Vinícius Junior pritet të mungojë në katër ndeshjet e ardhshme të Real Madridit në La Liga, raporton klubi spanjoll.
Sulmuesi brazilian nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjet ndaj Sevillas në shtëpi, Barcelonës në udhëtim, Racing Club në udhëtim dhe Valencias po ashtu në shtëpinë e këtyre të fundit.
Mungesa e tij në El Clasico ndaj Barcelonës është goditje e madhe për Real Madridin, që mund të duhet të përballet me rivalin e përjetshëm pa një nga lojtarët kryesorë të repartit ofensiv.
Pezullimi vjen pas përjashtimit të tij në ndeshjen ndaj Villarrealit, ku braziliani u ndëshkua me karton të kuq pas një veprimi ndaj Nathan Saliba dhe më pas protestoi ndaj gjyqtarit.
Dënimi përbëhet nga dy ndeshje për veprimin ndaj kundërshtarit dhe dy të tjera për protestat.
Vinícius do të mund të luajë në ndeshjet e Ligës së Kampionëve gjatë kësaj periudhe, pasi pezullimi vlen vetëm për La Ligën.
Më 14 tetor 2014, ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd u ndërpre pas shfaqjes së një droni me flamurin shqiptar dhe mbishkrimin “Autochthonous”, duke shkaktuar përplasje fizike në fushë dhe ndërhyrjen e tifozëve serbë.
Takimi, i vlefshëm për kualifikimet e Kampionatit Evropian “Francë 2016”, u zhvillua në një atmosferë të tensionuar që para fillimit. Tifozëve shqiptarë u ishte ndaluar pjesëmarrja në stadium, ndërsa gjatë intonimit të himnit kombëtar shqiptar pati fishkëllima dhe thirrje nga tribunat.
Në minutën e 42-të, mbi fushën e stadiumit në Beograd u shfaq një dron që mbante një flamur me hartën e viseve etnike shqiptare, portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, si dhe mbishkrimin “Autochthonous”, autorësinë për lëshimin e të cilit e mori Ballist Morina transmeton Klankosova.tv
Ngjarja shkaktoi reagime të menjëhershme në fushë. Një futbollist serb kapi flamurin, ndërsa lojtarët shqiptarë ndërhynë për ta marrë atë. Situata u përshkallëzua shpejt në përplasje fizike mes futbollistëve, ndërsa tifozë serbë hynë në fushë dhe iu drejtuan lojtarëve të Shqipërisë.
Përballë situatës së krijuar, futbollistët shqiptarë u larguan drejt dhomave të zhveshjes. Sipas raportimeve të asaj kohe, pati edhe përplasje me pjesëtarë të sigurimit, ndërsa kushtet nuk lejuan vazhdimin e ndeshjes.
Takimi u ndërpre zyrtarisht dhe rasti kaloi në organet disiplinore të UEFA-s. Pas një procesi të gjatë, Shqipëria fitoi në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), e cila vendosi t’i jepte fitoren 3:0 në tavolinë, pasi Serbia u konsiderua përgjegjëse për incidentet. Ky rezultat pati rëndësi në rrugëtimin e Kombëtares shqiptare drejt kualifikimit historik në Kampionatin Evropian të vitit 2016 në Francë, transmeton Klankosova.tv.
Dymbëdhjetë vjet më vonë, ndeshja Serbi–Shqipëri mbetet një nga episodet më të përfolura të futbollit shqiptar, jo vetëm për ndërprerjen e saj, por edhe për tensionet që shoqëruan një përballje të ngarkuar politikisht dhe simbolikisht.
Derën e shtëpisë e mbyll qëkur terri nis të vijë, e nuk ka askënd që t’ia sjellë as një pikë ujë.
Hasime Latifaj, 75-vjeçare nga Vitomerica në Pejë, që nga viti 2022 kur i vdiq i shoqi po jeton e vetme brenda katër mureve.
Sipas saj, i shoqi nuk i vdiq pasi që ra nga pema, por atë ia vranë – andaj që atëherë ajo qëndron e frikësuar në shtëpi.
Në këto rrethana, 75-vjeçarja dëshiron që të e shesë tokën e trashëguar nga i shoqi dhe të largohet nga aty që të jetojë më e qetë.
Sipas saj, shpërngulja në qytet do ia lehtësonte jetesën si e vetme që e bën, pasi që gjërat elementare do i kishte më afër.
Ajo përmend rastin kur kishte qenë sëmurë dhe kishte qëndruar tri ditë pa ngrënë ngase nuk mund të shkonte në qytet që të blinte bukë.
Mirëpo vëllezërit e burrit të saj, sipas saj, nuk po e lejojnë që të marrë pjesën e trashëgimisë së burrit të saj ngase ajo nuk ka fëmijë.
Hasimja e gjeti veten pa rrugëdalje andaj, siç thotë për KIKS-in, u detyrua të ngre padi ndaj kunetërve të saj për të marrë pjesën që i takon.
Ndarjen e pasurisë që e trashëguan nga babai e kishte kërkuar edhe i shoqi i saj nga vëllezërit sa ishte gjallë.
Dëshira e tij, sipas Hasimes, ishte që vitet e pleqërisë t’i kalonin në qytet që ta bënin jetën më të lehtë, ngase nuk kishte kush të kujdesej për ta.
Hasimja thotë se fakti që nuk po mund të marrë trashëgiminë e të shoqit është shumë e padrejtë, ngase sipas saj, ajo tokë ishte blerë me paratë që i shoqi i kishte marrë si dëmshpërblim kur ishte aksidentuar në Gjermani.
Lidhur me këto pretendime, Kiks Kosova kontaktoi me kunetërit e Hasimes.
Kiks-i bisedoi në telefon me Bajram Latifajn, kunatin që jeton në Kosovë.
Ai tha se është dakord që Hasimja të marrë tokën e saj, mirëpo vëllezërit e tij që jetojnë jashtë Kosovës nuk po pranojnë.
Nëpërmjet telefonit, KIKS Kosova ra në kontakt edhe me Zeqir Latifajn, njëri nga kunetërit që jeton në Austri.
Ai akuzoi vëllain Bajramin se nuk po bën ndarjen e tokës si duhet mes vëllezërve sepse përndryshe ai është i pajtimit që Hasimja të marrë pjesën që i takon.
Hapësirën për të dhënë versionin e tij të krejt kësaj ngjarjeje, KIKS Kosova ia dha edhe vëllait të vogël, Nexhat Latifaj, i cili gjithashtu jeton në Austri.
I njëjti nuk ka hapur telefonin dhe nuk është përgjigjur lidhur me temën as në mesazhe.
Në vijim, ndiqni kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë rast:
Tash e rreth nëntë orë është duke vazhduar protesta në Tiranë, e cila është përshkallëzuar me përplasje të ashpra me policinë, si dhe me sulmet që janë kryer ndaj shumë institucioneve dhe bizneseve në kryeqendrën shqiptare.
Protestuesit janë zhvendosur nga njëra pikë e kryeqytetit në tjetrën, duke sulmuar godina institucionesh, biznese dhe banka, ndërsa policia ndërhyri në disa momente me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për t’i zmbrapsur.
Dhuna ka nisur te Ministria e Arsimit, ku godina është sulmuar sërish me gurë dhe flakë.
Të rinj me fytyra të mbuluara kanë shkuluar kangjellat e trotuareve, duke i grumbulluar përpara godinës dhe duke goditur institucionin me gurë.
Përplasjet kanë vazhduar në “Rrugën e Durrësit”, me ç’rast protestuesit kanë sulmuar dhe dëmtuar disa biznese private, ndërsa një bankë private e nivelit të dytë është djegur.
Më pas, protest aka vazhduar sheshit “Skënderbej”, ku protestuesit ua kanë vënë flakën stolave dhe kazanëve të mbeturinave.
Një tjetër vatër e skenave të dhunshme është parë edhe te Ministria e Ekonomisë, me ç’rast protestuesit kanë hyrë në katin e parë të godinës, duke dëmtuar dyert, thyer xhamat dhe duke nxjerrë orenditë jashtë ambienteve.
Gjithashtu, pamje të njëjta janë parë edhe në Ministrinë e Brendshme, objektit të së cilës i janë thyer xhamat.
Më pas, protestuesit janë ndarë në dy grupime, njëri në sheshin “Skënderbej” dhe tjetri pranë Ministrisë së Ekonomisë, për t’u zhvendosur më tej drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke sulmuar edhe disa ndërtesa dhe objekte.
Dëmtime ka pasur edhe edhe te Piramida e Tiranës, ku janë thyer xhama dhe janë shkatërruar e djegur pjesë të ambienteve. Edhe në këtë zonë është sulmuar një tjetër bankë private e nivelit të dytë.
Protestuesit kanë vijuar më pas drejt objektit të Kryeministrisë, ku janë djegur pemët në hyrjen anësore të godinës.
Më pas, protestuesit janë zhvendosur edhe te ndërtesa e Kryesisë së Kuvendit, duke tentuar të futeshin brenda.
Protestuesit kanë vijuar veprimet e tyre edhe duke djegur bizneset që ndodhen në katin e parë të dy godinave të njohura si “Kullat Binjake”.
Në shumë prej ambienteve ku është zhvilluar protesta, policia ka ndërhyrë duke përdorur autobotë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të zmbrapsur dhe shpërndarë protestuesit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, shtatë persona janë lënduar, derisa në urgjencë kanë arritur edhe tre efektivë policie.
E dërguara e posaçme e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë së cilës ka përcjellë urimet e Qeverisë britanike për zgjedhjen e presidentes dhe funksionalizimin e plotë të institucioneve të vendit.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Pierce përcolli urimet e Qeverisë britanike dhe të kryeministrit Andy Burnham, duke shprehur njëkohësisht përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, përparimin demokratik dhe proceset e saj politike e zhvillimore.
Në anën tjetër, Kurti e falënderoi të dërguarën e posaçme për urimet dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me Qeverinë britanike.
Sipas njoftimit, ky bashkëpunim synon edhe krijimin e partneriteteve të reja strategjike mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, Pierce përcolli urimet e Qeverisë britanike dhe të kryeministrit Andy Burnham për zgjedhjen e presidentes dhe funksionalizimin e plotë të institucioneve të Kosovës.
Ajo shprehu, siç thuhet në njoftim, “përkrahjen e plotë dhe të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, përparimin demokratik dhe proceset e saj politike e zhvillimore”.
Ndërkaq, Kurti e falënderoi Pierce për urimet dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me Qeverinë britanike drejt partneriteteve të reja strategjike.
Elita Hajrizi, mentore e ekipit First Kosova, është përzgjedhur ndër 10 mentorët më të mirë në botë në garën e mbajtur në Incheon të Koresë së Jugut, duke vënë në pah rëndësinë e mentorimit dhe përkushtimit në zhvillimin e talenteve të reja.
Ky vlerësim vjen pas një procesi përzgjedhës, në të cilin mentorët pjesëmarrës në garë u ftuan për intervista, ndërsa një juri përzgjodhi dhjetë mentorët që u dalluan për kontributin e tyre. Përzgjedhja e Elita Hajrizit në mesin e tyre përbën një mirënjohje për angazhimin e saj në mbështetjen dhe zhvillimin e të rinjve në fushën e shkencës, teknologjisë dhe robotikës.
Roli i mentorëve në FIRST Global Challenge shkon përtej përgatitjes teknike. Ata i udhëheqin të rinjtë në procesin e të nxënit, i mbështesin në zgjidhjen e problemeve dhe i motivojnë të punojnë si ekip, duke zhvilluar aftësi që u shërbejnë edhe përtej garës.
Përzgjedhja e Elita Hajrizit ndër dhjetë mentorët më të mirë vjen në një edicion ku ekipi First Kosova arriti një tjetër sukses të rëndësishëm, duke u renditur në vendin e katërt në botë bashkë me grupin me Greqinë, Poloninë dhe Meksikën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar të mërkurën një bisedë telefonike me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce.
Sipas njoftimit të Qeverisë, Pierce i përcolli Kurtit urimet e Qeverisë britanike dhe të kryeministrit Andy Burnham për zgjedhjen e Presidentes dhe funksionalizimin e plotë të institucioneve të Kosovës.
Ajo shprehu gjithashtu përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, përparimin demokratik dhe proceset politike e zhvillimore të vendit.
Në anën tjetër, Kurti e falënderoi Pierce për urimet dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me Qeverinë britanike, me synimin e krijimit të partneriteteve të reja strategjike.
Rinovimi i banesës nuk ka të bëjë vetëm me pamjen e saj. Një shtëpi e përmirësuar duhet të ofrojë më shumë rehati, të ndihmojë në uljen e konsumit të energjisë dhe të jetë më e lehtë për t’u mirëmbajtur në planin afatgjatë. Pranvera është një periudhë e përshtatshme për të nisur punimet, ndërsa planifikimi paraprak, zgjedhja e kujdesshme e produkteve dhe mënyrat fleksibël të pagesës mund të bëjnë diferencën në buxhetin dhe kohën që do të shpenzosh.
Pothuajse të gjithë kemi imagjinuar të paktën një herë se si do të dukej shtëpia ideale.
Megjithatë, nga ideja deri te realizimi shpesh ka një rrugë të gjatë. Presim të krijojmë kursimet e nevojshme, të gjejmë kushtet e përshtatshme ose momentin e duhur për të nisur ndryshimet.
Por jo gjithmonë është e nevojshme të presim pafundësisht. Me një vendimmarrje të menduar mirë, mund të fillojmë ta përshtatim shtëpinë me nevojat dhe dëshirat tona, duke krijuar një ambient më të përshtatshëm për jetën e përditshme dhe për familjen. Edhe pse rinovimi kërkon shpesh një investim të konsiderueshëm, përfitimet mund të ndihen çdo ditë dhe të reflektohen edhe në vlerën e pronës.
Për më tepër, një rinovim i suksesshëm nuk vlerësohet vetëm nga ndryshimi vizual. Organizimi funksional i hapësirave, izolimi termik, siguria, ndriçimi dhe efikasiteti energjetik janë elemente po aq të rëndësishme. Zgjedhjet e duhura në këto drejtime mund të përmirësojnë ndjeshëm komoditetin dhe të ndihmojnë në reduktimin e shpenzimeve mujore.
Gjithçka nis me një plan të qartë
Një nga hapat më të rëndësishëm përpara se të nisësh punimet është të përcaktosh se çfarë ka nevojë realisht për ndërhyrje. Një planifikim i mirë të ndihmon të organizosh procesin, të shmangësh shpenzimet e panevojshme dhe të përdorësh me kujdes buxhetin në dispozicion.
Fillimisht, identifiko hapësirat që kërkojnë rinovim dhe ndaj ndërhyrjet sipas rëndësisë. Riparimet që nuk mund të presin duhet të kenë përparësi, ndërsa përmirësimet që synojnë rritjen e komoditetit apo të vlerës së pronës mund të planifikohen sipas mundësive financiare.
Mos harro të llogaritësh edhe shpenzimet për materialet, punën e specialistëve, pajisjet dhe mobiliet. Është gjithashtu e këshillueshme të mbash mënjanë një shumë rezervë për kostot e papritura, të cilat mund të dalin gjatë punimeve.
Cilësia është një investim për të ardhmen
Kursimi është i rëndësishëm, por nuk duhet të vijë në kurriz të cilësisë. Në fund të fundit, shtëpia është vendi ku kalojmë një pjesë të madhe të jetës, ndaj çdo zgjedhje duhet të bëhet duke menduar edhe për përdorimin e saj në vitet që vijnë.
Kushtoji vëmendje përzgjedhjes së profesionistëve, materialeve të ndërtimit, mjeteve të punës, mobilieve dhe pajisjeve elektroshtëpiake. Një produkt me çmim të ulët mund të duket ekonomik në fillim, por nëse kërkon riparime të shpeshta ose zëvendësim të parakohshëm, kostoja përfundimtare mund të jetë më e lartë.
Për këtë arsye, ia vlen të krahasosh ofertat, të kontrollosh cilësinë dhe të mendosh për jetëgjatësinë e produkteve përpara se të marrësh një vendim. Promocionet sezonale për mobilie dhe pajisje elektroshtëpiake mund të ofrojnë mundësi të mira kursimi. Edhe zgjedhja e periudhave kur specialistët kanë më shumë kohë në dispozicion mund të ndihmojë në organizimin më të mirë të punimeve.
Menaxho buxhetin me zgjuarsi dhe zgjidhje fleksibël
Përveç planifikimit të punimeve, një tjetër element vendimtar është mënyra se si menaxhon paratë. Nuk është gjithmonë e nevojshme të presësh derisa të kesh kursyer të gjithë shumën për të realizuar çdo ndryshim që dëshiron në shtëpi. Nga ana tjetër, shpenzimi i të gjithë buxhetit menjëherë mund të rëndojë financat personale.
Një alternativë është të shqyrtosh mundësitë e pagesës me këste, duke vlerësuar me kujdes kushtet dhe aftësinë tënde për të përballuar detyrimet mujore. Kështu, mund të organizosh blerjet pa pasur nevojë të paguash të gjithë shumën në një moment të vetëm.
Në fund, rinovimi i shtëpisë nuk duhet të jetë një proces që të vë nën presion financiar. Me një plan realist, zgjedhje cilësore dhe menaxhim të kujdesshëm të shpenzimeve, mund ta kthesh shtëpinë në një ambient më të rehatshëm dhe funksional, pa e humbur kontrollin mbi financat personale.
Ndryshimi i orarit të deponisë së Mirashit po ndikon edhe në intererarin e kompanisë për mbledhjen e mbeturinave “Pastrimi” gjatë natës.
Kësisoj, sipas tyre kjo është arsyeja që rrugët e Prishtinës janë përplot mbeturina.
E, qytetarët kanë qëndrime të ndryshme për këtë situatë që po përballën.
“Po këtu po vijnë prej lagjeve tjera e po i hedhin këtu se kqyre qysh është mbush para dy dite i kanë largu”.
“Kjo është krejt politike, se partitë janë të ndryshme tani për inate politike bllokojnë njëri-tjetrin”.
Që inatet politike po tentojnë të sabotojnë Prishtinën po e mendojnë edhe niveli komunal.
“Hekuran Murati qëllimisht nuk e nënshkruan kredinë prej 74 milionë eurosh, që mundëson blerjen e 100 kamionëve të rinj dhe 10 mijë kontejnerëve, që mundëson krijimin e qendrave për riciklimin e mbeturinave dhe rritjen e kapaciteteve të mirëfillta për menaxhimin e mbeturinave. Pra, tash e dy vite, Prishtina bëhet peng për shkak të inateve të një partie politike”, ka thënë Besianë Musmurati, nënkryetare e Prishtinës.
Nënkryetarja e Prishtinës ka paralajmëruar se do të padisin kryeshefin e Kompanisë për Menaxhimin e Mbeturinave, Dardan Velija.
Në një përgjigje për televizionin, Kompania për Menaxhimin e Mbeturinave tha se e ka ndryshuar orarin sepse numri i atyre të kompanisë “Pastrimi” gjatë natës ka qenë tejet i vogël dhe ka pasur kosto shtesë të operimit 24 orë në ditë.
“Nga analiza e të dhënave dhe vlerësimi i situatës në terren është konstatuar se gjatë ndërrimit të natës, veçanërisht në Deponinë Sanitare Mirash, numri i kamionëve që shkarkojnë mbeturina nga KRM “Pastrimi” është relativisht i vogël krahasuar me aktivitetin gjatë ditës. Si rrjedhojë, operimi gjatë natës shkakton kosto shtesë, ndërkohë që kapacitetet teknike dhe njerëzore nuk shfrytëzohen në masën e duhur”, thuhet nga kompania./TVDUKAGJINI