Category: Lajme

  • Profesori Gërguri: Gjuha e urrejtjes në rrjete sociale duhet të dënohet (VIDEO)

    Profesori Gërguri: Gjuha e urrejtjes në rrjete sociale duhet të dënohet (VIDEO)

    Profesori Gërguri: Gjuha e urrejtjes në rrjete sociale duhet të dënohet (VIDEO)

    Profesori universitar i Gazetarisë, Dren Gërguri, ka folur për gjuhën e urrejtjes ndaj gazetarëve, veçanërisht në rrjetet sociale.

    Përmes studios së Kiks Kosova, ai ka thënë se gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale duhet të dënohet, në mënyrë që publiku ta kuptojë se duhet të jetë i kujdesshëm me mënyrën se si shprehet.

    Sipas tij, shoqëria kosovare ende nuk është e përgatitur për përdorimin e rrjeteve sociale dhe shpesh krijohet përshtypja se, vetëm pse teknologjia e mundëson një veprim, atëherë mund të bëhet gjithçka.

    Gërguri ka folur edhe për përgjegjësinë e gazetarëve, duke theksuar nevojën për ruajtjen e standardeve profesionale të gazetarisë.

    Ai ka thënë se krahas kësaj, duhet të përmirësohet edhe gjendja ekonomike e gazetarëve.

    Ndërkaq, pavarësisht sulmeve dhe fyerjeve ndaj gazetarëve, sipas tij, interesimi i të rinjve për të studiuar gazetarinë nuk ka rënë. Përkundrazi, ai thotë se ky interesim është rritur.

  • ASHAK, presidentja: Rrugëtimi nga Akademia tek Presidenca (VIDEO)

    ASHAK, presidentja: Rrugëtimi nga Akademia tek Presidenca (VIDEO)

    ASHAK, presidentja: Rrugëtimi nga Akademia tek Presidenca (VIDEO)

    Të mërkurën, fotografinë e ka të varur në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të cilin e drejtoi për gati një vit.

    Veç tash, imazhi i saj do të shfaqet në krejt institucionet shtetërore dhe ambasada të Republikës.

    Justina Shiroka Pula, që nga e marta mori detyrën si e para e vendit, pak minuta para se të përfundonte afati kushtetues për zgjedhje të presidentit.

    73 vjeçja u bë gruaja e tretë prijëse në histori të Kosovës, njashtu si kuptimi e emrit që nga latinishtja i bie e drejtë, po pritet ta ketë edhe kontributin për vendin.

    Profesori Arsim Bajrami, po thotë se detyrën e re dikur bashkëpunëtores së tij, u munduan t’ia kontestojnë, por diçka e tillë nuk do të ndodh.

    Udhëheqjen e ASHAK-ut, pritet tash ta zë nënkryetari Fejzullah Krasniqi, derisa të bëhen zgjedhjet e reja.

    Akademikja Justina Shiroka Pula, ishte edhe ministre dhe deputete e Kuvendit të Kosovës.

  • Kanceri i gjirit: Çfarë duhet të dijë çdo grua për zbulimin e hershëm

    Kanceri i gjirit: Çfarë duhet të dijë çdo grua për zbulimin e hershëm

    Kanceri i gjirit shpesh nuk jep shenja në fazat e hershme. Mamografia dhe vlerësimi individual i rrezikut janë çelësi i zbulimit në kohë

    Ass. Dr. Blerim Gjocaj
    Onkolog mjekësor – kimioterapeut
    Tel. 044621415

    Kanceri i gjirit është tumori malinj më i shpeshtë te gratë në botë dhe vazhdon të mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë nga kanceri.

    Nga këndvështrimi i onkologut, një nga veçoritë më të rëndësishme të kësaj sëmundjeje është se në fazat e hershme mund të mos japë asnjë simptomë. Gruaja mund të ndihet krejtësisht mirë, të mos ketë dhimbje dhe të mos vërejë ndonjë ndryshim, ndërkohë që një lezion shumë i vogël mund të jetë tashmë i dukshëm në mamografi.

    Prandaj zbulimi i hershëm nuk duhet të fillojë vetëm kur shfaqet një simptomë, por shumë më herët, me njohjen e rrezikut, kontrollet e përshtatura sipas moshës dhe profilit individual dhe reagimin e shpejtë ndaj çdo ndryshimi të ri në gji.

    Në onkologji, koha e diagnozës mund të ndryshojë gjithçka

    Kanceri i gjirit nuk është një sëmundje e vetme dhe nuk sillet njësoj te çdo paciente. Tumoret ndryshojnë për nga madhësia, përfshirja e nyjeve limfatike, karakteristikat biologjike dhe aftësia për t’u përhapur në pjesë të tjera të organizmit.

    Megjithatë, një parim mbetet themelor: sa më herët të diagnostikohet sëmundja, aq më të mëdha janë mundësitë për trajtim të suksesshëm.

    Kur tumori është ende i kufizuar në gji, mundësitë terapeutike dhe prognoza janë dukshëm më të favorshme sesa kur sëmundja është përhapur në nyjet limfatike ose në organe të largëta. Zbulimi i hershëm mund të nënkuptojë jo vetëm mundësi më të mëdha për shërim, por edhe kirurgji më konservative, trajtime më pak agresive dhe cilësi më të mirë të jetës.

    Kanceri i gjirit nuk fillon domosdoshmërisht me dhimbje

    Një nga bindjet që ende i vonon disa gra në kërkimin e ndihmës është mendimi se një sëmundje serioze duhet medoemos të dhembë. Në fazat e hershme, kanceri i gjirit shpesh nuk shkakton dhimbje.

    Shenja më e njohur është shfaqja e një mase ose fortësimi të ri në gji apo në sqetull, por tumori nuk paraqitet gjithmonë si një “kokërr” e dallueshme.

    Vëmendje kërkojnë edhe ndryshimi i formës ose madhësisë së njërit gji, gropëzimi ose tërheqja e lëkurës, tërheqja e re e thithkës nga brenda, rrjedhja spontane nga thithka – veçanërisht nëse është me gjak – skuqja ose trashja e lëkurës, ënjtja e një pjese të gjirit, pamja e “lëvores së portokallit” dhe nyjet e reja në sqetull ose mbi klavikulë.

    Shumë nga këto ndryshime mund të jenë beninje, si kistet apo fibroadenomat, por dallimi nuk duhet bërë me hamendje:

    Foto: AmparoGV

    Gruaja duhet ta njohë gjirin e saj – por kjo nuk e zëvendëson mamografinë

    Qasja moderne nuk mbështetet më vetëm te vetëkontrolli formal mujor, por te vetëdija për gjirin: gruaja duhet ta njohë pamjen dhe ndjesinë normale të gjinjve të saj, në mënyrë që ta dallojë një ndryshim të ri.

    Megjithatë, prekja e gjirit nuk e zëvendëson mamografinë. Një tumor mund të jetë shumë i vogël për t’u ndier me dorë dhe të jetë tashmë i dukshëm në imazheri. Po ashtu, një grua mund të vërejë një ndryshim klinik edhe pse mamografia e fundit ka qenë normale.

    Prandaj një mamografi normale nuk është arsye për ta neglizhuar një ndryshim të ri.

    Mamografia mbetet shtylla kryesore e zbulimit të hershëm

    Depistimi, ose screening-u, nënkupton kontrollin e grave që nuk kanë simptoma, me qëllim që një tumor eventual të zbulohet para se të bëhet klinikisht i dukshëm. Për shumicën e grave me rrezik mesatar, mamografia mbetet metoda kryesore e depistimit.

    Rekomandimet ndërkombëtare nuk janë krejtësisht identike: disa udhëzues rekomandojnë mamografi çdo dy vjet nga mosha 40 deri në 74 vjeç, ndërsa të tjerë parashohin intervale më të shpeshta në grupmosha të caktuara.

    Për këtë arsye nuk duhet t’i jepet çdo gruaje e njëjta skemë. Mesazhi praktik është se rreth moshës 40 vjeç duhet të fillojë biseda me mjekun për programin individual të depistimit, ndërsa te gratë me rrezik të lartë kjo duhet të ndodhë më herët.

    Historia familjare nuk është vetëm historia e nënës

    Kur flasim për histori familjare, nuk duhet të pyesim vetëm nëse nëna ka pasur kancer gjiri, sepse predispozita gjenetike mund të trashëgohet si nga nëna, ashtu edhe nga babai.

    Rëndësi kanë kanceri i gjirit në moshë të re, disa raste në të njëjtën degë familjare, kanceri i gjirit te një mashkull, si dhe raste të kancerit të vezoreve, pankreasit ose disa formave të kancerit të prostatës.

    Në këto situata mund të nevojitet këshillim gjenetik dhe, kur plotësohen kriteret, testim për mutacione si BRCA1, BRCA2, PALB2 dhe gjene të tjera të lidhura me predispozitën trashëguese.

    Megjithatë, shumica e grave që zhvillojnë kancer gjiri nuk kanë histori të fortë familjare, prandaj mungesa e rasteve në familje nuk duhet të krijojë ndjenjë të rreme sigurie.

    Jo çdo grua ka të njëjtin rrezik

    Mosha është një nga faktorët më të rëndësishëm, por jo i vetmi. Rreziku mund të jetë më i lartë te gratë me histori personale të kancerit të gjirit, disa lezione me rrezik të shtuar, mutacione gjenetike, histori radioterapie të kraharorit në moshë të re ose ind të dendur të gjirit.

    Në rrezik ndikojnë gjithashtu faktorë hormonalë dhe riprodhues, disa forma të terapisë hormonale pas menopauzës, konsumimi i alkoolit, mbipesha pas menopauzës dhe mungesa e aktivitetit fizik.

    Asnjë prej këtyre faktorëve nuk do të thotë automatikisht se një grua do të zhvillojë kancer, sepse rreziku është rezultat i ndërveprimit të shumë faktorëve biologjikë, gjenetikë dhe të stilit të jetesës.

    “Kam gjinj të dendur” – çfarë do të thotë kjo?

    Gjiri i dendur nuk është sëmundje dhe dendësia nuk mund të përcaktohet me prekje. Ajo vlerësohet në mamografi dhe tregon raportin ndërmjet indit fibroz e gjëndror dhe indit dhjamor.

    Dendësia ka rëndësi sepse lidhet me rritje të rrezikut dhe, njëkohësisht, mund ta bëjë më të vështirë dallimin e një tumori në mamografi.

    Megjithatë, kjo nuk do të thotë se çdo grua me gjinj të dendur duhet automatikisht të bëjë ultrazë ose MRI çdo vit. Vendimi duhet të bazohet në profilin e përgjithshëm të rrezikut, jo vetëm në dendësinë e gjirit.

    Foto: JuiceDash

    Mamografia, ultrazëri dhe MRI-ja kanë role të ndryshme

    Pacientet shpesh pyesin nëse ultrazëri mund ta zëvendësojë mamografinë apo pse nevojitet mamografia kur ekziston rezonanca magnetike. Këto ekzaminime kanë role të ndryshme dhe plotësojnë njëri-tjetrin.

    Mamografia është metoda kryesore e depistimit dhe mund të zbulojë ndryshime shumë të vogla, përfshirë mikrokalcifikime që nuk preken me dorë.

    Ultrazëri është veçanërisht i dobishëm për vlerësimin e një mase të prekshme ose një gjetjeje mamografike, ndihmon të përcaktohet nëse struktura është cistike apo solide dhe përdoret edhe për drejtimin e biopsisë.

    MRI-ja e gjirit është metodë shumë e ndjeshme, por nuk është ekzaminim rutinë për çdo grua. Ajo përdoret veçanërisht te gratë me rrezik të lartë dhe në situata të caktuara diagnostike, ndërsa te disa gra me rrezik të lartë gjenetik mund të kombinohet me mamografinë.

    Pra, nuk ekziston një ekzaminim “më i mirë për të gjitha gratë”, por ekziston ekzaminimi i duhur për pacienten e duhur, në momentin e duhur.

    Një mamografi e dyshimtë nuk do të thotë automatikisht kancer

    Një gjetje e dyshimtë në mamografi nuk është e njëjtë me diagnozën e kancerit.

    Radiologët përdorin sistemin BI-RADS për ta kategorizuar gjetjen dhe për të përcaktuar hapin e ardhshëm. Në varësi të rezultatit mund të nevojiten pamje shtesë mamografike, ultrazë, MRI ose biopsi.

    Kur një lezion konsiderohet i dyshimtë, biopsia jep përgjigjen përfundimtare. Në onkologji ky dallim është shumë i rëndësishëm: imazheria ngre ose ul dyshimin; biopsia vendos diagnozën histopatologjike.

    Prandaj një grua që thirret për ekzaminim shtesë nuk duhet të mendojë menjëherë se ka kancer, por as nuk duhet ta shtyjë vlerësimin.

    Pas biopsisë nuk pyesim vetëm “a është kancer?”

    Nëse biopsia konfirmon një tumor malinj, puna diagnostike nuk përfundon aty. Onkologu duhet të dijë çfarë lloj kanceri është.

    Vlerësohen receptorët hormonalë të estrogjenit dhe progesteronit – ER dhe PR – si dhe HER2. Në bazë të këtyre dhe karakteristikave të tjera patologjike, tumoret mund të kenë sjellje biologjike dhe përgjigje ndaj trajtimit shumë të ndryshme.

    Një tumor hormon-receptor pozitiv nuk trajtohet njësoj si një tumor HER2 pozitiv apo një kancer triple-negative, prandaj dy paciente me tumore me madhësi të ngjashme mund të kenë strategji krejtësisht të ndryshme trajtimi.

    Mjekësia moderne nuk trajton vetëm “kancerin e gjirit”, por biologjinë konkrete të tumorit te pacientja konkrete.

    Edhe gratë e reja duhet t’i vlerësojnë ndryshimet

    Kanceri i gjirit është më i shpeshtë me rritjen e moshës, por mund të paraqitet edhe te gratë e reja. Një grua 25 apo 30 vjeçe me një masë të re nuk duhet të mendojë se është “shumë e re për kancer”, ashtu si mjeku nuk duhet ta mbyllë vlerësimin vetëm mbi bazën e moshës.

    Te gratë e reja ultrazëri shpesh është ekzaminimi fillestar për një masë të prekshme, por zgjedhja e metodës varet nga mosha, simptomat dhe vlerësimi klinik.

    Parimi mbetet i njëjtë: një ndryshim i ri dhe i pashpjeguar duhet sqaruar.

    Mesazhi i onkologut: mos prisni që trupi t’ju paralajmërojë

    Onkologjia moderne po lëviz gjithnjë e më shumë drejt vlerësimit individual. Gruaja duhet ta dijë historinë familjare, t’i diskutojë faktorët e rrezikut me mjekun dhe të mos presë domosdoshmërisht një simptomë për ta hapur këtë bisedë.

    Mbajtja e një peshe të shëndetshme, aktiviteti fizik, kufizimi ose shmangia e alkoolit dhe përdorimi i kujdesshëm i terapisë hormonale pas menopauzës mund të kontribuojnë në uljen e rrezikut, por nuk ekziston mënyrë që garanton se kanceri i gjirit nuk do të shfaqet. Prandaj parandalimi dhe zbulimi i hershëm janë dy koncepte të ndryshme: mund ta ulim rrezikun, por nuk mund ta çojmë atë në zero.

    Në praktikën onkologjike, koha nuk është detaj administrativ. Ajo mund të ndikojë në stadin e sëmundjes, llojin e operacionit, nevojën për trajtime shtesë dhe, në fund, në prognozën e pacientes.

    Prandaj mesazhi më i rëndësishëm për çdo grua është ky:

    Mos prisni dhimbjen, mos prisni që masa të rritet dhe mos mendoni se mungesa e rasteve në familje ju përjashton nga rreziku. Mos u frikësoni nga një kontroll që mund t’ju japë qetësi ose, nëse ekziston një problem, mundësinë që ai të zbulohet në momentin kur mund të trajtohet më së miri.

    Zbulimi i hershëm nuk është thjesht slogan i muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit – është pjesë e mjekimit. /Telegrafi/

  • Çfarë ndryshon me Ligjin për Specialen? |Video

    Pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në Kosovë u rikthye në qendër të debatit ligji që rregullon punën e Dhomave të Specializuara.
  • Mbi 6 miliardë dollarë kontrata shtetërore për kompanitë ku kanë investuar djemtë e Trumpit

    Mbi 6 miliardë dollarë kontrata shtetërore për kompanitë ku kanë investuar djemtë e Trumpit

    Kompanitë e lidhura me familjen Trump marrin mbi 6 miliardë dollarë nga qeveria amerikane.

    Kompanitë e mbrojtjes dhe teknologjisë, në të cilat kanë investuar djemtë e presidentit amerikan, Donald Trump, Donald Trump Jr. dhe Eric Trump, kanë marrë ose u janë premtuar më shumë se 6 miliardë dollarë në kontrata nga qeveria amerikane, sipas një analize të ABC News.

    Rasti më i fundit është kompania e mbrojtjes Anduril, në të cilën fondi investues 1789 Capital, i lidhur me Donald Trump Jr., zotëron një pjesë të konsiderueshme.

    Administrata Trump ka njoftuar 2.9 miliardë dollarë mbështetje nga Marina amerikane për një fabrikë të re të Anduril për prodhimin e nëndetëseve në Maryland.

    Anduril është një prej disa kompanive të lidhura me familjen Trump që kanë përfituar kontrata nga Pentagoni. Në listë përfshihen edhe Powerus, Vulcan Elements, Firehawk Aerospace, PsiQuantum, Hadrian dhe Foundation Future Industries.

    Sipas analizës, kontratat dhe zotimet financiare janë dhënë pasi vëllezërit Trump kishin investuar në këto kompani, duke ngritur pikëpyetje mbi konfliktet e mundshme të interesit.

    Demokratët në Kongres i kanë kërkuar inspektorit të përgjithshëm të Pentagonit të hetojë nëse ka pasur konflikte interesi në proceset e prokurimit dhe në dhënien e kontratave.

    Një zëdhënës i Donald Trump Jr. dhe Eric Trump ka mohuar çdo shkelje, duke deklaruar se vëllezërit nuk marrin pjesë në vendimmarrjet e qeverisë për prokurimet publike.

    Rasti po tërheq vëmendje të veçantë për shkak të vlerës së madhe të kontratave dhe lidhjeve financiare mes kompanive përfituese dhe rrethit të familjes së presidentit amerikan. /Telegrafi/

  • 100,000 nënshkrime, populli vendos për pagat minimale në Zvicër

    100,000 nënshkrime, populli vendos për pagat minimale në Zvicër

    Një aleancë e sindikatave dhe partive të majta në Zvicër ka dorëzuar më shumë se 100 mijë nënshkrime për referendum kundër ndryshimit të rregullave që do t’u lejonte marrëveshjeve kolektive të punës të tejkalojnë pagat minimale të përcaktuara nga kantonet dhe komunat.

    Ndryshimi ligjor, i miratuar nga Parlamenti zviceran gjatë verës, parashikon që pagat minimale të përcaktuara nga kantonet ose komunat të mos zbatohen për të gjithë punëtorët në sektorët ku ekzistojnë marrëveshje kolektive të punës të shpallura përgjithësisht të detyrueshme.

    Kjo ka shkaktuar reagim të fortë nga sindikatat dhe Partia Socialdemokrate e Zvicrës (SP), të cilat e konsiderojnë ndryshimin si kërcënim për pagat dhe për kompetencat e kantoneve.

    Mbi 100 mijë nënshkrime për referendum

    Komiteti kundër ndryshimit, i përbërë nga dy organizatat kryesore sindikale, SGB dhe Travail.Suisse, si dhe SP-ja dhe të Gjelbrit, ka dorëzuar më 7 tetor në Kancelarinë Federale më shumë se 100 mijë nënshkrime.

    Kjo nënkupton se çështja do të mund të shkojë në referendum dhe qytetarët zviceranë do të kenë fjalën e fundit për ndryshimin e ligjit. Sipas sindikatave, reforma prek veçanërisht punëtorët në sektorët me paga të ulëta, si gastronomia, pastrimi, parukeritë, puna përmes agjencive të punësimit, furrat dhe kasapët.

    Sindikatat: Do të preken veçanërisht gratë

    Sindikatat argumentojnë se ndryshimi do të dobësonte mbrojtjen e punëtorëve me paga të ulëta. Presidentja e Unia-s, Vania Alleva, theksoi se rreth dy të tretat e personave që përfitojnë nga pagat minimale janë gra dhe paralajmëroi se dobësimi i pagave minimale do të ndikonte edhe në barazinë gjinore.

    Në qendër të kritikave është edhe çështja e kompetencave të kantoneve dhe komunave.
    Në disa pjesë të Zvicrës, votuesit kanë miratuar përmes referendumit lokal paga minimale që vlejnë për të gjithë punëtorët. Kjo vlen, ndër të tjera, në Gjenevë dhe Neuchâtel, si dhe në qytetet Cyrih dhe Winterthur.

    Çfarë ndryshon ligji?

    Sipas reformës së miratuar nga Parlamenti, një marrëveshje kolektive e punës e shpallur përgjithësisht e detyrueshme mund të ketë përparësi ndaj pagës minimale të përcaktuar nga kantoni.

    Kjo do të thotë se punëtorët në një sektor të mbuluar nga një marrëveshje e tillë mund të mos përfitojnë më nga paga minimale kantonale nëse ajo është më e lartë se paga e përcaktuar në marrëveshjen kolektive.

    Parlamenti ka parashikuar një periudhë mbrojtjeje për pagat minimale që tashmë ekzistojnë. Ato nuk do të ulen menjëherë, por sipas sindikatave, në të ardhmen nuk do të mund të përshtaten më në të njëjtën mënyrë me rritjen e kostos së jetesës.

    Kundërshtime edhe nga Qeveria

    Ndryshimi nuk është kundërshtuar vetëm nga e majta politike.

    Edhe Qeveria Federale zvicerane ka dalë kundër reformës, duke argumentuar se ajo bie ndesh me kompetencat kushtetuese të kantoneve për përcaktimin e pagave minimale.

    Edhe kantonet kanë shprehur kritika ndaj ndryshimit.

    Në Parlament, përkrahësit e reformës kanë argumentuar se rregullat e reja janë të nevojshme për të krijuar një kornizë të qartë për marrëdhëniet mes marrëveshjeve kolektive dhe pagave minimale të përcaktuara në nivel kantonal ose komunal. Tash, pas mbledhjes së më shumë se 100 mijë nënshkrimeve, vendimi përfundimtar i takon qytetarëve zviceranë.