Category: Lajme

  • Po shpërthen në Francë, gjiganti anglez e sheh si yllin e ardhshëm të sulmit

    Po shpërthen në Francë, gjiganti anglez e sheh si yllin e ardhshëm të sulmit

    Paris Brunner po përjeton momentin më të mirë të karrierës së tij dhe paraqitjet e sulmuesit të ri të Monacos kanë bërë që emri i tij të lidhet me disa prej klubeve më të mëdha evropiane.

    Sulmuesi gjerman, vetëm 20-vjeçar, ka nisur sezonin në mënyrë fantastike në Francë, duke u shndërruar në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Monacos dhe duke tërhequr vëmendjen edhe të përzgjedhësit të Gjermanisë, Jurgen Kloppit.

    Shpërtheu te Dortmundi

    Brunner e nisi rrugëtimin drejt futbollit të madh në moshën 14-vjeçare, kur iu bashkua akademisë së Borussia Dortmundit në vitin 2020.

    Gjatë katër viteve në nivelet e të rinjve të klubit gjerman, ai shënoi plot 56 gola në 74 paraqitje, duke treguar shumë shpejt se bëhej fjalë për një talent të veçantë.

    Kulmi me ekipet e moshave të Gjermanisë erdhi në vitin 2023. Brunner fitoi Kampionatin Evropian U17, ku shënoi katër gola dhe ndau Këpucën e Artë, ndërsa u shpall edhe lojtari i turneut.

    Po atë vit, ai ishte protagonist edhe në triumfin e Gjermanisë në Kupën e Botës U17 në Indonezi. Shënoi pesë gola, përfshirë një në finalen ndaj Francës, dhe në fund fitoi Topin e Artë të turneut.

    Monaco e mori për vetëm 4 milionë euro

    Borussia Dortmundi kishte tentuar ta mbante në klub me një kontratë profesionale, por palët nuk arritën marrëveshje.

    Për të mos e humbur lojtarin pa kompensim, klubi gjerman e shiti Brunnerin te Monaco në gusht të vitit 2024 për rreth katër milionë euro.

    Francezët e dërguan menjëherë në huazim te Cercle Brugge në Belgjikë, ku ai pati mundësinë të përballej për herë të parë me futbollin profesionist dhe garat evropiane.

    Edhe pse pati vështirësi në fillim dhe u përball me një lëndim që e la jashtë fushës për më shumë se dy muaj, Brunner arriti të shënonte gjashtë gola në vetëm tetë ndeshje si titullar.

    Një sezon i vështirë, por ai nuk u dorëzua

    Sezoni i parë i plotë te Monaco nuk shkoi sipas pritshmërive.

    Brunner kishte vështirësi të gjente hapësirë në ekipin e parë, ndërsa në një moment iu desh të luante edhe me ekipin U21.

    Megjithatë, ai vazhdoi të shkëlqente me Gjermaninë. Në vetëm katër ndeshje me U20-shat, shënoi tetë gola, përfshirë dy gola ndaj Italisë dhe një hat-trick ndaj Rumanisë.

    “Efikasiteti i tij para portës mbetet i klasit botëror për moshën e tij”, kishte deklaruar trajneri i Gjermanisë U20, Hannes Wolf.

    Filipe Luis i dha besimin dhe Brunner shpërtheu

    Gjithçka ndryshoi me ardhjen e Filipe Luisit në stolin e Monacos. Me sulmuesit Folarin Balogun dhe Matthias Abline të dëmtuar në fillim të sezonit, Brunner mori mundësinë të luante si sulmues qendre.

    Ai nuk priti gjatë për të treguar vlerat. Në ndeshjen ndaj Gornik Zabrzes në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ai shënoi golin vendimtar në fitoren 3-2 të Monacos.

    Më pas vazhdoi me pesë gola në gjashtë paraqitje, përfshirë një dopietë spektakolare ndaj Marseille.

    Në njërin prej golave, Brunner mori topin pas një rivënie nga porta, përshkoi një pjesë të madhe të fushës, depërtoi në zonë dhe e dërgoi topin qetësisht në rrjetë.

    Filipe Luis e përshkroi atë gol si një “kryevepër”.

    Klopp po e ndjek nga afër

    Forma e Brunnerit nuk ka kaluar pa u vërejtur as nga Jürgen Klopp. Përzgjedhësi i Gjermanisë e ka cilësuar atë si një talent të madh dhe ka bërë të qartë se sulmuesi është në radarët e kombëtares.

    Brunner tashmë është ftuar te Gjermania U21 dhe në debutimin e tij shënoi dy gola në fitoren 4-0 ndaj Letonisë në kualifikimet për Evropianin U21.

    Për më tepër, ekziston edhe një dilemë për të ardhmen e tij ndërkombëtare, pasi Brunner ka prejardhje nga Kongo dhe mund të përfaqësojë edhe Republikën Demokratike të Kongos. Megjithatë, ai ka shkëlqyer me Gjermaninë në grupmoshat e reja.

    Manchester Unitedi po e sheh si një mundësi

    Forma e tij ka bërë që të rritet edhe interesimi nga klubet e mëdha. Liverpooli thuhet se po e monitoron situatën e tij, ndërsa Manchester Unitedi shihet si një prej klubeve që mund të tentojë transferimin e tij.

    Brunner aktualisht vlerësohet rreth 15 milionë euro, një shifër relativisht e ulët për një sulmues 20-vjeçar me potencialin që po tregon në Ligue 1.

    Shpejtësia, fuqia fizike, aftësia në duelet një kundër një dhe instinkti para portës janë disa prej karakteristikave që e bëjnë atë një profil interesant për Premier Leaguen.

    Manchester Unitedi po kërkon zgjidhje në sulm, ndërsa dëmtimi i Benjamin Sesko dhe forma jo bindëse e Joshua Zirkzees e bëjnë situatën edhe më të rëndësishme për klubin anglez.

    Brunner tashmë ka kaluar fazën e “talentit premtues”. Me paraqitjet e fundit te Monaco, ai po kërkon të bëhet një prej emrave të rinj më të kërkuar në Evropë. /Telegrafi/

  • Arteta trajner i Arsenalit deri në vitin 2030

    Arteta trajner i Arsenalit deri në vitin 2030

    Arteta trajner i Arsenalit deri në vitin 2030

    Klubi londinez ka zyrtarizuar sot rinovimin e kontratës me trajnerin spanjoll, duke i dhënë atij besim për të vazhduar projektin e nisur në vitin 2019.

    Arteta e udhëhoqi sezonin e kaluar Arsenalin drejt titullit të Premier League, duke i dhënë klubit trofeun e kampionatit pas 22 vitesh pritje. Gjithashtu, skuadra arriti deri në finalen e Champions League.

    Me marrëveshjen e re, Arteta pritet të jetë në stolin e Arsenalit për më shumë se një dekadë, teksa synimi i klubit është të vazhdojë suksesin dhe të luftojë për trofe të mëdhenj në vitet e ardhshme.

    “Ky është vetëm fillimi”, ka deklaruar Arteta pas nënshkrimit të kontratës së re.

  • Terras: Kosova duhet ta kthejë stabilitetin në reforma dhe rritje ekonomike

    Terras: Kosova duhet ta kthejë stabilitetin në reforma dhe rritje ekonomike

    Terras: Kosova duhet ta kthejë stabilitetin në reforma dhe rritje ekonomike

    Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, ka reaguar pas zgjedhjes së presidentes së re, Justina Shiroka-Pula.

    Ai ka thënë se stabiliteti institucional duhet të sjellë reforma dhe rritje ekonomike.

    Terras në një postim në rrjetin X, ka thënë se qytetarët e Kosovës e mbështesin fuqimisht anëtarësimin në BE.

    “Si raportues për Kosovën, do ta intensifikoj bashkëpunimin me institucionet e saj për të çuar përpara rrugëtimin e vendit drejt BE-së”, ka thënë Terras.

  • Kancelari gjerman nis detyrën në Rusi - publikohen pamjet e arritjes në vendin e punës në Moskë

    Kancelari gjerman nis detyrën në Rusi – publikohen pamjet e arritjes në vendin e punës në Moskë

    Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroder, i cili së fundmi iu bashkua bordit mbikëqyrës të zinxhirit rus të supermarketeve Hyperglobus, vizitoi të mërkurën një prej dyqaneve të kompanisë në Moskë, ku u prit me duartrokitje nga punëtorët.

    Pamjet e publikuara nga televizioni rus RBC tregojnë Schroderin duke hyrë në supermarket, ndërsa punonjësit e pritën me duartrokitje të gjata.

    Ish-kancelari, i buzëqeshur, tha se ishte i kënaqur që ndodhej aty dhe që kishte mundësi të shihte supermarketin dhe rezultatet e punës së stafit.

    Vizita vjen pak ditë pasi Schroder u emërua në bordin mbikëqyrës të Hyperglobus, kompanisë që menaxhon aktivitetin e rrjetit Globus në Rusi.

    Operacionet ruse të Globus u shkëputën nga grupi gjerman Globus Holding vitin e kaluar, ndërsa supermarketet në Rusi vazhdojnë të përdorin markën Globus.

    Schroder, i cili ishte kancelar i Gjermanisë nga viti 1998 deri më 2005, ka ruajtur prej vitesh lidhje të afërta me Rusinë dhe presidentin rus, Vladimir Putin. Pas largimit nga politika, ai ka punuar për disa kompani shtetërore ruse.

    Marrëdhëniet e tij me Moskën kanë qenë objekt kritikash të vazhdueshme, veçanërisht në Gjermani, për shkak se ai ka vazhduar të mbajë lidhje me bizneset ruse edhe pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe vendosjes së sanksioneve perëndimore.

    Në rolin e tij të ri, Schroder pritet të marrë pjesë në drejtimin e përgjithshëm të kompanisë dhe të kontribuojë në zhvillimin strategjik të biznesit të saj në tregun rus. /Telegrafi/

  • U bë viral me flamurin e UÇK-së: Gjyqtari i Superligës Jashari përlotet duke treguar çfarë ndodhi në protestën ku ia thyen këmbën

    U bë viral me flamurin e UÇK-së: Gjyqtari i Superligës Jashari përlotet duke treguar çfarë ndodhi në protestën ku ia thyen këmbën

    Gjyqtari i Superligës së Kosovës, Lirim Jashari, është emocionuar deri në lot teksa ka rrëfyer momentin kur u bë viral gjatë protestave në Prishtinë, ku protestuesit kërkuan votimin e ndryshimeve për Ligjin e Speciales.

    Jashari, në emisionin “DPT te Fidani”, ka treguar më në detaje se si kishte ndodhur skena kur ai mori flamurin e UÇK-së nga duart e një të riu dhe iu afrua Policisë, në përpjekje për t’u treguar se ndaj kujt po gjuanin.

    Ai ka rrëfyer se gjithçka kishte ndodhur pasi protestuesit ishin kthyer dhe ishin grumbulluar në Sheshin “Skënderbeu”, pas përleshjeve dhe tensioneve që kishin ndodhur gjatë protestës.

    “Gjithçka filloi kur ne u kthyem dhe u grumbulluam te Sheshi ‘Skënderbeu’, pas gjithë atyre skenave që ndodhën. Në momentin kur Çlirim Haziri, organizatori ynë, e ka marrë fjalën dhe ka filluar realisht ta përmbyllë protestën, për shkak se situata eskaloi dhe nuk mbeti më asgjë përpos sulmeve të Policisë ndaj nesh, ka ardhur nëna e Çlirimit aty. Kur e pashë gjendjen fizike të Çlirimit dhe mënyrën se si e përjetoi ajo, u mërzita shumë”.

    Sipas tij, situata u tensionua edhe më shumë kur Policia filloi të përdorte gaz lotsjellës ndaj turmës.

    “Filloi Policia të hedhë gaz lotsjellës në mes të turmës, u kthyem krejt prapa dhe në atë moment e kam parë një djalë të ri me flamur, Granit Zogjani, djali i një dëshmori. U ndala për një moment dhe mendova: ndaj kujt po gjuajnë?”, rrëfeu ai.

    Jashari më pas ka treguar se, pavarësisht rrezikut, vendosi t’ia merrte flamurin të riut dhe t’i afrohej Policisë.

    “Edhe pse e mendova rrezikun, e vendosa me ia kap flamurin atij djalit edhe me iu afrua policëve dhe me iu tregu se ndaj kujt janë duke gjuajtur”.

    Jashari ka treguar se në atë moment ishte goditur, për çka pretendon se kishte pësuar lëndim dhe thyerje të këmbës.

    Duke e kujtuar gjithë ngjarjen, gjyqtari i Superligës u përlot dhe tha se ajo që e kishte prekur më së shumti ishte pamja e fëmijëve të dëshmorëve duke u sulmuar.

    “U emocionova shumë kur i pashë fëmijët e dëshmorëve duke u sulmuar në atë mënyrë”, u shpreh Jashari mes lotësh./Telegrafi/

  • Gashi në takim me ambasadorin e ri të Turqisë: Maqedonia e Veriut dhe Turqia kultivojnë një miqësi dhe partneritet të fortë tradicional

    Gashi në takim me ambasadorin e ri të Turqisë: Maqedonia e Veriut dhe Turqia kultivojnë një miqësi dhe partneritet të fortë tradicional

    Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot u takua me ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Turqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Alper Aktash. Siç njoftojnë nga kabineti i Gashit, në takim, ai i uroi ambasadorit mirëseardhje në Kuvend dhe sukses në ushtrimin e funksionit të tij të ri.

    “Ai theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Turqia kultivojnë një miqësi dhe partneritet të fortë tradicional, kanë lidhje të rrënjosura historike dhe kulturore, si dhe bashkëpunim dinamik në të gjitha nivelet. Të dyja shtetet mbajnë komunikim intensiv në nivel të lartë, i cili kontribuon ndjeshëm në përparimin e marrëdhënieve të përgjithshme ndërmjet dy vendeve”.

    “Kryetari Gashi i theksoi marrëdhëniet e mira dhe miqësore ndërmjet dy vendeve, të cilat reflektohen edhe në bashkëpunimin e frytshëm dhe të suksesshëm parlamentar, duke filluar nga niveli më i lartë, ndërmjet kryetarëve të parlamenteve, e më tej ndërmjet komisioneve, grupeve të miqësisë dhe bashkëpunimit. Republika e Turqisë është ndër partnerët më të rëndësishëm tregtarë dhe një nga vendet që investon vazhdimisht në ekonominë maqedonase në sektorë të ndryshëm, duke u shfaqur si një partner strategjik investues”.

    “Ambasadori Aktash theksoi se do të angazhohet për rritjen e shkëmbimit tregtar ndërmjet dy shteteve, përparimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe investimeve, si dhe realizimin e projekteve infrastrukturore”, thuhet në njoftim.

    Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se, përveç marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy shteteve, ekziston gjithmonë hapësirë për përparimin e bashkëpunimit me interes të ndërsjellë. Në veçanti, kjo i referohet bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e kulturës, arsimit, bujqësisë, shëndetësisë dhe turizmit.

  • Identifikohet viktima e zjarrit në Winterthur, ishte banori i zhdukur

    Identifikohet viktima e zjarrit në Winterthur, ishte banori i zhdukur

    Është identifikuar personi që humbi jetën në zjarrin që përfshiu një pallat apartamentesh në Winterthur të Zvicrës. Policia kantonale e Cyrihut ka konfirmuar se viktima ishte banori i ndërtesës, i cili ishte raportuar i zhdukur pas shpërthimit të zjarrit.

    Trupi i pajetë i tij u gjet të martën në njërin prej apartamenteve në papafingo, ndërsa identifikimi u konfirmua nga policia të mërkurën në mbrëmje.

    Shkaqet e zjarrit ende nuk janë përcaktuar. Sipas policisë kantonale të Cyrihut, hetimet për rrethanat dhe shkakun e shpërthimit të zjarrit janë duke vazhduar.

    Alarmi për zjarrin ishte dhënë rreth orës 09:30 të martën, shkruan Waston, transmeton Telegrafi.

    Kur ekipet e zjarrfikësve mbërritën në vendngjarje, flakët tashmë po dilnin nga çatia e ndërtesës. Për shkak të përhapjes së zjarrit, policia e qytetit të Winterthurit evakuoi të gjithë ndërtesën.

    Disa nga apartamentet kanë pësuar dëme të konsiderueshme dhe aktualisht janë të pabanueshme. Për këtë arsye, autoritetet kanë siguruar strehim të përkohshëm për banorët e prekur.

    Sipas vlerësimeve fillestare të policisë, dëmet materiale nga zjarri tejkalojnë një milion franga zvicerane.

    Ndërkohë, autoritetet po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar se si nisi zjarri dhe cilat ishin rrethanat që çuan në vdekjen e banorit./Telegrafi/

  • Molliqaj: Ligji për Specialen, mashtrimi më i madh politik në historinë e Kosovës (VIDEO)

    Molliqaj: Ligji për Specialen, mashtrimi më i madh politik në historinë e Kosovës (VIDEO)

    Molliqaj: Ligji për Specialen, mashtrimi më i madh politik në historinë e Kosovës (VIDEO)

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj ka komentuar miratimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Në emisionin “DPT Te Fidani” në Klan Kosova, Molliqaj u shpreh kritik me miratimin e këtij ligji në lexim të dytë, madje duke e quajtur këtë nismë si mashtrimin më të madh politik në historinë e Kosovës.

    “…Ligji është mashtrimi më i madh politik në historinë e Kosovë prej paslufte… kush s’e din është budall në kuptimin e plotë të fjalës… Asnjë shans përmes ligjit nuk ka me u kornizu ose zvogëlu kompetencat e Gjykatës ose Dhomave të Specializuara…S’mundet me u zhbë Gjykata, janë t’u e rrejtë secilin njeri…”, deklaroi ai për KlanKosova.

  • Ambasada gjermane “thellësisht e shqetësuar” pas ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale

    Ambasada gjermane “thellësisht e shqetësuar” pas ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale

    Ambasada gjermane “thellësisht e shqetësuar” pas ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale

    Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka thënë të mërkurën për Radion Evropa e Lirë se ndihet “thellësisht e shqetësuar” për ndryshimet që Kuvendi i Kosovës i bëri një ditë më parë në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Ligjvënësit kosovarë e ndryshuan ligjin për t’ia kufizuar kompetencat gjykatës me bazë në Hagë gjatë një votimi pak para mesnatës të martën.

    Në një përgjigje për REL-in, zëdhënësja e Ambasadës së Gjermanisë, Catalina Heine, tha se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë institucion i pavarur gjyqësor dhe se pavarësia e tyre nuk bën të cenohet.

    “Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion gjyqësor i pavarur dhe u themeluan në bazë të ligjit të Kosovës dhe mbështetën në Kushtetutën e Kosovës. Qëllimi i tyre është të sigurojnë llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Për të përmbushur këtë synim, pavarësia e tyre duhet të respektohet plotësisht”, thuhet në përgjigje.

    Ambasada gjithashtu theksoi se e mbështet qëndrimin e BE-së kundër ndryshimeve në këtë ligj.

    Më herët, Bashkimi Evropian tha se këto ndryshime bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj bllokut.

    “Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, deklaroi zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand, për Radion Evropa e Lirë.

    REL-i e ka kontaktuar Qeverinë e Kosovës për të kërkuar koment lidhur me shqetësimet e ngritura nga ndërkombëtarët për këtë çështje, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.

    Përparim Gruda, zyrtari i partisë kryesore opozitare e cila i inicio ndryshimet në ligj, Partia Demokratike e Kosovës, e nguli këmbë se Kosova “nuk po i shkel” detyrimet e veta ndërkombëtare.

    Ndryshimet e miratuara e ngushtojnë juridiksionin e Speciales në aspektin e veprave, kohës dhe territorit, e kufizojnë dënimin në 15 vjet dhe parashohin transferimin e rasteve apo dënimeve në Kosovë.

    Këto ndryshim vijnë pasi më 16 shtator kjo gjykatë i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Që të katër i kanë mohuar akuzat dhe kanë thënë se do të ankohen në Apel.

    Baza juridike për themelimin e Dhomave të Specializuara është këmbimi i letrave i vitit 2014 mes presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.

    Ndër zotimet që mori Kosova asokohe ishte edhe të konsultohej me BE-në për çfarëdo nisme për ndryshim të ligjeve që kanë ndikim në mandatin gjykatës, apo në procedurat gjyqësore që burojnë nga hetimet e Task-Forcës Speciale Hetuese (SITF).

    Po ashtu, Kosova u zotua për vazhdimin e punës së Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar deri në përfundimin e hetimeve dhe procedurave përkatëse.

    Dhomat kanë selinë në Hagë dhe përbëhen nga gjyqtarë dhe prokurorë të huaj, ani pse janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës.

    Bashkimi Evropian është mbështetësi kryesor financiar i tyre, me gati 400 milionë euro që nga themelimi. /REL

  • Me tekst të shkruar nga vetë ai, Elinel publikon këngën e re (VIDEO)

    Me tekst të shkruar nga vetë ai, Elinel publikon këngën e re (VIDEO)

    Me tekst të shkruar nga vetë ai, Elinel publikon këngën e re (VIDEO)

    Artisti i njohur shqiptar, Elinel, ka publikuar projektin e tij më të ri muzikor.

    Kënga e re mban titullin “Trap Valla”, ndërsa është shoqëruar edhe me videoklip.

    Për tekstin e këngës është përkujdesur vetë Elinel, duke sjellë kështu një tjetër projekt për fansat e tij./Klankosova.tv