Category: Lajme

  • Çmenduri në sekondat e fundit, Bashkimi nis me fitore aventurën evropiane

    Çmenduri në sekondat e fundit, Bashkimi nis me fitore aventurën evropiane

    Bashkimi e ka nisur me fitore aventurën në sezonin e rregullt të FIBA Europe Cup, duke triumfuar në një ndeshje dramatike ndaj Valmiera Glass të Letonisë.

    Pas tri fitoreve radhazi në Superligën e Kosovës dhe suksesit në Superkupën e Kosovës për herë të parë në histori, prizrenasit vazhduan formën e mirë edhe në garat evropiane.

    Në palestrën “Sezai Surroi”, Bashkimi triumfoi me rezultat 79:77, në një ndeshje që u vendos në aksionin e fundit.

    Skuadra kosovare e mbylli çerekun e parë me epërsi 27:24, ndërsa Valmiera Glass reagoi në të dytin, të cilin e fitoi 16:13. Bashkimi riktheu kontrollin në çerekun e tretë, duke triumfuar 24:19, ndërsa fundi solli dramën e madhe.

    56 sekonda para fundit, Darren Williams barazoi rezultatin në 74:74 për mysafirët. Bashkimi reagoi menjëherë përmes Divine Myles, i cili realizoi një treshe për 77:74.

    Adrio Bailey më pas e vodhi topin në aksionin e Valmieras, por skuadra prizrenase nuk arriti ta ruante posedimin. Aminu Mohammed realizoi për tri pikë dhe barazoi rezultatin në 77:77.

    Megjithatë, në aksionin e fundit të ndeshjes, Myles mori përgjegjësinë dhe realizoi për dy pikë, duke i dhënë Bashkimit fitoren dramatike 79:77.

    Myles ishte shënuesi më i mirë i Bashkimit me 21 pikë, ndërsa paraqitjen më të kompletuar e pati Bailey, i cili regjistroi dyshifror të dyfishtë me 14 pikë, 10 kërcime dhe një asistim.

    Jajuan Johnson kontribuoi me 16 pikë në fitoren e prizrenasve. Te Valmiera Glass, më i dalluari ishte Mohammed me 16 pikë, 15 kërcime dhe katër asistime.

    Kjo ishte ndeshja e parë e Bashkimit në Grupin F të sezonit të rregullt të FIBA Europe Cup, ku përveç Valmiera Glass garojnë edhe Kalev i Estonisë, Korfezi i Turqisë, Elan Chalon i Francës dhe Manchesteri i Anglisë.

    Ndërkohë, në këtë edicion të FIBA Europe Cup garoi edhe Peja, por skuadra pejane nuk arriti të sigurojë një vend në sezonin e rregullt, pasi u eliminua në raundin kualifikues pas dy humbjeve ndaj Dinamo Bukureshtit./Telegrafi/

  • Haziri: Miratimi i ligjit është meritë e qytetarëve, do të jemi gardianë të tij

    Haziri: Miratimi i ligjit është meritë e qytetarëve, do të jemi gardianë të tij

    Organizatori i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka thënë se miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara është meritë e qytetarëve të Kosovës që protestuan për 21 ditë.

    I pyetur në “Debat Plus” nëse miratimi i ligjit erdhi si rezultat i protestave apo i “pazareve politike”, Haziri tha se ai beson se merita u takon qytetarëve që, sipas tij, nuk u përkulën dhe nuk u lodhën gjatë 21 ditëve të protestave.

    “Mendoj që është meritë e qytetarëve të Republikës së Kosovës, atyre njerëzve të cilët për 21 ditë nuk u përkulën e nuk u lodhën, po qëndruan. Unë i quaj qytetarë të qëndresës dhe njerëz të cilët e ruajtën dinjitetin edhe identitetin tonë kombëtar”, ka deklaruar Haziri.

    Ai ka thënë se do të vazhdojnë ta përcjellin zbatimin e ligjit dhe do të jenë, siç u shpreh, “gardianë” të tij.

    “Do të jemi gardian të këtij ligji, do ta ruajmë për UÇK-në dhe do të jemi në çdo shesh e do të jemi gjithkund ku do të ketë nevojë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por gjithsesi ku do të ketë nevojë edhe Republika jonë”, ka thënë Haziri.

  • CDU po afrohet gjithnjë e më shumë me AfD-në

    CDU po afrohet gjithnjë e më shumë me AfD-në

    Ngjarjet në parlamentin e landit të Saksonisë-Anhaltit kanë shkaktuar reagime edhe në Berlin. Për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, një politikan i partisë së djathtë ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD) është zgjedhur kryetar i një parlamenti të landit gjerman.

    Bëhet fjalë për Tobias Rausch, i cili u zgjodh të martën në Magdeburg, kryeqytetin e Saksonisë-Anhaltit. Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës në këtë land e klasifikon AfD-në si organizatë të dëshmuar të ekstremit të djathtë.

    Rausch nuk mori vetëm votat e partisë së tij dhe të Aleancës për Arsyeshmëri Sociale dhe Ekonomike (BSW), por edhe katër vota shtesë. Shumica e vëzhguesve dyshojnë se këto vota mund të kenë ardhur nga deputetë konservatorë të CDU-së, partisë së kancelarit gjerman Friedrich Merz, e cila në nivel federal qeveris në koalicion me socialdemokratët.

    Zëvendëskancelari dhe ministri i Financave, Lars Klingbeil (SPD), e cilësoi këtë si një thyerje të një tabuje dhe kërkoi që CDU-ja të shpjegojë se si mundi të ndodhte, raporton dw.

    Edhe drejtuesi i grupit parlamentar të CDU-së, Thorsten Frei, e quajti situatën “jashtëzakonisht shqetësuese”, megjithëse theksoi se votimi ishte i fshehtë dhe nuk mund të dihet se kush votoi për Rausch.

    AfD fitoi bindshëm zgjedhjet në Saksoninë-Anhalt më 6 shtator. Partia kërkon një politikë shumë më të ashpër ndaj migracionit, kundërshton politikat aktuale klimatike dhe kërkon ndryshime të mëdha në sistemin publik të transmetimeve.

    Partia, ku veprojnë edhe politikanë me qëndrime të afërta me Rusinë, kundërshton vazhdimin e ndihmës gjermane për Ukrainën. Ndërkohë, AfD nuk ka shumicë të vetme në parlamentin e landit dhe po zhvillon bisedime për mundësinë e formimit të një qeverie të pakicës.

    Rasti ka rihapur debatin për të ashtuquajturën “Brandmauer”, ose “muri mbrojtës”, parimin sipas të cilit partitë demokratike në Gjermani shmangin çdo bashkëpunim me AfD-në.

    Ky parim tashmë është dobësuar në nivel lokal dhe komunal, ndërsa zhvillimet në Saksoninë-Anhalt ngrenë pyetjen nëse po krijohen çarje edhe në nivel të landeve. CDU-ja vazhdon të deklarojë se nuk do të bashkëpunojë me AfD-në, ndërsa mbetet e paqartë nëse ky qëndrim do të ruhet edhe në javët në vijim. /Telegrafi/

  • E rrahën, e grabitën dhe e goditën me shishe në kokë, zvicerani rrezikon mbi 10 vjet burg

    E rrahën, e grabitën dhe e goditën me shishe në kokë, zvicerani rrezikon mbi 10 vjet burg

    Dy burra në Bernë e rrahën brutalisht një 55-vjeçar, e grabitën dhe më pas u kthyen për ta sulmuar sërish me një shishe vere. Viktima pësoi lëndime të rënda dhe ende përballet me pasoja fizike e psikologjike.

    Njëri prej të akuzuarve po kërkon uljen e dënimit, ndërsa prokuroria kërkon mbi 10 vjet burg dhe trajtim spitalor.

    Ngjarja ka ndodhur natën mes 16 dhe 17 majit 2022, në një apartament në Büren an der Aare, në kantonin e Bernës.

    Dy të rinjtë, të cilët në atë kohë ishin 24 dhe 21 vjeç, ndodheshin në banesën e viktimës 55-vjeçare dhe po konsumonin alkool, shkruan 20Minuten, transmeton Telegrafi.

    Sipas aktakuzës, njëri prej tyre propozoi që ta grabisnin të njohurin e tyre. Më pas, 55-vjeçari u sulmua me grushte dhe shqelma. Edhe personi i dytë mori pjesë në rrahje, derisa viktima humbi ndjenjat.

    Dy burrat më pas i morën sendet me vlerë dhe u larguan nga banesa.

    U kthyen për ta sulmuar përsëri

    Por sulmi nuk përfundoi aty. Kur 55-vjeçari rifitoi vetëdijen, dy autorët u kthyen në apartament dhe e goditën disa herë në kokë me një shishe vere.

    Sipas prokurorisë, katër goditje u dhanë me shishe, ndërsa dy prej tyre dyshohet se u kryen nga i akuzuari nga rajoni i Emmental-it, i cili tashmë është 29 vjeç.

    Pas goditjeve, viktima humbi sërish ndjenjat.

    Sulmin dy burrat e kishin filmuar. Në regjistrim dëgjohet edhe kërcënimi ndaj viktimës:

    “Të shkatërruam. Nëse shkon ndonjëherë te policia, do të të therin.”

    Sipas akuzës, ata diskutuan gjithashtu mundësinë që t’i vinin zjarrin banesës për të zhdukur gjurmët.

    Kur tentuan të ktheheshin për herë të tretë në apartament, u larguan pasi panë një ambulancë jashtë.

    Viktima mbeti me pasoja të rënda

    55-vjeçari pësoi lëndime të rënda në fytyrë.

    Disa dhëmbë iu thyen ose u zhvendosën, ndërsa ai pësoi edhe fraktura në nofullën e sipërme, hundë dhe mollëzën e djathtë.

    Për shkak të dëmtimeve në hundë iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Në buzën e sipërme i kanë mbetur shenja të dukshme.

    Sipas avokatit të viktimës, sulmi ka ndryshuar jetën e tij.

    Ai ende vuan nga pasojat e sulmit, nuk është në gjendje të punojë, merr përfitime për paaftësi dhe ndjek terapi. Përveç dëmtimeve fizike, ai vazhdon të jetë i traumatizuar psikologjikisht.

    I akuzuari kërkon uljen e dënimit

    Njëri prej autorëve, tashmë 29-vjeçar, u paraqit të martën para Gjykatës së Lartë të Bernës.

    Ai ishte dënuar në gusht të vitit 2024 me nëntë vjet e gjashtë ditë burgim. Deri tani ka kaluar rreth katër vjet në burg.

    Gjatë qëndrimit në burg, ai ka marrë edhe terapi për çrregullimin e personalitetit antisocial.

    Para gjykatës, ai tha se është në terapi dhe se “gjërat po shkojnë mirë në burg”. Megjithatë, ai nuk pranoi të komentonte gjerësisht për ngjarjen dhe iu përgjigj shumë pyetjeve vetëm shkurt.

    Avokati i tij kërkon që dënimi të ulet në maksimumi tetë vjet burgim. Mbrojtja kundërshton gjithashtu trajtimin spitalor, duke argumentuar se klientit të tij i duhet kohë për të krijuar besim te njerëzit dhe se një trajtim i tillë do ta vështirësonte këtë proces.

    Prokuroria kërkon mbi 10 vjet burg

    Prokurorja, në anën tjetër, kërkon një dënim prej 10 vjetësh e gjashtë ditësh burgim, si dhe trajtim spitalor.

    Ajo argumenton se dënimi i mëparshëm ishte shumë i butë dhe se i akuzuari nuk ka marrë përgjegjësinë e plotë për veprimet e tij.

    Sipas prokurorisë, ai e ka minimizuar dhunën gjatë terapisë dhe e ka paraqitur dhunën mes burrave si diçka normale.

    “Ai nuk tregoi asnjë pendim”, argumentoi prokurorja, duke theksuar gjithashtu se i akuzuari nuk i ka kërkuar asnjëherë falje viktimës.

    Gjykata e Lartë e Bernës pritet ta shpallë vendimin të enjten e ardhshme./Telegrafi/

  • Pedro i jep fund karrierës: refuzon rikthimin në Spanjë

    Pedro i jep fund karrierës: refuzon rikthimin në Spanjë

    Pedro i jep fund karrierës: refuzon rikthimin në Spanjë

    Pedro Rodriguez ka vendosur t’i japë fund karrierës në futbollin profesionist në moshën 39-vjeçare.

    Ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Chelseat mbeti lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Lazion më 30 qershor, por ka refuzuar mundësinë për t’u rikthyer në Spanjë, përfshirë ofertën e mundshme nga Tenerife.

    Pedro largohet nga futbolli me një karrierë të jashtëzakonshme, gjatë së cilës fitoi 26 trofe.

    Me Barcelonën fitoi tri Liga të Kampionëve dhe pesë tituj të La Ligës, ndërsa me Spanjën u shpall kampion bote në vitin 2010 dhe kampion Europe në vitin 2012. Me Lazion zhvilloi 209 ndeshje dhe shënoi 39 gola

  • Dokumenti evropian: KE vulos rregullat e reja për zgjerim të BE-së (VIDEO)

    Dokumenti evropian: KE vulos rregullat e reja për zgjerim të BE-së (VIDEO)

    Dokumenti evropian: KE vulos rregullat e reja për zgjerim të BE-së (VIDEO)

    Komisioni Evropian tashmë i vulosi rregullat e reja për zgjerimet e ardhshme të Bashkimit Evropian.

    Me këtë mekanizëm vendet që synojnë të hyjnë në BE, gjashtë republika të Ballkanit Perëndimor, sikur dhe Ukraina e Moldavia, mes tjerash përfshiheshin më herët në politikat e programet evropiane.

    Blloku që tani i ka 27 vende anëtare do kishte mekanizma më të fuqishëm mbrojtës në rast se një shtet i ri anëtar devijon nga zotimet e tij pas anëtarësimit. 

    Dokumenti me klauzola të forta mbrojtëse derisa përfshinë edhe përafrimin e plotë me politikën të jashtme e të sigurisë, veçanërisht sa u përket sanksioneve, ku përafrimi i vendeve kandidate siç është Serbia, ka ngecje të plotë.

    KE-ja pritet ta paraqesë paketën e re të zgjerimit më 28 tetor, me udhërrëfyes për Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën, kurse Kosova, Bosnja, Maqedonia e Veriut e Serbia, janë jashtë tani.

    Madje, prej gjitha vendeve të rajonit, Kosova nuk e ka statusin e vendit kandidat, ndonëse aplikimi për këtë u bë në muajin dhjetor 2022.

  • 63 minatorë ngujohen në horizontin e 11-të Trepçës

    63 minatorë ngujohen në horizontin e 11-të Trepçës

    63 minatorë ngujohen në horizontin e 11-të Trepçës

    63 minatorë të Trepçës janë ngujuar në horizontin e 11-të të Trepçës.

    Komandanti i Zjarrfikësve të Mitrovicës, Bekim Ibishi për klankosova.tv tha se është djegur trafo kryesore e këtij horizonti.

    Ai tha se ekipet janë duke punuar për nxjerrjen e tyre, kurse minatorët aktualisht mbeten ende të ngujuar.

    “63 minatorë janë ngujuar.Trafo kryesore është djeg. Jemi duke punuar për nxjerrjen e tyre”, tha ai për klankosova.tv.

  • Real Madridi hap derën për largimin e Mbappes

    Real Madridi hap derën për largimin e Mbappes

    Real Madridi hap derën për largimin e Mbappes

    Real Madridi po shqyrton mundësinë e një skenari të papritur me Kylian Mbappen.

    Sipas gazetarit Daniel Riolo, klubi madrilen mund të jetë i hapur për shitjen e sulmuesit francez në fund të sezonit, pas pakënaqësisë së krijuar gjatë periudhës së rikuperimit nga lëndimi.

    Mbappe u lëndua më 25 shtator me Francën dhe së fundmi është rikthyer në stërvitje individuale.

    27-vjeçari ka shënuar tetë gola në fillim të sezonit, ndërsa aktualisht nuk ka asnjë negociatë konkrete për largimin e tij.

    Megjithatë, rikthimi në fushë do të jetë vendimtar për të ardhmen e tij në Madrid./Klankosova.tv

  • “Historia që shkrove do të jetojë përgjithmonë” - Ronaldo i shkruan koment Messit pas pensionimit me kombëtaren

    “Historia që shkrove do të jetojë përgjithmonë” – Ronaldo i shkruan koment Messit pas pensionimit me kombëtaren

    Cristiano Ronaldo ka pasur një mesazh të veçantë për Lionel Messin, duke i shprehur respektin për atë që argjentinasi ka arritur gjatë karrierës së tij me përfaqësuesen e Argjentinës.

    Ylli portugez iu drejtua Messit me fjalë të ngrohta, duke vlerësuar kontributin e tij për vendin dhe historinë që ka shkruar me fanellën e kombëtares, pas pensionit të këtij të fundit.

    “Leo, për kaq shumë vite e ke mbrojtur vendin tënd dhe ke shkruar një histori që do të jetojë përgjithmonë. Kam respekt të pafund për ty për gjithçka që ke arritur me Argjentinën. Të dërgoj shumë dashuri”, ka shkruar Ronaldo.

    Mesazhi i portugezit vjen si një tjetër dëshmi e respektit që dy prej futbollistëve më të mëdhenj të historisë kanë për njëri-tjetrin, pavarësisht rivalitetit të madh që i ka shoqëruar për më shumë se një dekadë.

    Portugezi mori mbi 800 mijë pëlqime për më pak se një orë, pas komentit që bëri në postimin e Leo Messit.

    Rivalitet i madh ndër

    Ronaldo dhe Messi kanë qenë në qendër të futbollit botëror për vite me radhë, duke rivalizuar për trofe, rekorde dhe çmime individuale, sidomos gjatë periudhës kur luanin në Spanjë për Real Madridin dhe Barcelonën.

    Me Argjentinën, Messi arriti të fitojë Kupën e Amerikës dhe më pas kulmin e karrierës ndërkombëtare me triumfin në Kupën e Botës, duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e kombëtares së tij.

    Tani, edhe Ronaldo, një prej rivalëve të tij më të mëdhenj në fushë, ka zgjedhur ta vlerësojë publikisht trashëgiminë e Messit me Argjentinën.

    Dy rivalë, respekt i madh jashtë fushës

    Për vite me radhë, krahasimi Ronaldo–Messi ka qenë një prej debateve më të mëdha në botën e futbollit. Por mesazhe të tilla tregojnë edhe një anë tjetër të marrëdhënies mes tyre – respektin për atë që kanë arritur në karrierat përkatëse.

    Ronaldo e ka mbyllur mesazhin me një urim të përzemërt për Messin, duke i dërguar “shumë dashuri” dhe duke e vlerësuar historinë që argjentinasi ka shkruar me kombëtaren e tij.

    Dyshja nga shumë njohës konsiderohen si dy lojtarët më të mirë në histori./Telegrafi/

  • Akuzohet për vrasje në tentativë, prokuroria zvicerane kërkon 19 vjet burg për maqedonasin

    Akuzohet për vrasje në tentativë, prokuroria zvicerane kërkon 19 vjet burg për maqedonasin

    Një 51-vjeçar nga Maqedonia e Veriut po përballet me akuza për vrasje të shumëfishtë të mbetur në tentativë, pasi dyshohet se në janar të vitit 2024 qëlloi pesë ose gjashtë herë ndaj dy policëve kantonalë në Watt të Zvicrës.

    Prokuroria ka kërkuar një dënim prej 19 vjetësh e tetë muajsh burgim.

    Rasti është shqyrtuar para Gjykatës së Qarkut në Dielsdorf, nën masa të mëdha sigurie, shkruan 20Minuten, transmeton Telegrafi.

    Të gjithë personat që hynin në gjykatë iu nënshtruan kontrolleve, ndërsa policët që shoqëronin të akuzuarin u paraqitën me fytyra të mbuluara.

    Dy policët u qëlluan gjatë një kontrolli

    Ngjarja kishte ndodhur më 17 janar 2024, rreth orës 22:45, në një zonë banimi në Watt.

    Sipas aktakuzës, policia kishte marrë një njoftim për një person të dyshimtë. Kur dy policët kantonalë shkuan për ta kontrolluar, 51-vjeçari dyshohet se hapi zjarr ndaj tyre.

    Ai dyshohet se qëlloi pesë ose gjashtë herë, duke i vënë në rrezik jetën e të dy zyrtarëve policorë.

    Prokurorja e rastit ka kërkuar që ai të dënohet për tentim të shumëfishtë vrasjeje, si dhe për dhunë dhe kërcënim ndaj autoriteteve dhe zyrtarëve.

    Përveç dënimit me burgim prej 19 vjetësh e tetë muajsh, prokuroria ka kërkuar edhe dëbimin e tij nga Zvicra për 15 vjet.

    Procesi po zhvillohet me masa të shtuara sigurie për shkak të natyrës së rëndë të akuzave. Vendimi përfundimtar pritet të merret nga Gjykata e Qarkut në Dielsdorf./Telegrafi/