Category: Lajme

  • Aktivistja konservatore shqiptaro-amerikane, Kokalari akuzon konsulentët amerikanë për avancimin e agjendës ruse në Ballkan

    Aktivistja konservatore shqiptaro-amerikane, Kokalari akuzon konsulentët amerikanë për avancimin e agjendës ruse në Ballkan

    Aktivistja konservatore shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka ngritur akuza ndaj disa konsulentëve politikë amerikanë, duke thënë se angazhimi i tyre në Ballkan po ndihmon figura politike të lidhura me Moskën dhe po kontribuon në destabilizimin e rajonit.

    Në një postim në rrjetin social X, ajo përmendi Chris LaCivita, James Blair, Katie Wiles dhe Paul Manafort, duke e cilësuar veprimtarinë e tyre si pjesë të një operacioni që avancon interesat ruse në Ballkan.

    Kokalari kundërshtoi deklaratën që një person nga ekipi i LaCivita ia kishte dhënë gazetares Kellie Meyer, se Republika Srpska në Bosnje e Hercegovinë është kundër politikës së jashtme tradicionale amerikane, por mbështet konservatorët dhe rrymën “America First”.
    Sipas Kokalarit, ky përshkrim është i pavërtetë. Ajo pretendoi se lidhjet e këtyre figurave me rrjetin ndërkombëtar socialist dhe komunist SOVINTERN, të cilin e përshkroi si të themeluar në Moskë në prill të vitit 2026, bien ndesh me vlerat e konservatorëve amerikanë.

    Në këtë kontekst, ajo ka përmendur Aleksandër Vulinin dhe Lëvizjen Socialiste të Serbisë, duke thënë se partia është anëtare themeluese e këtij rrjeti.

    “Republikanët dhe konservatorët nuk kanë asgjë të përbashkët me socialistët dhe komunistët”, ka shkruar Kokalari.

    Ajo gjithashtu ka ngritur shqetësime për deklaratat e Millorad Dodikut lidhur me rishikimin e Marrëveshjes së Dejtonit, duke i lidhur ato me rrezikun për paqen dhe stabilitetin në rajon.

    Një pjesë të postimit të saj në X, Kokalari ia ka kushtuar edhe Sali Berishës. Ajo pretendoi se, me ndihmën e kompanisë Continental, ku sipas saj punon Katie Wiles, Berisha kishte siguruar një përjashtim nga kërkesa për vizë dhe kishte marrë pjesë, bashkë me dhjetë anëtarë të Partisë Demokratike të Shqipërisë(PD), në një konventë të Komitetit Kombëtar Republikan në Teksas.

    Sipas saj, fotografitë me përfaqësues republikanë gjatë këtij aktiviteti, në Shqipëri ishin paraqitur si dëshmi e mbështetjes nga republikanët dhe administrata amerikane. Andaj, Kokalari këtë e ka cilësuar si një konflikt të mundshëm interesi për LaCivita, duke pretenduar se ai kishte përfshirë klientë të huaj në një aktivitet ku ishte angazhuar si konsulent.

    Kokolari ka kërkuar mundësinë që pretendimet e saj t’ia paraqesë drejtpërdrejt presidentit Donald Trump, në praninë e LaCivita.

    Ajo po ashtu ka theksuar se shqetësimi i saj lidhet me korrupsionin, destabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe të drejtat e qytetarëve në Shqipëri, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

    Burimi: Dukagjini

  • Aksion te Ministria e Arsimit, disa të arrestuar

    Aksion te Ministria e Arsimit, disa të arrestuar

    Aksion te Ministria e Arsimit, disa të arrestuar

    Disa zyrtarë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës kanë përfunduar sot në prangat e Policisë.

    Burimet e gazetarës së Klan Kosovës Altiana Zogaj, bëjnë të ditur se në mesin e të arrestuarve është ish-sekretarja Fadile Dyla si dhe zyrtarët Fehmi Zylfiu dhe Xhemajl Buzuku.

    Po ashtu të arrestuar janë edhe një numër zyrtarësh të tjerë Bukurie Borovci dhe Arbenita Mehmeti, siç bën të ditur gazetarja.

    Ata dyshohen përkeqpërdorim të detyrës.

    Ndërkohë Klankosova.tv ka pyetur në Polici dhe Prokurori për detaje, por deri në këto momente nuk ka pranuar ndonjë deklarim zyrtar lidhur me rastin.

    Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

  • “Objekt epshi”: Si u bë perëndesha e lashtë greke Afërdita simbol kontrovers i dashurisë dhe seksit

    “Objekt epshi”: Si u bë perëndesha e lashtë greke Afërdita simbol kontrovers i dashurisë dhe seksit

    Veprat e artit që paraqesin Afërditën, perëndeshën e lashtë greke të dashurisë dhe bukurisë, prej kohësh janë cilësuar si të pahijshme dhe si vepra që e trajtojnë trupin e femrës si objekt. Si u bë ajo një nga figurat më kontroverse në historinë e artit?

    Nga: Matthew Wilson / BBC
    Përkthimi: Telegrafi.com

    Lakuriqësia e Afërditës (ose Venerës, siç njihej nga romakët e lashtë) ka qenë për shekuj të tërë temë debati.

    Në vitin 1880, shkrimtari i tronditur Mark Twain e quajti Venerën e Urbinos (1534) të Titianit “pikturën më të ndyrë, më të poshtër dhe më të pahijshme që ekziston në botë”. Në vitin 1914, sufraxhistja [aktivistja për të drejtën e votës për gra] Mary Richardson e goditi të paktën tri herë me thikë mishi Venerën e Rokebit (rreth viteve 1647-51) të Diego Velázquezit, mu në mes të Galerisë Kombëtare të Londrës. “Nuk më pëlqente mënyra se si vizitorët burra ia ngulnin sytë gjithë ditën”, ishte një nga shpjegimet e saj të mëvonshme.

    Afërdita: Krijimi i një perëndeshe [Aphrodite: The Making of a Goddess], një ekspozitë e re në Muzeun Eshmolian [Ashmolean Museum] të Oksfordit, shqyrton historinë e perëndeshës. Ajo ndihmon për të shpjeguar se si Afërdita evoluoi në një pikë ndezëse të një kontroverse kaq të fortë kulturore.

    Lexo po ashtu:
    – Mesazhet e fshehura në nudot femërore të shekullit XVI
    – Erotika dhe artistët e Rilindjes
    – E vërteta mbi dashurinë
    – Zhdukja e erotizmit
    – Nudo që ndryshoi rregullat e artit
    – Të shtrirë për art!
    – Pse gratë në Spartë duhej të mësonin të zhveshura (ndërsa burrat shikonin)
    – A janë të gjitha pikturat politike?
    – Historia e artit, përmes shtatë ngjyrave

    Janë dy versione të historisë së origjinës së saj: një mitologjik dhe një historikisht i saktë, dhe asnjëri prej tyre nuk e veçon veçanërisht si një figurë që do të shkaktonte telashe në të ardhmen. Në mit, rrëfimi fillon me Kronin që tredh të atin, Uranin, dhe ia hedh organet gjenitale në det; shkuma nisi të bulëzonte në sipërfaqe dhe prej saj doli Afërdita e formuar plotësisht. Ajo rrëshqiti mbi valë drejt ishullit të Qipros, ku hapat e saj bënë që lulet të çelnin në mënyrë të mrekullueshme nga toka.

    “Venera e Urbinos” e TitianitGaleria Ufici, Firence

    Edhe versioni historik i lindjes së Afërditës nis në Qipro, ku ajo u shfaq si hyjni rreth vitit 1200 para erës sonë. Ajo ishte një shtesë e re dhe e veçantë në panteon, por kishte tipare të cilat, me sa duket, kishin evoluar prej perëndeshave më të lashta të Lindjes së Mesme, si Ishtar, Astarta dhe Hathor. Për këto perëndesha arkaike, “seksualiteti, dashuria dhe pjelloria ishin karakteristikat e tyre kryesore”, i thotë BBC-së Anja Ulbrich, kuratorja e ekspozitës së Eshmolianit, “por të gjitha kishin më shumë se një funksion”.

    E njëjta gjë vlente edhe për Afërditën e cila në vitet e saj të hershme nuk ishte vetëm perëndeshë e dashurisë romantike, por e gjithë dashurisë fizike dhe e riprodhimit – si në botën e kafshëve dhe të bimëve, ashtu edhe në sferën njerëzore. Dhe, personaliteti i saj kishte edhe anë të tjera, ndoshta më pak të njohura. Ajo luftoi në Luftën e Trojës – dhe, ky aspekt luftarak i personalitetit të saj bëri që të adhurohej nga marina e Greqisë së Lashtë.

    “Venera e Rokebit” e Diego Velázquezit (rreth viteve 1647-51)Galeria Kombëtare, Londër

    Afërdita madje mund të pretendojë se është themeluesja e qytetërimit romak. Një rrëfim mitologjik përshkruan lidhjen e saj me princin trojan Ankizin; djali i tyre Eneu iku në Itali pas rënies së Trojës dhe thuhej se pasardhësit e tij kishin themeluar qytetin e Romës.

    Pas shfaqjes së saj fillestare në Qipro, në shekullin XIII para erës sonë, Afërdita u bë shumë e njohur mes njerëzve dhe adhurimi i saj u përhap në të gjithë Greqinë e Lashtë. Përse ishte kaq tërheqëse? “Pjelloria, dashuria, riprodhimi janë tema që i përkasin mbarë njerëzimit, pavarësisht kulturës”, thotë Ulbrich. “Një nga emrat e saj është Pandemos: perëndesha e të gjithë njerëzve. Nuk janë vetëm luftëtarët apo gratë: dashuria prek këdo dhe gjithçka. Ajo përshkon jetën”.

    Një lloj i ri lakuriqësie

    Deri këtu, asgjë kontroverse. Për disa qindra vjet, artistët nuk e paraqitën Afërditën disi ndryshe nga perëndeshat e tjera gra të Olimpit. Dhe, në vitet e saj të hershme, zakonisht nuk e paraqitnin të zhveshur dhe sigurisht kurrë në pozat më provokuese me të cilat e lidhim sot. Por, më pas, në vitin 350 para erës sonë, u shfaq një vepër arti që ndryshoi gjithçka.

    Afërdita e Knidit (rreth vitit 350 p.e.s.) e Praksitelit ishte vepra e parë artistike në Greqinë e Lashtë që paraqiste një grua krejtësisht të zhveshur. Skulptura origjinale ka humbur, por mund të krijojmë një ide të mirë se si dukej nga kopjet e mëvonshme romake, si Venera e Kapitolit (rreth vitit 160 p.e.s.).

    Para Praksitelit, vetëm figurat mashkullore paraqiteshin të zhveshura. “Vlerësimi i bukurisë fizike mashkullore, përmes lakuriqësisë, ishte krejtësisht normal që nga shekulli VII ose VI para erës sonë e më tej”, thotë Ulbrich. Kështu, Praksiteli zgjodhi të bënte të njëjtën gjë për bukurinë fizike femërore.

    Ka humbur “Afërdita e Knidit” e Praksitelit, por kopjet e mëvonshme romake, si “Venera e Kapitolit”, janë të ngjashmeMuzeu Eshmolian

    Lakuriqësia e Afërditës ishte ndryshe. Nëse shikoni me kujdes, mund të dalloni se sa ndryshe paraqitet lakuriqësia në skulpturat greke të meshkujve: gjithçka qëndron te gjuha e trupit. Afërdita e Praksitelit paraqitet e zënë në befasi teksa lahet. Ajo duket e ndrojtur dhe e cenueshme, duke mbuluar veten nga turpi ose sikleti, ndërsa trupi i zhveshur mashkullor në artin grek ishte paraqitur gjithmonë si i sigurt në vetvete dhe heroik. Ulbrich shpjegon: “Kjo bazohet kryesisht në mënyrën se si ajo paraqitet në mite, ku lahet vazhdimisht dhe kujdeset për bukurinë e saj fizike”.

    Por, në veprën e Praksitelit, duart e Afërditës janë vendosur paksa larg trupit, duke bërë të mundur që shikuesi ta shohë trupin e saj të zbuluar nëse e vështron nga kënde të ndryshme. Është një vepër arti që fton ndërveprimin dhe e shpërblen shikuesin për kureshtjen e tij sensuale. Këto teknika novatore artistike do të shkaktonin debate të zjarrta në shekujt që do të vinin dhe u krijua një emër për pozën e skulpturës së Praksitelit: Venera pudike (“modeste” ose “e turpshme”).

    Afërdita e Knidit ishte “revolucionare”, thotë Ulbrich. Para Praksitelit, Afërdita mund të dallohej në skulptura nga një sërë veshjesh, stolish dhe tiparesh të tjera. Më pas, thotë ajo, “lakuriqësia, në thelb, merr epërsinë”.

    Ia vlen të pranohet se trupi i zhveshur është krejtësisht natyror dhe nuk është në vetvete kontrovers. Ajo që do ta bënte Afërditën kaq provokuese, në vitet e mëvonshme, nuk ishte fakti se ishte e zhveshur, por mënyra se si trupi i saj pozohej për kënaqësinë e shikuesit. Kjo e shndërroi atë në një objekt epshi.

    Skulptura origjinale e Praksitelit ishte aq frymëzuese saqë më vonë u kopjua mijëra herë prej skulptorëve romakë, dhe Venera e Kapitolit është vetëm një shembull i famshëm i këtyre kopjeve. Venera pudike kishte çliruar një mënyrë të re të të parit të trupit të grave në art, dhe ajo u përhap në të gjitha territoret e sunduara nga Perandoria Romake – përfshirë Evropën, Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.

    Afërdita rilindi në vepra të tjera arti si “Lindja e Venerës” e Botticellit dhe versioni i shekullit XX i Yves KleinitMuzeu Eshmolian

    Rilindja erotike e Afërditës

    Por, ndikimi nuk u kufizua vetëm në botën e lashtë. Gjatë Rilindjes, artistët filluan të kërkonin dhe të kopjonin skulpturat klasike me më shumë vendosmëri sesa kishin bërë për një mijëvjeçar. Dhe, një nga tipat më të admiruar ishte Venera pudike. Kështu, Afërdita, në personazhin e saj të zhveshur, joshës dhe të përulur, siç e kishte konceptuar Praksiteli, rilindi në veprat e Masaccios, Botticellit, Raphaelit dhe Titianit – artistë të cilët më vonë do të bëheshin “emrat e mëdhenj” të historisë së artit. Disa artistë e përdorën këtë pozë për të paraqitur Afërditën, por shumë të tjerë e përdorën për lloje të tjera figurash femërore. Ajo frymëzoi gjithashtu artistë të tjerë që të krijonin poza të reja të mbështetura në të njëjtën premisë themelore të lakuriqësisë së ndrojtur.

    Dhe, kështu, përmes ripunimit të përsëritur të Venerës pudike nga artistët, forma e objektifikuar femërore u bë tipar i pashlyeshëm i kanunit të historisë së artit. Rubensi dhe Velázquezi e rimishëruan atë në periudhën baroke. Ajo u ringjall nga Cabaneli dhe Maneti në shekullin XIX, si dhe nga Modigliani dhe Yves Kleini në shekullin XX. Zemërimi i Mark Twainit dhe Mary Richardsonit janë reagime ndaj kësaj historie të erotizimit të Afërditës.

    Anja Ulbrich i thotë BBC-së se perëndesha është paraqitur në shumë mënyra të ndryshme dhe se skulptura e Praksitelit nuk duhet patjetër të jetë përfytyrimi ynë përcaktues për të. Një nga objektet e ekspozuara në Eshmolian ishte bërë në Northamberland dhe e paraqet Afërditën duke u larë. Në një largësi kaq të madhe nga Mesdheu, thotë Ulbrich duke buzëqeshur, “ajo duket goxha e bezdisur nga të ftohtit”.

    Alexandre Cabanel, “Lindja e Venerës”Muzeu Orse, Paris

    Në kohët më të fundit, dhe jashtë ndikimit të Praksitelit, Afërdita shpesh paraqitet ndryshe, ndonjëherë edhe si një ikonë e fuqizimit. Në vitin 2023, Beyoncé hapi një koncert duke dalë në skenë në një guaskë gjigante molusku, e veshur me një fustan të zbukuruar me duar të tipit Venera Pudike. Björk, Lady Gaga, Kylie Minogue dhe [grupi] Bananarama kanë shkruar të gjitha këngë për perëndeshën.

    Si simbol i bukurisë dhe dëshirueshmërisë së skajshme, Afërdita është përshtatur dhe riformësuar për të pasqyruar nevojat e publikut të saj për tre mijë vjet e më shumë, një jetëgjatësi e jashtëzakonshme për një hyjni të lashtë greke. Një ide tjetër mahnitëse është se një skulpturë e vetme – Afërdita e Knidit e Praksitelit – i ka formësuar kaq thellë qëndrimet tona ndaj lakuriqësisë.

    Nuk ka asnjë shenjë se dominimi i saj mbi çështjet e të vdekshmëve po merr fund, apo se kontroversa rreth saj po zbehet – tema e bukurisë dhe mënyra se si trajtohet ajo do të jenë përherë të rëndësishme dhe gjithmonë objekt debati, duke pasqyruar opinionin publik teksa ai shpalesot me kalimin e kohës. “Në varësi të kontekstit, njerëzit thjesht e kanë kufizuar atë në atë që u nevojitet dhe atë që duan”, thotë Ulbrich. “E dini, ajo është shumë e gjithanshme”. /Telegrafi/

  • "Kam ndalur tetë luftëra" - Trump paraqet sërish argumente për Çmimin Nobel të Paqes një ditë para shpalljes së fituesit

    “Kam ndalur tetë luftëra” – Trump paraqet sërish argumente për Çmimin Nobel të Paqes një ditë para shpalljes së fituesit

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka intensifikuar fushatën e tij për Çmimin Nobel për Paqen, duke deklaruar se ka “zgjidhur tetë luftëra” dhe se ka bërë më shumë për paqen se çdo fitues i mëparshëm.

    Deklaratat Trump i bëri të mërkurën në Zyrën Ovale, vetëm një ditë para shpalljes së laureatit të Çmimit Nobel për Paqen 2026 nga Komiteti Norvegjez i Nobelit.

    “Kam bërë gjëra që askush tjetër nuk i ka bërë. Nuk po mburrem, thjesht po them faktet. Ndoshta asnjë president nuk ka zgjidhur ndonjëherë luftëra. Unë kam zgjidhur tetë luftëra”, tha Trump para gazetarëve.

    Ai tha se përmes përpjekjeve të tij diplomatike ka shpëtuar miliona jetë dhe sugjeroi se do të ishte një “diskreditim i madh” për Komitetin e Nobelit nëse nuk do të përzgjidhej.

    Megjithatë, Trump pranoi se nuk e di nëse do ta fitojë çmimin, duke thënë se komiteti ka një reputacion për të mos ia dhënë atë “njerëzve si unë”, transmeton Telegrafi.

    Që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, Trump ka pretenduar vazhdimisht se ka ndihmuar në zgjidhjen ose parandalimin e disa konflikteve ndërkombëtare.

    Mes konflikteve që ai ka përmendur janë përplasjet mes Indisë dhe Pakistanit, Izraelit dhe Hamasit, Izraelit dhe Iranit, Kamboxhias dhe Tajlandës, Serbisë dhe Kosovës, Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos, Armenisë dhe Azerbajxhanit, si dhe mosmarrëveshja mes Egjiptit dhe Etiopisë.

    Megjithatë, roli i Trumpit në disa prej këtyre zhvillimeve është kundërshtuar nga palët e përfshira. India, për shembull, ka mohuar vazhdimisht pretendimin e tij se SHBA-ja ndihmoi në ndërmjetësimin e armëpushimit me Pakistanin në maj 2025, duke thënë se vendimi për ndalimin e luftimeve u arrit drejtpërdrejt mes dy vendeve.

    Edhe disa konflikte të tjera të përmendura nga Trump nuk janë zgjidhur plotësisht, ndërsa në disa raste dhuna është rikthyer. Për këtë arsye, pretendimi i tij se ka “zgjidhur” të tetë luftërat mbetet i diskutueshëm.

    Trump përmendi gjithashtu lideren e opozitës venezueliane María Corina Machado, e cila fitoi Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2025.

    Në janar, gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë, Machado ia dorëzoi Trumpit medaljen e saj Nobel. Presidenti amerikan e ka përmendur vazhdimisht këtë gjest si dëshmi se ajo besonte se ai e meritonte çmimin.

    “Ajo tha se nuk e meritonte, se unë e meritoja dhe ma dha mua”, tha Trump.

    Ai kritikoi gjithashtu ish-presidentin amerikan Barack Obama, i cili fitoi Nobelin e Paqes në vitin 2009, duke pretenduar se Obama “nuk bëri asgjë” për ta merituar atë çmim.

    Fushata e re e Trumpit për Nobelin vjen ndërsa Komiteti Norvegjez i Nobelit përgatitet të shpallë laureatin e vitit 2026 në Oslo më 9 tetor. Për këtë vit janë dorëzuar 287 nominime, prej të cilave 208 për individë dhe 79 për organizata.

    Komiteti ka deklaruar se po shqyrton përpjekjet për ndërtimin e paqes dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në një periudhë të ndryshimeve të mëdha gjeopolitike. /Telegrafi/

  • Anne Carson fiton Çmimin Nobel në Letërsi për vitin 2026

    Anne Carson fiton Çmimin Nobel në Letërsi për vitin 2026

    Carson, 76-vjeçare, është e njohur për ndërthurjen e poezisë, prozës, dialogut dhe përkthimit, ndërsa letërsia e lashtë greke ka pasur ndikim të madh në krijimtarinë e saj. Ndër veprat e saj më të njohura janë Autobiography of Red, Eros the Bittersweet dhe Norma Jeane Baker of Troy.

    Shkrimtarja kanadeze ka punuar gjithashtu si përkthyese e letërsisë klasike greke dhe ka dhënë mësim në universitete. Vepra e saj karakterizohet nga ndërthurja e zhanreve dhe bashkëpunimet me artistë të fushave të ndryshme.

    Carson e mori lajmin për çmimin ndërsa ndodhej në Islandë, sipas Akademisë Suedeze. Çmimi Nobel në Letërsi përfshin edhe një shpërblim prej 12 milionë koronash suedeze, rreth 1.2 milionë dollarë.

    Burimi: RTKLive

  • Mbyllen përkohësisht dy rrugë në Klinë, Komuna njofton për devijimin e qarkullimit

    Mbyllen përkohësisht dy rrugë në Klinë, Komuna njofton për devijimin e qarkullimit

    Komuna e Klinës ka njoftuar se, për shkak të punimeve në kuadër të projektit “Rindërtimi i Sheshit”, do të bëhet mbyllja e përkohshme e disa segmenteve rrugore në qendër të qytetit.

    Sipas njoftimit të komunës, nga 8 tetori 2026 do të mbyllet përkohësisht rruga “Abedin Rexha”, në segmentin nga Sheshi “Ndue Përlleshi” deri te Sheshi “Nënë Tereza”.

    Po ashtu, do të mbyllet edhe rruga “Leonard Palucaj”, përfshirë pjesën që lidhet me rrugën “Dëshmorët e Kombit”.

    Mbyllja e këtyre segmenteve do të jetë në fuqi deri në përfundimin e punimeve dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për rikthimin e qarkullimit normal.

    “Për rihapjen e rrugës, qytetarët do të njoftohen me kohë nga Komuna e Klinës”, thuhet në njoftim.

    Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në komunikacion që gjatë kësaj periudhe të përdorin rrugët alternative dhe të respektojnë sinjalizimin e vendosur në terren.

    “Njëkohësisht, kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, pasi këto punime janë në interes të përgjithshëm dhe synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët e Komunës së Klinës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

  • Rama për punëtorët e NPB-së që mbetën pa paga: Dukuria nisi në kohën e VV-së

    Rama për punëtorët e NPB-së që mbetën pa paga: Dukuria nisi në kohën e VV-së

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga Gjykata Supreme që të marrë sa më shpejt një vendim lidhur me procesin gjyqësor, i cili, sipas tij, po e dëmton Ndërmarrjen Publike Banesore dhe ka sjellë bllokimin e llogarive të saj.

    Rama ka thënë se kjo çështje ka nisur para mandatit të tij, në kohën kur Prishtina është menaxhuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa ka pretenduar se pas ardhjes së tij në krye të kryeqytetit është konstatuar se bëhej fjalë për një proces të jashtëligjshëm.

    Ai ka theksuar se aktualisht ekzistojnë dy vendime të gjykatave dhe ka kërkuar që Gjykata Supreme ta trajtojë sa më shpejt këtë çështje.

    “Po, unë këtë e paraqita edhe sot në mediat sociale. Tash e sa vite ne jemi duke luftuar këtë dukuri, e cila ka filluar para kohës sonë. Pra, në kohën kur Vetëvendosja ka menaxhuar Prishtinën. Si rezultat, në momentin kur ne kemi ardhur dhe kemi parë se ka qenë një proces i jashtëligjshëm, kemi kërkuar që të ndalet ky proces i jashtëligjshëm, për arsye që po i shohim sot. Pra, kemi ardhur deri në një pikë ku kemi dy vendime të gjykatave dhe unë kërkoj që Gjykata Supreme të merret sa më shpejt me këtë çështje dhe ta ndalojë, faktikisht, këtë proces, i cili është i dëmshëm për kryeqytetin, për kompaninë publike, për Ndërmarrjen Publike Banesore dhe për 350 punëtorë. Pra, janë 350 familje që varen prej këtij procesi. Llogaritë e tyre i kanë bllokuar dhe rrogat nuk kanë mundur të paguhen për shkak të një procesi që ne e shohim si plotësisht të jashtëligjshëm. Prandaj, kërkoj nga Gjykata Supreme që të marrë një vendim sa më të shpejtë, që t’i çlirojë këto llogari dhe Ndërmarrja Publike Banesore të vazhdojë me punët e veta, të cilat duhet të jenë, faktikisht, në shërbim të qytetarëve të kryeqytetit”, ka deklaruar Rama./EO

    Burimi: Dukagjini

  • Shiroka-Pula ia shpreh Kurtit gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë institucional

    Shiroka-Pula ia shpreh Kurtit gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë institucional

    Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur sot në takim kryeministrin Albin Kurti, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të vendit.

    Gjatë takimit, Shiroka Pula ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe bashkërendim institucional, me synim shërbimin ndaj qytetarëve dhe mbrojtjen e interesave të Republikës së Kosovës.

    Nga ana e tij, Kurti e ka falënderuar Presidenten për gatishmërinë për të marrë përgjegjësinë e re dhe i ka uruar sukses në detyrë.

    Ai ka shprehur përkushtimin për të bashkëpunuar me Shiroka Pulën në përmbushjen e detyrave kushtetuese, si dhe në çështjet me rëndësi për Republikën e Kosovës.

    Burimi: Dukagjini

  • Poetja Anne Carson fiton Çmimin Nobel për Letërsi

    Poetja Anne Carson fiton Çmimin Nobel për Letërsi

    Poetja Anne Carson fiton Çmimin Nobel për Letërsi

    Poetja, eseistja dhe përkthyesja kanadeze Anne Carson është laureuar me Çmimin Nobel për Letërsi për këtë vit.

    Carson, 76 vjeçe, është e njohur për veprat e saj që ndërthurin poezinë, prozën dhe studimet akademike, duke kapërcyer kufijtë tradicionalë mes këtyre zhanreve.

    Komiteti i Nobelit tha se Carson është nderuar “për veprën e saj të guximshme dhe novatore, e cila, përmes një dialogu lozonjar me traditën klasike, ka krijuar forma të reja për letërsinë bashkëkohore”.

    Çmimi Nobel për Letërsi vlerëson një krijimtari të tërë artistike dhe konsiderohet si një prej çmimeve më prestigjioze në botën e letërsisë. Fituesja këtë vit do të shpërblehet me 12 milionë korona suedeze, rreth 900 mijë paund ose 1.2 milionë dollarë.

    Sekretarja e përhershme e Akademisë Suedeze, Ingrid Carlberg, tha se e kishte njoftuar Carson për çmimin përmes telefonit, pak para shpalljes publike, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

    “Gjithçka që pati kohë të më thoshte ishte se për momentin ndodhet në Islandë, ku po dëgjon erën”, tha Carlberg, duke shtuar se Carson ishte befasuar nga lajmi, por ishte shumë e lumtur.

    Kryetari i Komitetit Nobel për Letërsi, Anders Olsson, vlerësoi mënyrën se si Carson është shkëputur nga poezia lirike e lidhur ngushtë me rrëfimin personal dhe ka sjellë forma të reja në letërsinë bashkëkohore.

    Sipas tij, mënyra e saj e të shkruarit ka krijuar vepra lozonjare dhe ironike, të cilat lëvizin mes poezisë klasike dhe asaj moderne, por edhe mes zhanreve dhe formave të ndryshme të artit.

    Ndër veprat më të njohura të Carson janë The Glass Essay, Autobiography of Red: A Novel in Verse, Nox, Float dhe The Beauty of the Husband: A Fictional Essay in 29 Tangos.

    Carson ka përkthyer gjithashtu vepra të letërsisë së lashtë greke dhe për më shumë se 30 vjet ka qenë profesoreshë e klasikëve.

  • IKD kërkon nga Shiroka-Pula t’i bëjë publike qëndrimet për disa çështje, përfshirë Gjykatën Speciale

    IKD kërkon nga Shiroka-Pula t’i bëjë publike qëndrimet për disa çështje, përfshirë Gjykatën Speciale

    IKD kërkon nga Shiroka-Pula t’i bëjë publike qëndrimet për disa çështje, përfshirë Gjykatën Speciale

    Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kërkuar që presidentja e re e vendit, Justina Shiroka Pula të bëjë publike qëndrimet e saj lidhur me disa çështje.

    Ky institut i ka radhitur 10 tema, që sipas IKD-së, duhet të dihet qëndrimi i kryetares së shtetit, siç është Kushtetuta dhe funskionimi demokratik i institucioneve.

    Gjithashtu, kërkohet të dihet qëndrimi i saj edhe për Gjykatën Speciale.

    “Cili është qëndrimi i saj lidhur me zhvillimet e fundit për Ligjin për Dhomat e Specializuara, të drejtat e të akuzuarve, të drejtat e viktimave dhe respektimin e pavarësisë gjyqësore? A do ta trajtojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe dokumentimin e krimeve të luftës si prioritet të përhershëm shtetëror?”, thuhet në kërkesën e IKD-së.

    Gjithashtu, ky institut, ka kërkuar qëndrim të presidentes edhe për partneritetin me SHBA-në, BE-në dhe integrimi euroatlantik, duke drejtuar disa pyetje.

    “Si do ta udhëheqë politikën e jashtme për rinisjen e dialogut strategjik dhe forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për avancimin e statusit të Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe për zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës? A do të garantojë koordinim të institucioneve në çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë?”, thuhet tutje.

    Pavarësia nga partitë politike dhe përfaqësimi i të gjithë qytetarëve është tema e katërt, që IKD-ja kërkon që Shiroka Pula të bëjë publik qëndrimin e saj, pasi ka marrë detyrën e presidentes së vendit.

    Gjithashtu, kërkohet edhe qëndrimi për kthimin e ligjeve për rishqyrtim dhe mbrojtja e interesit publik.

    Në pikën e gjashtë dhe shtatë, IKD-ja kërkon që Presidenca të bëjë të ditur qasjen ndaj sundimit të ligjit, drejtësisë dhe emërimet në sistemin gjyqësor e prokurorial, si dhe luftën kundër korrupsionit e mbrojtjes së institucioneve të pavarura.

    Dialogu me Serbinë, sovraniteti dhe marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe siguria kombërtare, FSK-ja dhe veriu i Kosovës, janë dy çështjet tjera që kërkohet qëndrimi i presidentes Shiroka Pula.

    Gjithashtu, është kërkuar të dihet edhe qëndrimi për të drejtat e njeriut, komunitetet, mirëqenia sociale dhe llogaridhënia para qytetarëve.

     “IKD vlerëson se Presidentja duhet të sqarojë publikisht edhe qëndrimin e saj për procesin nëpërmjet të cilit është zgjedhur. Në veçanti, ajo duhet të deklarohet nëse vlerëson se zgjedhja e saj është zhvilluar në pajtim të plotë me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe procedurat parlamentare, si dhe nëse do të respektojë çdo vlerësim juridik e kushtetues lidhur me këtë process në qoftë se do të iniciohet rast në Gjykatën Kushtetuese.”, thuhet nga IKD.

    Ndryshe, sa ishte kryetare e ASHAK-ut, Justina Shiroka Pula kishte reaguar ndaj aktgjykimit dënues të 16 shtatorit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj drejtuesve të UÇK-së.

    Ajo kishte thënë se vendimi i obligon institucionet e vendit që të reflektojnë jo vetëm mbi verdiktin gjyqësor, por edhe mbi vetë natyrën, mandatin dhe mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara.

    “Qëndrimi ynë kritik ndaj kësaj gjykate buron nga bindja se drejtësia, për të qenë e besueshme dhe e qëndrueshme, duhet të perceptohet si e barabartë, gjithëpërfshirëse dhe e paanshme. Çdo mekanizëm i drejtësisë që trajton periudha të ndjeshme historike duhet të jetë veçanërisht i kujdesshëm që të mos krijojë perceptimin e një drejtësie selektive apo të një trajtimi të pabarabartë të viktimave dhe përgjegjësive.Respekti për të drejtën dhe për procedurat juridike nuk përjashton të drejtën për kritikë institucionale. Përkundrazi, në një shoqëri demokratike, legjitimiteti i institucioneve të drejtësisë forcohet pikërisht përmes transparencës, llogaridhënies dhe debatit të argumentuar publik”, kishte shkruar ajo në Facebook.

    Pula kishte thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është pjesë e një kapitulli vendimtar të historisë sonë dhe se proceset penale ndaj individëve nuk duhet të shndërrohen në gjykim të përgjithshëm të një lëvizjeje, të një periudhe historike apo të aspiratës së një populli për liri.