Category: Lajme

  • Bytyqi: Efekti i Ligjit për Specialen vihet në pah pas vlerësimit të kushtetutshmërisë

    Bytyqi: Efekti i Ligjit për Specialen vihet në pah pas vlerësimit të kushtetutshmërisë

    Pas miratimit të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, avokatët Asdren Bytyqi dhe Adrian Ibrahimi kanë folur për efektet e këtij ligji dhe rëndësinë e vlerësimit të tij nga aspekti kushtetues.

    Avokati Asdren Bytyqi, në emisionin FIVE, tha se efekti përfundimtar i ligjit mund të vlerësohet vetëm pasi të shqyrtohet kushtetutshmëria e tij.

    “Efekti i saj përfundimtar vihet në pah pas vlerësimit të kushtetutshmërisë së saj. Çdo efekt i mëparshëm, rrjedhimisht çdo gjykim mbi efektin e mëparshëm, është i parakohshëm”, deklaroi Bytyqi.

    Ndërkaq, avokati Adrian Ibrahimi theksoi rëndësinë që miratimi i këtij ligji të mos ndikojë negativisht në imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    “Shumë është me rëndësi mos me u dëmtu imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Shpresojmë që ky veprim, ose ky projektligj që është miratuar dje, të mos kuptohet në konotacion negativ, por të kuptohet si një kërkesë për zbatimin e të drejtës në mënyrë të plotë, të barabartë dhe objektive nga Dhomat e Specializuara”, tha Ibrahimi.

    Ai rikujtoi se Dhomat e Specializuara janë krijuar me vetëdije dhe vullnet nga shteti i Kosovës, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të drejtës në mënyrë objektive.

    “Dhomat e Specializuara janë krijuar me vetëdije edhe me vullnet nga shteti i Kosovës”, shtoi Ibrahimi.

  • Kongresisti amerikan akuzon Vuçiqin: Po tenton të vjedhë zgjedhjet në Serbi

    Kongresisti amerikan akuzon Vuçiqin: Po tenton të vjedhë zgjedhjet në Serbi

    Kongresisti amerikan, Joe Wilson ka akuzuar pushtetin e Aleksandar Vuçiqit se po përpiqet të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme në Serbi.

    Në një reagim të tij, Wilson ka pretenduar se “regjimi i Vuçiqit, i mbështetur nga Kina dhe Rusia, po përpiqet të vjedhë zgjedhjet”.

    Ai u ka bërë thirrje mbështetësve të demokracisë dhe komunitetit ndërkombëtar që ta monitorojnë nga afër procesin zgjedhor dhe të mos i anashkalojnë zhvillimet në Serbi.

    “Bota nuk duhet të shikojë nga ana tjetër!”, ka shkruar Wilson në X.

    Akuzat e Wilson vijnë në një periudhë të tensionuar politike në Serbi, ku zgjedhjet e 25 tetorit zhvillohen pas muajsh protestash kundër qeverisë.

    Vëzhgues ndërkombëtarë kanë ngritur më herët shqetësime për parregullsi në zgjedhjet serbe, ndërsa marrëdhëniet e Beogradit me Moskën dhe Pekinin vazhdojnë të jenë në fokus të kritikave perëndimore.

    Wilson kishte shprehur edhe më herët shqetësime për integritetin e zgjedhjeve në Serbi, duke thënë se ekzistojnë indikacione për presione dhe manipulime të mundshme të procesit zgjedhor. /Telegrafi/

  • Pasardhësja e Parmelinit: A duhet të jetë një grua nga Zvicra perëndimore?

    Pasardhësja e Parmelinit: A duhet të jetë një grua nga Zvicra perëndimore?

    Pas njoftimit për largimin e Guy Parmelin nga Këshilli Federal zviceran në fund të vitit 2026, gara për pasardhësin e tij ka nisur të marrë formë.

    Partia Popullore Zvicerane (SVP) pritet ta mbajë ulësen, por mbetet e hapur pyetja se kush do ta përfaqësojë atë dhe nga cila pjesë e vendit do të vijë.

    Parmelin njoftoi se do të largohet nga qeveria zvicerane pas 11 vitesh në detyrë.

    Zgjedhja e pasardhësit të tij do të bëhet më 9 dhjetor, ndërsa kandidatët kanë afat deri më 23 tetor për të paraqitur kandidaturat.

    Një prej çështjeve kryesore është nëse ulësja e Parmelinit duhet të mbetet në Zvicrën frankofone.

    Parmelin ishte zvicerano-frankofoni i parë nga SVP që u zgjodh në Këshillin Federal. Përfaqësues të partisë në pjesën frankofone të vendit kanë shprehur dëshirën që edhe pasardhësi i tij të vijë nga ky rajon.

    Megjithatë, kjo nuk është kërkesë kushtetuese. Nëse ulësja i kalon një kandidati nga Zvicra gjermanofone, përfaqësimi i Zvicrës latine në qeveri do të mbetej i garantuar përmes Elisabeth Baume-Schneider dhe Ignazio Cassis.

    Mund të zgjidhet për herë të parë një grua nga SVP-ja

    Një tjetër element që po merr rëndësi është përfaqësimi gjinor.

    SVP-ja nuk ka pasur asnjëherë një grua në Këshillin Federal. Tash, në mesin e emrave që po përmenden janë disa gra me përvojë të gjatë politike.

    Ndër to janë senatorja e St. Gallenit, Esther Friedli, deputetja nga Gjeneva, Céline Amaudruz, dhe këshilltarja qeveritare e Cyrihut, Natalie Rickli.

    Vetë Guy Parmelin ka folur në favor të një ndryshimi gjenerate dhe ka përmendur këto tri politikane si persona me përvojën e nevojshme për të marrë një detyrë të tillë.

    Kush janë emrat kryesorë?

    Céline Amaudruz shihet si një kandidatе e mundshme nëse SVP-ja dëshiron ta mbajë ulësen në pjesën frankofone të Zvicrës. Ajo është nënkryetare e SVP-së dhe një prej figurave të njohura të partisë në Zvicrën frankofone.

    Natalie Rickli, 49-vjeçare, konsiderohet gjithashtu një prej emrave me profil të fortë. Ajo ka qenë deputete federale dhe aktualisht është këshilltare qeveritare në Cyrih. Megjithatë, ajo ka dorëzuar kandidaturën për një mandat të tretë në qeverinë e Cyrihut dhe ende nuk e ka bërë të qartë nëse do të hyjë në garën për Këshillin Federal.

    Esther Friedli, senatore nga St. Galleni, është një tjetër emër i rëndësishëm. Një prej pengesave të mundshme për kandidaturën e saj është se kantoni St. Gallen do të kishte dy përfaqësues në Këshillin Federal.

    Edhe burrat janë në garë

    Gara nuk kufizohet vetëm te kandidatet gra.

    Kantoni Schwyz ka propozuar këshilltarin qeveritar André Rüegsegger, ndërsa deputeti nga Luzerni, Franz Grüter, po e shqyrton mundësinë për të kandiduar.

    Grüter konsiderohet një prej figurave të rëndësishme brenda SVP-së dhe mund të jetë një prej kandidatëve që do të përfshihet në listën zyrtare të partisë.

    Edhe kreu i grupit parlamentar të SVP-së, Thomas Aeschi, mund ta provojë sërish. Ai kishte kandiduar edhe në vitin 2015, kur parlamenti zgjodhi përfundimisht Guy Parmelinin.

    Megjithatë, një problem për Aeschin mund të jetë përfaqësimi i kantonit Zug, pasi Martin Pfister tashmë përfaqëson këtë kanton në Këshillin Federal.

    Të Gjelbrit nuk do ta sfidojnë SVP-në

    Partia e Gjelbër zvicerane ka bërë të ditur se nuk do të paraqesë kandidat për ta sfiduar SVP-në për këtë ulëse.

    Të Gjelbrit po shikojnë më shumë drejt zgjedhjeve federale të vitit të ardhshëm dhe mund të synojnë një prej ulëseve që aktualisht i takojnë FDP-së.

    Parmelin kërkon ndryshim gjenerate

    Vetë Guy Parmelin ka deklaruar se është koha për një ndryshim gjenerate në Këshillin Federal.

    Ai ka përmendur tri gratë që po diskutohen si kandidate të mundshme dhe ka theksuar se ato janë rreth 20 vjet më të reja se ai, por tashmë kanë përvojë të konsiderueshme politike.

    Parmelin ka kritikuar gjithashtu paragjykimet ndaj grave në politikë, duke argumentuar se pyetje të tilla si “kush do të kujdeset për fëmijët?” i përkasin një mendësie të vjetër.

    Sipas politologëve, një prej faktorëve më të rëndësishëm në zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Federal është mbështetja që kandidati arrin të sigurojë brenda Parlamentit Federal.

    Vendimi merret më 9 dhjetor

    Pavarësisht emrave që po përmenden, gara mbetet e hapur.

    Kandidatët kanë afat deri më 23 tetor për të paraqitur kandidaturat, ndërsa Asambleja Federale do të zgjedhë pasardhësin e Guy Parmelinit më 9 dhjetor 2026.

    Dy prej pyetjeve kryesore që do ta shoqërojnë garën deri atëherë janë nëse SVP-ja do ta mbajë ulësen në Zvicrën frankofone dhe nëse partia do të nominojë për herë të parë një grua për Këshillin Federal./Telegrafi/

  • Nga Arteta te Klopp, e më pas Mourinho: Prapaskenat e çuditshme të Real Madridit

    Nga Arteta te Klopp, e më pas Mourinho: Prapaskenat e çuditshme të Real Madridit

    Mikel Arteta ishte zgjedhja e parë e kandidatit për president të Real Madridit, Enrique Riquelme, për postin e trajnerit të klubit, para se ky i fundit të ndryshonte qëndrim dhe të preferonte Jurgen Kloppin.

    Sipas “The Athletic”, Riquelme e kishte identifikuar Artetën si një nga kandidatët për të pasuar Alvaro Arbeloan, si pjesë e planit të tij gjatë fushatës presidenciale. Trajneri i Arsenalit shihej si një opsion tërheqës për Real Madridin në prag të ndryshimit të trajnerit.

    Arteta kishte nënshkruar së fundmi një kontratë të re katërvjeçare me Arsenalin, pas triumfit të klubit në Ligën Premier, por pavarësisht kësaj emri i tij ishte futur në planet e Riquelmes.

    Megjithatë, planet e këtij të fundit ndryshuan dhe Klopp u bë kandidati i tij i preferuar për stolin e Real Madridit.

    Në fund, Florentino Perez fitoi zgjedhjet presidenciale dhe vendosi ta rikthente Jose Mourinhon në stolin e Real Madridit.

    Kështu, emri i Artetës nuk shkoi përtej fazës së hershme të konsiderimit dhe spanjolli vazhdoi punën te Arsenali.

    Arteta më herët është lidhur edhe me klube të tjera të mëdha, përfshirë Barcelonën, por ka vazhduar të jetë në krye të Arsenalit. Ndërkohë, Real Madridi ka pasur një fillim jo të qëndrueshëm të sezonit nën drejtimin e Mourinhos, duke shtuar pikëpyetjet rreth vendimit për rikthimin e trajnerit portugez./Telegrafi/

  • “Ka 4 fëmijë”, mikesha e Justina Shiroka Pula tregon anën e panjohur të presidentes së re

    “Ka 4 fëmijë”, mikesha e Justina Shiroka Pula tregon anën e panjohur të presidentes së re

    Prof. Dr. Vjosa Sadriu Hamiti, profesoreshë e gjuhës gjermane në Universitetin e Prishtinës ka folur për presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, të cilën e ka mikeshë të afërt.

    Ajo e përshkroi presidenten e sapoemëruar si një figurë të përkushtuar ndaj punës, akademisë dhe artit, raporton Top Channel.

    Sipas saj, emri i Justines erdhi në mënyrë të befasishme, ndërsa përzgjedhja e saj përcjell një mesazh të rëndësishëm për mundësinë e arritjes së posteve më të larta shtetërore përmes punës dhe përkushtimit.

    Ajo theksoi se presidentja e re vjen nga një profil i ndryshëm, i ndërtuar mbi një karrierë akademike dhe kërkimore, duke përmendur hulumtimet dhe librat e saj.

    “Emri i saj erdhi në mënyrë të befasishme. Emri i saj është sinonim i unitetit dhe i punës së vazhdueshme. Justina vjen nga një background komplet tjetër, që është i përmbushur si në aspektin akademik, me hulumtimet e librat e saj. Për ne ishte një gëzim shumë i madh, ajo përçon një mesazh, që me punë serioze mund të arrihen edhe majat e institucioneve më të larta shtetërore.

    “Presidentja është një grua që ka një familje shumë të mirë dhe të shëndoshë. Ka 4 fëmijë, një vajzë, një djalë dhe binjakë djem. Në kohën kur ne ishim komshinj, tre vite, unë të përbashkët kemi se edhe unë kam binjakë. Më ka pas dhënë shumë këshilla, se si duhet të silleshe si nënë e re, sidomos me binjakë”.

    “Është një personalitet i njohur në Kosovë dhe akademinë shkencore në Shqipëri. Babai i saj ka qenë artist, të përbashkët me të e kemi dashurinë për artin”.

    “Talenti i presidentes mund të them që është një koleksioniste, shumë e dhënë pas artit vizual, piktura e skulptura të ndryshme. Në shtëpinë e saj ka piktura të të gjithë piktorëve shqiptarë. Është artdashëse, vjen nga familja, por na e ka trashëguar edhe neve si mike të saj”, tha ajo.

  • Gazetari shqiptar paralajmëron publikimin e fotove intime të deputetit të Kosovës

    Gazetari shqiptar paralajmëron publikimin e fotove intime të deputetit të Kosovës

    Gazetari shqiptar paralajmëron publikimin e fotove intime të deputetit të Kosovës

    Gazetari shqiptar, Elton Tozaj ka paralajmëruar publikimin e fotografive që, sipas tij, lidhen me një deputet të Kuvendit të Kosovës.

    Në një paraqitje në TikTok, Tozaj tha se deputeti, emrin e të cilit nuk e bëri publik, ka dërguar një numër të madh fotografish.

    “Mos kujtoni se e kam lënë jashtë Kosovën, duhet të keni diçka parasysh, Kosova ka një deputet i cili ka rënë viktimë në mënyrën më spektakolare, se ai ka dërguar më shumë foto se të gjithë”.

    “Deputet që ka bërë namin. I Vetëvendosjes është deputeti, do të dalë edhe ai, po le të mbarojmë shpejt e shpejt këto, pastaj fillojmë me Big Brotherin politik se aty do të keni spektakël”, u shpreh ai./Klankosova.tv

  • Roma dhe Juventusi pas Doumbias, Sporting vendos “mur” prej 80 milionë eurosh

    Roma dhe Juventusi pas Doumbias, Sporting vendos “mur” prej 80 milionë eurosh

    Roma dhe Juventusi pas Doumbias, Sporting vendos “mur” prej 80 milionë eurosh

    Mesfushori i Sportingut, Issa Doumbia, ka tërhequr vëmendjen pas paraqitjes së tij si titullar me Kombëtaren e Italisë.

    Lojtari i lindur në vitin 2003 ishte protagonist në fitoren 4-1 ndaj Turqisë nën drejtimin e Roberto Mancinit, duke bërë përshtypje me paraqitjen e tij.

    Sipas raportimeve të Ekr​em Konur, Roma dhe Juventusi po e ndjekin nga afër rritjen e ish-lojtarit të Venezias. Për Romën bëhet fjalë për një interesim që rikthehet, pasi klubi kryeqytetas e kishte monitoruar Doumbian edhe gjatë verës së kaluar.

    Megjithatë, transferimi i tij nga Sportingu nuk do të jetë aspak i lehtë. Klubi portugez beson fuqishëm te mesfushori dhe në kontratën e tij ka vendosur një klauzolë lirimi prej 80 milionë eurosh.

    Kështu, Roma dhe Juventusi duhet të përgatiten për një investim të madh nëse dëshirojnë ta transferojnë talentin italian.

  • Kryetari i Akademisë Kroate të Shkencave dhe Arteve e uron ish-homologen Shiroka-Pula

    Kryetari i Akademisë Kroate të Shkencave dhe Arteve e uron ish-homologen Shiroka-Pula

    Kryetari i Akademisë Kroate të Shkencave dhe Arteve e uron ish-homologen Shiroka-Pula

    Kryetari i Akademisë Kroate të Shkencave dhe Arteve (HAZU), akademiku Velimir Neidhardt, e ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen si Presidente e Kosovës.

    Në urim të Akademisë Kroate përmendet fakti që Shiroka Pula kishte qenë për vizitë në Kroaci para pak kohësh.

    “Presidentja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademikja Justina Shiroka-Pula, u zgjodh sot Presidente e Republikës së Kosovës. Vetëm dy javë më parë, më 24 shtator, ajo ishte në Zagreb dhe vizitoi Akademinë Kroate të Shkencave dhe Arteve.”, thuhet në urimin e kësaj akademie.

    Shiroka Pula deri në zgjedhjen e saj si presidente e Kosovës një natë më parë, ka qenë kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. /Klankosova.tv

  • MPB: Sanksionohet shoferi që pengoi qarkullimin në qendër të Shkupit

    MPB: Sanksionohet shoferi që pengoi qarkullimin në qendër të Shkupit

    MPB Maqedoni njofton se është sanksionuar shoferi i cili me automjet pengonte qarkullimin në qendër të Shkupit. Nga MPB thonë se ai është identifikuar dhe është thirrur në stacion policor.

    “Lidhur me videon e shpërndarë në një pjesë të mediave sociale, në të cilën shihet se si një automjet i udhëtarëve më 05.10.2026 pengon lëvizjen e automjeteve të tjera në zonën qendrore të qytetit të Shkupit, në kryqëzimin e rr. „11 Tetori“, rr. „Dame Gruev“ dhe rr. „Filipi i Dytë i Maqedonisë“, sot (07.10.2026), në SPB Shkup është thirrur N.V., pronari i automjetit të udhëtarëve „Golf“, me targa të Shkupit”.

    “Nga ana e SPB Shkup ndaj N.V. janë ndërmarrë masa sipas nenit 3, paragrafi 3 të Ligjit për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor”, thonë nga MPB Maqedoni.

  • Ferdinand nuk përmbahet pas sulmit ndaj Ronaldos: Terminologji e çmendur!

    Ferdinand nuk përmbahet pas sulmit ndaj Ronaldos: Terminologji e çmendur!

    Legjenda e Manchester Unitedit, Rio Ferdinand, ka dalë në mbrojtje të ish-bashkëlojtarit të tij, Cristiano Ronaldo, pas një artikulli kritik ndaj yllit portugez.

    Sulmuesi 41-vjeçar u largua më herët nga grumbullimi i Kombëtares së Portugalisë, pasi trajneri Jorge Jesus vendosi të mos e aktivizonte në ndeshjen ndaj Norvegjisë më 27 shtator.

    Të mërkurën, Ronaldo publikoi një deklaratë ku akuzoi Jesusin se kishte shkelur premtimet që i kishte bërë.

    Pas kësaj, Ferdinand rishpërndau në rrjetin social X një artikull të “The Mirror”, të shkruar nga Harry Brent, me titullin kritik ndaj Ronaldos.

    Artikulli e cilësonte Ronaldon si “narcisist” dhe kërkonte që ai të lihej jashtë Kombëtares së Portugalisë pas deklaratës së tij të gjatë.

    Ferdinand reagoi ashpër ndaj këtij përshkrimi.

    “‘Narcisist’? Terminologji e çmendur për t’u përdorur për dikë që i ka dhënë kaq shumë futbollit dhe vendit të tij.”

    “Harry Brent, mblidhe pak mendjen!”, shkroi Ferdinand në llogarinë e tij në X.

    Ndërkohë, ende është e paqartë se çfarë dënimi do t’i jep Federata Portugeze Ronaldos, ose nëse lojtari do të jetë i disponueshëm për t’u ftuar për ndeshjet e nëntorit./Telegrafi/