon?
    Fiksi: Një djalë që erdhi dje nga protesta. Ai djali që ka thyer këmbën .
    Kryeinfermieri: Po.
    Fiksi: A të pyes kot si është?
    Kryeinfermieri: Mirë është, s’ka problem. Është në pavion.
    Fiksi: N’pavion?
    Kryeinfermieri: Po

    Fiksi: Si jeni?
    Ledion Balla: Mirë.
    Fiksi: A djali që ishe dje në protestë je?
    Ledion Balla: Unë .. kush jeni ju?!
    Mamaja: Jo, jo s’ka qenë në protestë.
    Fiksi: Jo po pyes kot!
    Ledion Balla: Identifikohu.
    Fiksi: Unë jam A…
    Ledion Balla: Thash se ishe gazetare!
    Fiksi: Jo, jo, jo.
    Ledion Balla: S’kam qenë në protestë unë, për momentin sa kam dalë nga salla. Nuk mundem.
    Fiksi: A je më mirë, unë erdha vetëm për njerëzillik në fakt, a je më mirë?
    Ledion Balla: Hajd, çka ..
    Fiksi: A ke dhimbje?
    Ledion Balla: Pak.
    Fiksi: Operim e bëre?
    Djali : Po, po operim.
    Fiksi: Dhimbje besoj ke shumë?
    Ledion Balla: Kam një çikë .
    Fiksi: Po ça të thanë ato?
    Mamaja: Po hiç.
    Fiksi: Të paktën aq sa kam parë dje, ti që e ke përjetuar një herë e ke … dhe ne që e kemi pa na ka ra të fikët. Inshallah qoftë me kaq. Po a kanë ardhur me të kontrolluar këto, vizita këto të shtetit?
    Ledion Balla: Po, po të gjithë.
    Mamaja: Të gjithë.
    Fiksi: Po ça të thanë ato?
    Mamaja; Po hiç.
    Ledion Balla: Janë marr masat për çdo gjë, janë marrë.
    Fiksi: Janë marrë më u përgjigj për noj gjë! Do dal të blej nja dy gjëra për familjarin tim, a do ndonjë gjë?
    Ledion Balla: Jo faleminderit.
    Mamaja: Nuk i lejohet tani.
    Ledion Balla: Nuk më lejohet të ha!
    Fiksi: As një gjë? As lëngje?
    Mamaja: Do dhe 3 orë të tjera .
    Ledion Balla: Zëre sikur më ke sjell rrofsh.
    Fiksi: Me thënë të drejtën si të kisha qenë duke parë vëllain tim më ka ardhur keq.
    Mamaja: Rrofsh, shumë faleminderit. Kujt nuk i ka ardhur keq për të!
    Fiksi: Se nuk bohet.
    Mamaja : S’ke ça thu, nuk ke ça thu!
    Fiksi: Ti the nuk kam dal, po edhe sikur të kishe dal …
    Ledion Balla: Po nuk vritet njeriu kot!
    Fiksi: Po është masakër mor, është….
    Ledion Balla: Me dal në rrugë e ça …
    Mamaja: Out komplet.
    Fiksi: Po ti a nuk i pe me ik o vlla?
    Ledion Balla: Kanë qenë, prit se ta shpjegoj.

    Ledion Balla: Qesh aty në lokal, nisa një herë të iki pastaj s’kisha ku shkoja se ishte rruga e bllokuar. Ndëjta dhe vetëm kur ndjeva që u përplasa diku. Fuqishëm.
    Fiksi – Po a duke të tërheq e thyen këmbën, apo kishte ngec te ato kangjellat, se ashtu e pash në internet?!
    Mamaja: Ku mban mend gjë, s’din gjë hiç. I ka parë mbrëmë gjith natën ai!
    Ledion Balla: Leje iku tani.
    Fiksi – Po kështu a të kanë thënë noj gjë të keqe për këmbën?
    Mamaja: Jo jo mirë. I futën hekur kshu.
    Fiksi: Krejt e?!
    Mamaja: Nga gjuri e deri poshtë.
    Mamaja: Nuk është mirë, po ça të bësh!
    Ledion Balla: Nuk duam as një gjë, ti shumë faleminderit.
    Mamaja: O Zot, asnjë mos e pastë kismet.
    Fiksi – Besoj me fizioterapist do e ndjekësh më vonë?
    Ledion Balla: Patjetër. Gishtat po e luaj, e ndjej.
    Fiksi – E ndjen të paktën?
    Ledion Balla: Po e ndjej.
    Mamaja: Nuk i është dëmtuar lëkura apo enët e gjakut.
    Fiksi – Shumë shumë mirë atëherë.
    Mamaja: Vetëm kocka është thyer, tjerat nuk janë. Rrofsh, të shkuara qoftë spitali se ne na pyeten për ty …
    Fiksi: Faleminderit, të shkuara o vlla sa më shpejt ishalla del dhe u takofshim jashtë!

    Kryeinfermieri: Goce ça e keni ju këtë?
    Fiksi: I çova nja dy gjona me ngrënë.
    Kryeinfermieri: Po herë tjetër mos ashtu…
    Fiksi: Po pse o vlla?!
    Kryeinfermieri: Nuk ashtu. Kështu është dhënë urdhër.
    Fiksi: Po për çfarë është dhënë urdhër?
    Kryeinfermieri : Ee, po jo o ti …
    Fiksi: A të shqetësova, shqetësova njeri?
    Kryeinfermieri: Po jo, o nuk është puna këtu, familjarët thonë nuk e kemi ashtu …

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post “Ndjeva që u përplasa fuqishëm…”, dëshmia e Ledion Ballës që policët i thyen këmbën në protestë! appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • Bajqinovci: Kosova ka stabilizuar institucionet, ligjet do të kalojnë

    Bajqinovci: Kosova ka stabilizuar institucionet, ligjet do të kalojnë

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtari i Komisionit për Siguri, Mefail Bajqinovci, ka vlerësuar se zgjedhja e presidentes së Kosovës, Justina Pula, ka ndihmuar në tejkalimin e krizës politike dhe stabilizimin e institucioneve të vendit.

    Duke folur në emisionin RTK Prime, Bajqinovci e cilësoi marrëveshjen ndërmjet pozitës dhe opozitës për zgjedhjen e presidentes si një hap të rëndësishëm drejt funksionalizimit të institucioneve.

    “Fatmirësisht, në para disa ditëve, në një seancë maratonike, në orët e fundit është zgjedhur presidente e vendit, profesoresha Justina Pula. Mendoj që Kosova arriti të stabilizojë institucionet e Republikës së Kosovës, në këtë rast pozitë dhe opozitë ranë dakord që ta kemi një president konsensual”, tha Bajqinovci.

    Ai vlerësoi pozitivisht fillimin e punës së legjislaturës së re, duke theksuar se Kuvendi duhet të jetë hapësirë e debatit, kritikave dhe kundërshtimeve, ku vendimet merren në interes të qytetarëve dhe vendit.

    “Kuvendi i Kosovës është arenë ku japin mendime, kundërshtime, kritika dhe votohen ligjet për të mirën e vendit. Unë jam shumë i gëzuar dhe u jam mirënjohës secilit që ka kontribuar në këtë për ta zgjedhur presidenten e vendit”, deklaroi ai.

    Duke folur për agjendën legjislative, Bajqinovci tha se institucionet po përballen me afate të shkurtra për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjeve. Sipas tij, përfundimi i procedurave është i rëndësishëm për të shmangur humbjen e fondeve dhe për të vazhduar procesin e integrimit evropian.

    Bajqinovci u shpreh optimist se projektligjet do të marrin votat e nevojshme dhe se institucionet do të vazhdojnë punën e tyre.

    “Prandaj unë mendoj që tashmë nuk do të ketë problem. Votat janë, ligjet do të kalojnë dhe normalisht vendi do të ecë përpara me të gjitha kapacitetet legjislative, por edhe ekzekutive”, deklaroi deputeti i LVV-së.

    Bajqinovci foli edhe për vendimin që vendi të mos shkojë në zgjedhje, duke argumentuar se prioritet duhej të ishte vazhdimi i funksionimit institucional dhe angazhimi i profesionistëve për trajtimin e çështjeve të hapura ligjore.

    Ai mohoi që vendimmarrja të jetë ndikuar nga frika apo presioni politik.

    “Unë mendoj që nuk ka të bëjë me presion, nuk ka të bëjë me frikë. Të siguroj, të paktën sot ditën kam qenë prezent, nuk ka të bëjë me atë punë. Ka të bëjë mos me shkuar vendi në zgjedhje, mos me u bërë katrahurë”, tha Bajqinovci.

    Shala: Kosovës i duhet uniteti politik

    Ndërkaq, analisti Ibrahim Shala vlerësoi se zgjedhja e presidentes krijon mundësi për rikthimin e funksionimit të plotë të institucioneve dhe normalizimin e jetës politike në vend.

    Sipas tij, periudha e vakumit institucional ka ndikuar negativisht në sistemin demokratik, prandaj nevojitet bashkëpunim ndërmjet partive politike dhe mobilizim i institucioneve shtetërore.

    “Sigurisht se ky vakum i madh edhe e ka lënduar sistemin tonë demokratik për dy vjet me heqje të tilla edhe me zhvillime të tilla çfarë i kemi pasur ne”, tha Shala në RTK Prime.

    Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së bashkëpunimit ndërmjet forcave kryesore politike në Kuvend.

    “Prandaj, neve na duhet uniteti i parlamentit tonë, na duhet funksionaliteti i qeverisë dhe mobilizimi i të gjitha forcave edhe politike edhe shtetërore”, deklaroi Shala.

    Të dy të ftuarit vlerësuan rëndësinë e funksionimit të institucioneve dhe bashkëpunimit politik, në një periudhë kur vendi përballet me afate të rëndësishme legjislative dhe sfida në procesin e integrimit evropian.

    Burimi: RTKLive

  • Legjenda e Hollywoodit Al Pacino shpallet fitues i Çmimit për Arritje Jetësore

    Legjenda e Hollywoodit Al Pacino shpallet fitues i Çmimit për Arritje Jetësore

    Legjenda e Hollywoodit Al Pacino shpallet fitues i Çmimit për Arritje Jetësore

    Aktori i njohur amerikan Al Pacino është përzgjedhur fitues i Çmimit SAG-AFTRA për Arritje Jetësore, një nga nderimet më të larta që jep Shoqata e Aktorëve të Ekranit të Amerikës.

    Ylli i filmave të famshëm si “The Godfather”, “Dog Day Afternoon” dhe “Scent of a Woman” do të bëhet aktori i 62-të që merr këtë çmim, në shenjë vlerësimi për karrierën dhe kontributin e tij në artin e aktrimit.

    Pacino pritet ta pranojë çmimin më 28 shkurt, gjatë edicionit të 33-të të Çmimeve të Aktorëve, që do të mbahet në Shrine Auditorium në Los Angeles. Ceremonia do të transmetohet drejtpërdrejt në platformën Netflix.

    Duke komentuar këtë vlerësim, aktori tha se skenari dhe kolegët e tij kanë qenë gjithmonë vendi ku është ndier si në shtëpi, duke e cilësuar rrugëtimin artistik dhe bashkëpunimet me aktorët si ndër gëzimet më të mëdha të jetës së tij.

    Përveç karrierës së tij të gjatë, SAG-AFTRA ka vlerësuar edhe angazhimin humanitar të Pacinos, përfshirë mbështetjen për viktimat e fatkeqësive, luftën kundër urisë dhe varfërisë, si dhe ndihmën për teatro dhe organizata kulturore lokale.

    Gjatë karrierës së tij, Pacino ka marrë nëntë nominime për çmimin Oscar, duke fituar statujën e artë në vitin 1993 për rolin në filmin “Scent of a Woman”. Ai gjithashtu ka fituar çmime Emmy, Golden Globes dhe vlerësime të tjera prestigjioze për kontributin e tij në film dhe televizion.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Legjenda e Hollywoodit Al Pacino shpallet fitues i Çmimit për Arritje Jetësore appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • Dosja e “Sky ECC”: Emri i Vuçiqit përmendet në mesazhet për bosin e drogës

    Dosja e “Sky ECC”: Emri i Vuçiqit përmendet në mesazhet për bosin e drogës

    Transkripte të reja nga aplikacioni i koduar Sky ECC, të publikuara nga revista serbe Radar, thuhet se zbulojnë komunikime për ndërhyrje të mundshme nga nivelet e larta të pushtetit në Serbi në proceset gjyqësore ndaj të dënuarit për trafik droge, Darko Shariq.

    Sipas Radar, në komunikimet e zhvilluara në vitin 2020 përmendet një premtim për ndërhyrje në dënimin e Shariqit përmes faljes presidenciale. Personi që bashkëbiseduesit e quanin “Oskar” dhe “Çvarak” thuhet se kishte premtuar se do të ndërhynte nëse vendimi për dënimin nuk do të ishte sipas pritjeve të tyre.

    “Po qe se më shpëton diçka sa u përket gjyqtarëve dhe dënimit, të jap fjalën se do ta korrigjoj me ndonjë falje, edhe nëse më kushton tre muaj kritika”, citohet të ketë thënë personi në komunikimin e publikuar nga revista.

    Radar raporton se nofka “Oskar” i referohet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa argumenton se identifikimi i personit me nofkën “Çvarak” mbështetet në përmbajtjen e komunikimeve dhe faktin se falja presidenciale është kompetencë e presidentit.

    Sipas revistës, mesazhet e 1 qershorit 2020 janë shkëmbyer mes Shariqit, i cili në atë kohë ndodhej në paraburgim, dhe bashkëpunëtorit të tij Bojan Stanojkoviq. Në to përmenden edhe bisedime për kushtet e pretenduara të dorëzimit të Shariqit në vitin 2014, përfshirë një dënim më të butë, lirimin nga akuzat për pastrim parash dhe kthimin e një pjese të pasurisë së konfiskuar.

    Në komunikimet e publikuara përmenden edhe ish-ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, si dhe ish-zyrtari i Agjencisë për Informacion të Sigurisë (BIA), Marko Parezanoviq.

    Radar raporton gjithashtu se mesazhet përmbajnë pretendime se Shariq kishte financuar Partinë Progresive Serbe (SNS), e cila është në pushtet në Serbi. Në një komunikim të nëntorit 2020 përmendet shuma prej 2.1 milionë eurosh, por revista thekson se ky pretendim nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.

    Shariq u arrestua sërish më 14 prill 2022, pasi autoritetet siguruan komunikime nga Sky ECC përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar. Ai është përballur me procedura të tjera gjyqësore, përfshirë një rast që lidhet me pretendimet për përpjekje për diskreditimin e dëshmitarëve bashkëpunëtorë.

    Revista ngre gjithashtu shqetësime për qasjen e prokurorisë serbe në materialet e Sky ECC. Sipas raportimit, prokuroria për krimin e organizuar ka pretenduar se nuk i janë dorëzuar të gjitha komunikimet që ka kërkuar nga policia.

    Burimi: Dukagjini

  • Ndalimi i shamisë në shkolla shkakton protesta të rralla në Azerbajxhan

    Ndalimi i shamisë në shkolla shkakton protesta të rralla në Azerbajxhan

    Ndalimi i shamisë në shkolla shkakton protesta të rralla në Azerbajxhan

    Të hënën e kaluar, Ministria e Arsimit në Azerbajxhan filloi zbatimin e rregullave të reja për uniformat, duke mos lejuar hyrjen e nxënësve që mbanin shami. Protestat nisën jashtë shkollave shtetërore në kryeqytet, Baku, si dhe në disa rrethe jugore, përfshirë Masallinë dhe Xhalilabadin.

    Sipas BBC, protestat janë të rralla në këtë vend me 10,5 milionë banorë, i cili është prodhues i naftës dhe gazit, transmeton Klankosova.tv.

    Azerbajxhani është shtet laik sipas kushtetutës dhe qeveria e zbaton këtë parim me vendosmëri.

    Presidenti Ilham Aliyev është në pushtet që nga viti 2003 dhe nuk toleron pothuajse aspak mendimet kundërshtuese. Politikanë të opozitës dhe shumë gazetarë të pavarur ndodhen në burg.

    Azerbajxhani gjendet mes dy fqinjëve: Turqisë dhe Iranit. Azerbajxhanasit i përkasin grupit të kombeve turke dhe flasin një gjuhë të afërt me turqishten; Turqia është aleati i tyre më i ngushtë.

    Ministria e Brendshme njoftoi se të hënën janë ndaluar 37 persona, të cilët u përpoqën të pengonin zbatimin e rregullave dhe “të shkelnin rëndë rendin publik”.

    Rregullat, të miratuara më 21 shtator, ndalojnë veshjet që bien ndesh me “parimin e laicitetit në arsim” në shkollat ​​shtetërore. Në to nuk përmendet shprehimisht shamia. Udhëzime të ngjashme u shtrinë edhe për mësuesit më 6 tetor.

    Në një video, nxënësit jashtë shkollës nr. 69 në Balakhani, në periferi të Bakusë, mbajnë një pankartë ku shkruhet: “Shamia nuk e pengon askënd të arsimohet”.

  • Protesta në Shqipëri, Vllahiu: Për më shumë se 10 vjet s’ka opozitë, ka riciklim politikanësh (VIDEO)

    Protesta në Shqipëri, Vllahiu: Për më shumë se 10 vjet s’ka opozitë, ka riciklim politikanësh (VIDEO)

    Protesta në Shqipëri, Vllahiu: Për më shumë se 10 vjet s’ka opozitë, ka riciklim politikanësh (VIDEO)

    Gazetari Arbër Vllahiu, në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ka folur lidhur me gjendjen aktuale në Shqipëri, saktësisht për protestat që po zhvillohen atje.

    Ai tha se në Shqipëri, ka më shumë se dhjetë vjet që nuk ka opozitë.

    “Ajo që ka ndodhë në Shqipëri, le të jem i sinqertë, nuk ka opozitë, nuk ka pasë opozitë për më shumë se 10 vjet. Kemi riciklim të njerëzve prej 35 vjetëve në politikë, përfshirë edhe Edi Ramën, përfshirë posaçërisht Sali Berishën, pra kemi riciklim të grupit të politikanëve të vjetër”, ka thënë Vllahiu.

    Kujtojmë se protesta e studentëve në Tiranë ka nisur me kërkesa për arsim cilësor, u përshkallëzua në thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke përfunduar me përplasje me policinë dhe dëme materiale, kryesisht nëpër rrugët e Tiranës.

    Protestuesit sulmuan me gurë institucione e objekte, dogjën kontejnerë dhe bllokuan rrugë, ndërsa tubime u mbajtën edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, raporton Klan Kosova.

    Pavarësisht protestave dhe akuzave për korrupsion, kryeministri Rama deklaroi se nuk do të japë dorëheqje.

  • Transferohet në Kosovë i dënuari në Kroaci për vepra të rënda penale

    Transferohet në Kosovë i dënuari në Kroaci për vepra të rënda penale

    Transferohet në Kosovë i dënuari në Kroaci për vepra të rënda penale

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, me datën 15.10.2026 ka bërë transferimin e shtetasit kosovar nga Kroacia për në Kosovë.

    Në njoftimin për media të Policisë, thuhet se “i dyshuari në fjalë, sipas Kodit Penal të Kroacisë, ishte i dënuar me burg për kryerjen e veprës penale kundër jetës dhe trupit, tentativë e vrasjes së rëndë, dhe transferimi i tij është bërë me qëllim që pjesën e mbetur të dënimit me burg, ta mbajë në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës”.

    “Transferimi është realizuar bazuar në ligjet në fuqi, në marrëveshjet dypalëshe dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Kroacisë. I dyshuari pas transferimit, i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës për vazhdim me procedurat tjera ligjore”, u tha në njoftimin për media të Policisë së Kosovës.

  • Mirlind Daku shkëlqen në Rusi, shënon dy gola dhe i siguron fitoren Spartakut të Moskës

    Mirlind Daku shkëlqen në Rusi, shënon dy gola dhe i siguron fitoren Spartakut të Moskës

    Mirlind Daku shkëlqen në Rusi, shënon dy gola dhe i siguron fitoren Spartakut të Moskës

    Sulmuesi shqiptar Mirlind Daku ka shkëlqyer me fanellën e Spartakut të Moskës, duke shënuar dy gola në fitoren ndaj Rodinës së Moskës, në kuadër të Kupës së Rusisë.

    Spartaku ishte në disavantazh prej 2-1, por Daku mori përgjegjësinë dhe përmbysi rezultatin, duke i siguruar skuadrës së tij fitoren si mysafire.

    Fillimisht, sulmuesi barazoi shifrat në minutën e 48-të, pas një asistimi nga Denisov, ndërsa në minutën e 64-të realizoi me kokë, duke kompletuar përmbysjen.

    Me këtë fitore, Spartaku i Moskës kryeson grupin e tij në Kupën e Rusisë me 10 pikë.

    Ndërkohë, Daku është vetëm një gol larg Kasadzhikovit, i cili aktualisht mban pozitën e golashënuesit më të mirë të këtij kompeticioni.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Mirlind Daku shkëlqen në Rusi, shënon dy gola dhe i siguron fitoren Spartakut të Moskës appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • Kos kundërshton ndryshimet në Ligjin për Specialen: Hap serioz prapa në rrugën drejt BE-së

    Kos kundërshton ndryshimet në Ligjin për Specialen: Hap serioz prapa në rrugën drejt BE-së

    Kos kundërshton ndryshimet në Ligjin për Specialen: Hap serioz prapa në rrugën drejt BE-së

    Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka kundërshtuar ndryshimet e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe duke paralajmëruar se miratimi e zbatimi i tyre do të përbënin hap serioz prapa në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

    Përmes një postimi në platformën X, Kos ka bërë të ditur se ka diskutuar me kryenegociatorin e Kosovës, Jeton Zulfaj, për procesin e integrimit evropian të vendit.

    Ajo ka vlerësuar se, pavarësisht paqëndrueshmërisë institucionale gjatë dy viteve të fundit, Kosova ka shënuar përparim në reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe në Planin e Rritjes, si dhe drejt përfshirjes në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).

    Megjithatë, komisionerja evropiane ka theksuar se ndryshimet e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara bien ndesh me zotimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

    “Ndryshimet e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme. Miratimi dhe zbatimi i tyre do të binin ndesh me zotimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian. Ato do të përbënin një hap serioz prapa në rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka shkruar Kos.

    Ajo ka theksuar se respektimi i sundimit të ligjit dhe garantimi i pavarësisë së institucioneve gjyqësore janë thelbësore për avancimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.

    Sipas saj, këto parime janë të domosdoshme për përgatitjen e hapave të ardhshëm të Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Kos kundërshton ndryshimet në Ligjin për Specialen: Hap serioz prapa në rrugën drejt BE-së appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali