Category: Lajme

  • Marrëveshje historike në Hollywood: Paramount blen zyrtarisht Warner Bros. për 110 miliardë dollarë

    Marrëveshje historike në Hollywood: Paramount blen zyrtarisht Warner Bros. për 110 miliardë dollarë

    Paramount Skydance ka blerë zyrtarisht Warner Bros. Discovery në një bashkim gjigant prej 110 miliardë dollarësh. Ky veprim, i cili përfaqëson bashkimin e dy prej studiove më të mëdha në Los Angeles, do ta riformësojë plotësisht Hollywood-in dhe peizazhin global mediatik.

    Marrja historike e kontrollit vjen pas muajsh betejash ligjore dhe kritikash të përhapura për shkak të frikës se shkurtimet dhe konsolidimi mund të dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët.

    Bashkimi do të ndryshojë përvojën e transmetimit për miliona njerëz, do të hapë një kapitull të ri në industrinë e filmit dhe televizionit dhe do ta vendosë CNN, një nga mediat më të mëdha të lajmeve në Amerikë, në një pozicion të pasigurt.

    Nën të njëjtën çati tani do të jenë një numër markash dhe kompanish ikonike, duke përfshirë HBO, CBS, Nickelodeon, Showtime, Comedy Central, DC Studios dhe Food Network. Paramount gjithashtu do të marrë pronësinë e françizave të njohura globalisht si “Harry Potter”, “Game of Thrones”, “The Lord of the Rings” dhe “Mission: Impossible”.

    Gjigandi i ri i udhëhequr nga David Ellison

    Gjigandi i ri në industrinë e argëtimit do të operojë nën emrin Skydance Corporation. Është një kompani e themeluar fillimisht nga David Ellison përpara se ai të merrte përsipër si Paramount ashtu edhe Warner Bros. Discovery.

    Ellison, i cili shërben si kryetar dhe drejtor ekzekutiv i Skydance, tha se marrëveshja ishte një moment “historik” për industrinë e filmit.

    “Që nga fillimi, ambicia jonë ka qenë të kombinojmë këto dy studio me një histori të pasur dhe të krijojmë një konkurrent më të fortë, i cili ka talentin, burimet dhe shtrirjen për të treguar histori të shkëlqyera në çdo zhanër, në çdo platformë dhe për audiencën në mbarë botën. Tani kjo ambicie është bërë realitet”, theksoi Ellison.

    Kufizimet për inteligjencën artificiale

    Edhe pse kompania njoftoi se kishte marrë miratim unanim nga autoritetet rregullatore për mbrojtjen e konkurrencës në të gjithë botën, procesi u shoqërua me polemika të shumta. Fillimisht, Netflix kishte një marrëveshje për të blerë një pjesë të Warner Bros. Discovery, por Paramount Skydance nisi një luftë ofertash, duke e detyruar gjigantin e transmetimit të tërhiqej nga marrëveshja.

    Pas kësaj, avokatë nga një duzinë shtetesh amerikane, të udhëhequr nga Kalifornia, ngritën padi për të bllokuar marrëveshjen, duke argumentuar se kjo do të pengonte konkurrencën, do të rriste çmimet dhe do të dëmtonte audiencën dhe kinematë. Megjithatë, muajin e kaluar u arrit një zgjidhje me Paramount dhe Ellison, duke hapur rrugën për bashkimin.

    Si pjesë e marrëveshjes, Paramount ra dakord të krijojë një “komitet mbi pavarësinë e politikës editoriale në programet e lajmeve” për të siguruar raportim objektiv dhe të bazuar në fakte në CNN dhe CBS.

    Paramount duhet të publikojë të paktën 30 filma në vit. Nëse nuk arrin ta bëjë këtë, kompania do të duhet të shesë 49 përqind të aksioneve të saj në Miramax, kompaninë e themeluar nga manjati i Hollivudit i turpëruar Harvey Weinstein dhe vëllai i tij Bob. Gjithashtu, Paramount duhet të sigurojë që 20 përqind e të gjithë prodhimit të filmave të zhvillohet në SHBA gjatë dy viteve të para, duke e rritur këtë përqindje në më shumë se 30 përqind në tre vitet e ardhshme.

    Bashkimi bashkon dy studio me një traditë të jashtëzakonshme. Gjatë historisë së saj 103-vjeçare, studioja Warner Bros. ka fituar më shumë se 100 çmime Oscar, përfshirë dominimin absolut në ndarjen e çmimeve të vitit të kaluar me një rekord prej 11 statujash për filmat “One Battle After Another”, “Sinners” dhe “Weapons”.

    Nga ana tjetër, rrënjët e Paramount datojnë që nga viti 1912 dhe studioja krenohet gjithashtu me më shumë se 100 çmime Oscar për klasikët nga “The Godfather” te “Titanic”. /Telegrafi/

  • Gjyqtarët kosovarë në Ligën e Kombeve për herë të parë: Kosova e 36-ta, por me një moment historik

    Gjyqtarët kosovarë në Ligën e Kombeve për herë të parë: Kosova e 36-ta, por me një moment historik

    Katër xhirot e para të Ligës së Kombeve 2026/27 kanë sjellë edhe angazhimet e para të gjyqtarëve kosovarë në këtë garë.

    Deri në këtë fazë, UEFA ka përdorur pesë gjyqtarë nga Kosova, ndërsa të gjithë kanë qenë pjesë e të njëjtit ekip gjyqtarësh në një ndeshje.

    Por për herë të parë, një ekip i plotë gjyqtarësh nga Kosova drejtoi një ndeshje të Ligës së Kombeve. Bëhet fjalë për Genc Nuzën, i cili ishte gjyqtar kryesor në përballjen mes Gjibraltarit dhe Andorrës, të zhvilluar më 27 shtator dhe të përfunduar 0-0.

    Në këtë ndeshje, Nuzës iu bashkuan si asistentë Granit Hyseni dhe Arbnor Bullatovci, ndërsa Rrezart Hasanaj ishte gjyqtar i katërt dhe Erdall Zasella AVAR. Ndërsa në VAR ishte francezi Benoît Millot, si pjesë e ekipit.

    Pra, në katër xhirot e para, një ndeshje është drejtuar nga një ekip gjyqtarësh nga Kosova, ndërsa në total janë pesë gjyqtarë kosovarë që UEFA i ka përfshirë në këtë edicion të Ligës së Kombeve.

    Kosova në vendin e 36-të në UEFA

    Sipas listës së publikuar, Kosova renditet e 36-ta, me pesë gjyqtarë të përdorur në Ligën e Kombeve, aq sa kishte edhe Republika Çeke.

    Në këtë statistikë UEFA llogarit gjyqtarët kryesorë, asistentët, gjyqtarët e katërt dhe zyrtarët e VAR/AVAR, ndaj numri nuk i referohet vetëm gjyqtarëve kryesorë. Rregullorja e UEFA-s përcakton se Komiteti i Gjyqtarëve cakton ekipin e gjyqtarëve për secilën ndeshje.

    Në rajon, Kroacia ka 20 gjyqtarë të përdorur, Serbia 18, ndërsa Shqipëria 11. Bosnja dhe Hercegovina ka 10, ndërsa Kosova është me pesë.

    Interesant është edhe fakti se Anglia, një prej vendeve më të mëdha të futbollit evropian, është me 24 gjyqtarë të përdorur, pra më pak se Spanja, Gjermania dhe Italia.

    Spanja në krye, Gjermania dhe Italia pas saj

    Në krye të kësaj liste është Spanja me 48 gjyqtarë, e ndjekur nga Gjermania me 46 dhe Italia me 43.

    Pas tyre vijnë Holanda me 35, Franca me 29 dhe Belgjika me 26, ndërsa Anglia renditet më poshtë me 24 gjyqtarë të përdorur.

    Lista tregon në një mënyrë edhe shpërndarjen e gjyqtarëve të UEFA-s në katër xhirot e para të Ligës së Kombeve, ku Kosova deri tani ka pasur një ekip të plotë gjyqtarësh në një ndeshje. /Telegrafi/

  • Tahiri alarmon: Kurti po përgatitet për seancën për president, ndoshta kanë plan të na largojnë me gaz

    Tahiri alarmon: Kurti po përgatitet për seancën për president, ndoshta kanë plan të na largojnë me gaz

    Tahiri alarmon: Kurti po përgatitet për seancën për president, ndoshta kanë plan të na largojnë me gaz

    Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në një lidhje direkte për Klan Kosova ka ngritur dyshime se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, mund të jetë duke u përgatitur për zhvillimin e seancës për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

    Sipas tij, kjo mund të bëhet vetëm për ‘show e teatër’.

     “Me gjasë Kryeministri Kurti mund të jetë duke i bërë përgatitjet që të fillojë seancën për zgjedhjen e Presidentit, të fillojë show-n e tij, teatrin e tij”, deklaroi Tahiri.

    Ai shprehu shqetësimin se mund të përdoret sërish gaz lotsjellës për t’i larguar protestuesit nga sheshi.

    “Dhe siç duket i pengon prezenca e qytetarëve rreth Kuvendit dhe ndoshta e kanë edhe një plan që të na largojnë përmes gazit lotsjellës, në mënyrë që kur ta zhvillojnë seancën të mos ketë qytetarë, të mos ketë protesta dhe të mos ketë përplasje”, tha Tahiri.

  • Veteranët kërkojnë veprime lidhur me Ligjin për Specialen (VIDEO)

    Veteranët kërkojnë veprime lidhur me Ligjin për Specialen (VIDEO)

    Veteranët kërkojnë veprime lidhur me Ligjin për Specialen (VIDEO)

    Një veteran i UÇK-së, i cili po proteston në shesh, ka thënë për Klan Kosova se veteranët kanë dalë në protestë për të shprehur shqetësimin e tyre lidhur me zhvillimet e fundit dhe vendimin ndaj krerëve të UÇK-së.

    Ai tha se nga data 16, kur u mor vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, kanë kaluar disa ditë dhe tashmë, sipas tij, janë në orët e fundit kur presin veprime nga Kuvendi i Kosovës lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara.

    “Ne si veteranë kemi dalë këtu sepse kemi një shqetësim të jashtëzakonshëm. U bën shumë ditë nga data 16 që u mor një vendim i rëndë ndaj krerëve të UÇK-së dhe ne sot jemi në orët e fundit, ku po presim nga Parlamenti, nga njerëzit që ne menojmë se duhet bërë një kthesë të jashtëzakonshme rreth Ligjit për Gjykatën Speciale”

    “Ne jemi afruar te Parlamenti për të treguar se kemi shqetësime të mëdha dhe nëse këta mendojnë që nuk është shqetësim, atëherë e kanë gabim”, tha ai./Klankosova.tv

  • Protestat në Prishtinë: Shqetësime për thirrjet për dhunë në rrjetet sociale

    Protestat në Prishtinë: Shqetësime për thirrjet për dhunë në rrjetet sociale

    Thirrjet në hapësirën online për djegien e ndërtesës së Kuvendit, rrahjen e protestuesve dhe etiketimet ndaj policëve i kanë shoqëruar protestat që u përshkallëzuan në dhunë më 5 tetor në Prishtinë.

    Njohës të sigurisë dhe dezinformimit thonë se kjo gjuhë thellon ndarjet dhe rrezikon ta kthejë pakënaqësinë në dhunë.

    “Me kall deri kuvend atje duhet flaka me i dal”, shkruan një komentues. Një tjetër kërkon që protestuesit që shajnë e shkaktojnë dëme të bëhen “per spital”.

    Këto mesazhe janë pjesë e diskursit online rreth protestave në Kosovë, të cilat më 5 tetor u përshkallëzuan në përplasje mes protestuesve dhe policisë në Prishtinë. Nga përplasjet mbetën të lënduar persona nga të dyja anët, përfshirë edhe gazetarë që po ndiqnin ngjarjet.

    Radio Evropa e Lirë i ka monitoruar disa prej hapësirave të komenteve kryesisht nëpër postime të mediave në rrjete sociale. Komentet shkruhen si nga profile reale, ashtu edhe nga profile anonime apo të dyshimta.

    Në këto komente, krahas thirrjeve për djegien e ndërtesave të institucioneve publike, ka nxitje për rrahjen e protestuesve dhe etiketime ndaj policëve si fëmijë “të spiunëve” e “të tradhtarëve”. Thirrjet janë shpërndarë edhe nëpër faqe të Facebook-ut, të cilave nuk u dihet pronësia apo qëllimi.

    Sipas njohësve të dezinformimit dhe sigurisë, kjo gjuhë rrezikon ta thellojë ndarjen shoqërore dhe ta legjitimojë dhunën si reagim të pranueshëm.

    Bardh Dema, udhëheqës i verifikimit të fakteve në platformën Hibrid.info, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë monitorimit të zhvillimeve të fundit kanë identifikuar përmbajtje online që mund të interpretohen si nxitje për dhunë, përleshje fizike apo reagime agresive.

    Ai argumenton se shprehja e pakënaqësisë, edhe kur është e ashpër, nuk përbën vetvetiu thirrje për dhunë dhe se qytetarët kanë të drejtë të kritikojnë institucionet, policinë, protestuesit, partitë politike apo individë të caktuar.

    “Problemi fillon kur mesazhi kalon nga kritika te dehumanizimi, kërcënimi ose nxitja e drejtpërdrejtë apo e tërthortë për dhunë”, tha Dema për REL-in.

    Protestat disa-javëshe kundër verdiktit të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-krerëve tjerë të UÇK-së u përshkallëzuan më 5 tetor, pasi disa protestues kërkuan që projektligji, i miratuar po atë ditë në lexim të parë, të kalonte menjëherë edhe në lexim të dytë.

    Ata bllokuan hyrjen e ndërtesës së Kuvendit, duke synuar të mos i lejonin deputetët të dilnin pa e votuar përfundimisht ligjin, sulmuan një deputet dhe disa zyrtarë publikë, si dhe hodhën shishe e mjete piroteknike drejt ndërtesës, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për t’i shpërndarë protestuesit.

    Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, të paktën 20 policë, 12 protestues dhe një gazetar kanë marrë trajtim mjekësor pas lëndimeve që kanë pësuar të hënën gjatë protestës para Kuvendit. Kritika të shumta ka pasur nga PDK dhe figura tjera publike për, siç e vlerësojnë ata, dhunën joproporcionale të Policisë ndaj protestuesve. Në lidhje me këto akuza, Inspektorati i Policisë së Kosovës ka bërë të ditur se ka nisur hetim preeliminar.

    Në një reagim publik, Instituti Demokratik i Kosovës (IDK) ka thënë se protesta është mjet legjitim demokratik, por se kërcënimi, dhuna apo pengimi fizik i deputetëve cenon ushtrimin e lirë të mandatit të tyre. IDK u ka bërë thirrje krerëve politikë dhe organizatorëve të protestave që të marrin përgjegjësi dhe të kërkojnë që protestat të vazhdojnë pa dhunë dhe pa pengim fizik të deputetëve.

    Polarizimi mes “nesh” dhe “atyre”

    Për Ramadan Ilazin, drejtor i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), aktgjykimi kundër Thaçit dhe të tjerëve ishte nxitësi i menjëhershëm i protestave, por pakënaqësitë e protestuesve lidhen edhe me krizat e zgjatura politike, zgjedhjet e përsëritura dhe pasigurinë institucionale.

    “Shoqëria është lodhur nga bllokadat, pasiguria dhe ndjenja se institucionet nuk po arrijnë të prodhojnë zgjidhje”, thotë ai për REL-in.

    Në këtë klimë, të dy bashkëbiseduesit e shohin si shqetësues polarizimin që po krijohet si mes deputetëve, ashtu edhe në publik, ku njerëzit po ndahen në dy kampe: “ose je me UÇK-në, ose me Serbinë”.

    Sipas Demës, kjo i vendos qytetarët përballë një zgjedhjeje artificiale, duke lënë jashtë qëndrimet kritike apo të ndërmjetme.

    “Kemi parë përmbajtje që paraqesin në mënyrë të njëanshme zhvillimet e protestave dhe publikime që përdorin një gjuhë shumë të polarizuar ndaj njërës apo tjetrës palë. Në disa raste, përmbajtja shoqërohet edhe me thirrje për reagim, përballje apo ndëshkim të personave që paraqiten si kundërshtarë”, tha ai.

    Sipas tij, duhet bërë dallimi mes kritikës legjitime dhe gjuhës që mund të kontribuojë në tensionimin e situatës. Ai thotë se personat publikë kanë të drejtë të kritikojnë institucionet apo protestuesit, por për shkak të ndikimit që kanë, mënyra se si i formulojnë mesazhet është veçanërisht e rëndësishme.

    “Në një situatë të tensionuar, deklaratat që krijojnë ndarje të forta mes ‘nesh’ dhe ‘atyre’, apo që i paraqesin kundërshtarët si armiq, mund të kontribuojnë në polarizim dhe të ndikojnë në mënyrën se si publiku i percepton zhvillimet”, tha Dema për REL.

    Ndërkohë, Ilazi e lidh atë me ‘polarizimin afektiv’, ku kundërshtari politik trajtohet si kërcënim.

    “Ato e mbyllin hapësirën për mendim të pavarur dhe e bëjnë çdo thirrje për përmbajtje, ose kompromis të duket si tradhti”, thotë Ilazi për formulime të tilla.

    Dezinformimi në hapësirën online, ndërkaq, ka nisur që një ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së më 16 shtator. Një hulumtim i Hibrid.info, ka përmbledhur 20 raste të verifikuara në gjysmën e dytë të shtatorit, që përfshijnë lajme të rreme, deklarata të fabrikuara dhe përmbajtje të manipuluara me inteligjencë artificiale. Sipas platformës, këto përmbajtje tregojnë një prirje për të shfrytëzuar ndjeshmërinë publike rreth procesit gjyqësor në prodhimin e përmbajtjeve dezinformuese.

    Si po shpërndahet thirrja për dhunë?

    Sipas një hulumtimi të ekspertit të sigurisë kibernetike, Halil Berisha, një grup llogarish të dyshimta në Facebook ka shpërndarë në mënyrë të koordinuar mesazhe nxitëse para dhe pas zhvillimeve rreth vendimit të 16 shtatorit. Ai thotë se llogaritë përdornin emra shqiptarë, por ishin regjistruar si faqe “Musician/Band” dhe publikonin komente të njëjta ose shumë të ngjashme në postime të mediave dhe subjekteve politike, përfshirë thirrje për djegie institucionesh, përplasje dhe ndëshkim të kundërshtarëve.

    Berisha thotë se intensiteti i këtyre mesazheve është rritur me afrimin e vendimit të Gjykatës Speciale dhe se modeli i veprimit tregon elemente të një fushate të koordinuar. Ai e krahason këtë mënyrë funksionimi me taktika të përdorura në operacione të njohura të ndikimit rus, por kjo lidhje nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur nga REL-i.

    Pas publikimit të hulumtimit, sipas Berishës, disa prej profileve të identifikuara janë mbyllur, ndërsa të tjera kanë ndryshuar emrat. Ai thotë se dy profile që kishin publikuar thirrje për djegie dhe paralajmërime për “luftë civile” janë mbyllur, ndërsa disa të tjera kanë ndryshuar identitetin e tyre në Facebook. Berisha e sheh këtë si tregues shtesë se profilet nuk kanë vepruar në mënyrë autentike.

    Berisha i tha REL se ditëve te fundit është vërejtur një rritje e dukshme e thirrjeve dhe nxitjeve për dhunë në hapësirën online që shenjestrojnë institucione, deputetë, protestues dhe gazetarë, dhe variojnë nga thirrjet për djegie institucionesh e sulme fizike deri te kërcënimet për vrasje.

    “Thirrjet për dhunë nuk janë vetëm ndaj njërës palë, por drejtohen ndaj të gjithëve, në mënyrë që të krijohet përplasje në rrjete sociale dhe, rrjedhimisht, të nxitet dhuna”, tha Berisha për REL-in.

    Dema, megjithatë, vlerëson deri në këtë fazë, nuk do të ishte e saktë që të gjitha këto përmbajtje të karakterizohen si pjesë të një fushate të koordinuar.

    “Ajo që mund të themi është se shohim sjellje të ngjashme dhe narrativa që përsëriten, ndërsa një pjesë e tyre më pas amplifikohen nga përdorues të tjerë”, tha ai.

    Rreziku, sipas Demës, shtohet kur gjuha nxitëse shoqëron fotografi apo video të vjetra, të manipuluara ose jashtë kontekstit, të cilat mund të krijojnë përshtypje të rreme për veprimet e njërës palë.

    Ai kërkon reagim institucional ndaj kërcënimeve konkrete dhe kujdes nga mediat që të mos u japin hapësirë përmbajtje të paverifikuara vetëm sepse janë virale.

    Ilazi, ndërkaq, thekson se zemërimi publik dhe e drejta për protestë duhet të respektohen.

    “Në të njëjtën kohë, dhuna dhe thirrjet për dhunë nuk mund të arsyetohen”, thotë ai.

    Në Kosovë, thirrjet publike për dhunë, urrejtje apo përçarje mund të përbëjnë vepër penale, varësisht nga përmbajtja dhe pasojat e tyre. Kodi Penal parasheh dënime për nxitjen e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit, si dhe për nxitjen e personave të tjerë për të kryer vepra penale.

    Radio Evropa e Lirë e pyeti Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë nëse po i monitorojnë postimet dhe komentet në rrjete sociale që përmbajnë thirrje për dhunë, si dhe nëse kanë nisur ndonjë procedurë lidhur me to. Policia e Kosovës nuk dha detaje shtesë, përveçse tha se ka njësi, përfshirë ato hetimore dhe të inteligjencës, që trajtojnë informatat e pranuara nga qytetarët apo ato që identifikohen gjatë punës së tyre, kur përmbajnë elemente të veprave penale. Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk është përgjigjur deri në momentin e publikimit.

  • AMD planifikon të rrisë ndjeshëm furnizimin me çipa në vitin 2027

    AMD planifikon të rrisë ndjeshëm furnizimin me çipa në vitin 2027

    Gjiganti AMD planifikon të rrisë ndjeshëm furnizimin me çipa në vitin 2027, ndërsa prodhuesi amerikan i çipave përpiqet të përmbushë kërkesën në rritje të shpejtë që vjen nga sektori i inteligjencës artificiale (IA), deklaroi të martën CEO-ja, Lisa Su.

    AMD, rivali më i afërt i Nvidia-s në fushën e procesorëve grafikë për IA, e ka zgjeruar me shpejtësi biznesin e saj të çipave për IA, me vlerën e tregut që së fundmi kaloi shifrën prej 1 trilion dollarësh mes një rritjeje të vrullshme të nxitur nga inteligjenca artificiale.

    “Kemi arritur ta rrisim furnizimin gjatë vitit 2026 dhe do ta rrisim atë ndjeshëm në vitin 2027”, u tha Su gazetarëve në Taipei.

    Su theksoi se një nga qëllimet e vizitës së saj në Tajvan ishte të siguronte që zinxhiri i furnizimit i AMD-së të mund të rriste prodhimin e CPU-ve dhe GPU-ve për të përmbushur kërkesën në rritje për IA.

    Ajo është takuar me përfaqësues të Foxconn dhe pritet të takohet me ata të TSMC si pjesë e diskutimeve me partnerët lokalë.

    AMD po punon gjithashtu ngushtë me prodhuesit e çipave të memories për të siguruar furnizime të mjaftueshme, tha Su, përpara një vizite në Korenë e Jugut më vonë gjatë së martës. /Telegrafi/

  • Nasim Haradinaj: “Sonte ka me qenë qetë, deputetët s’na bëjnë lazëm për protestë të ashpër”

    Nasim Haradinaj: “Sonte ka me qenë qetë, deputetët s’na bëjnë lazëm për protestë të ashpër”

    Nasim Haradinaj: “Sonte ka me qenë qetë, deputetët s’na bëjnë lazëm për protestë të ashpër”

    Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj, ka thënë se pret që situata sonte të jetë e qetë.

    Ai u shpreh se nuk beson që deputetët do t’i shtyjnë protestuesit drejt një proteste të ashpër.

    “Unë mendoj që ka me qenë sonte qetë. Mendoj që deputetët nuk na bëjnë neve me pasë lazëm (nevojë) për protestë të ashpër”, ka deklaruar Haradinaj./Klankosova.tv

  • Dani Carvajal pranë rikthimit në La Liga

    Dani Carvajal pranë rikthimit në La Liga

    Dani Carvajal pranë rikthimit në La Liga

    Dani Carvajal është pranë rikthimit në La Liga, këtë herë me fanellën e Getafes.

    Mbrojtësi 34-vjeçar, i cili u nda nga Real Madridi në fund të qershorit dhe aktualisht është lojtar i lirë, ka avancuar negociatat me klubin madrilen.

    Sipas raportimeve të fundit, Carvajal tashmë ka kryer edhe testet mjekësore, ndërsa mbetet vetëm miratimi i La Ligas për regjistrimin e tij.

    Trajneri Jose Bordalas ka qenë një nga figurat kryesore në bindjen e mbrojtësit për t’iu bashkuar Getafes.

    Carvajal, i cili gjatë karrierës me Real Madridin fitoi 27 trofe, përfshirë gjashtë Champions League, pritet të sjellë eksperiencë të madhe në skuadrën e Getafes./Klankosova.tv

  • Mbi 300 banorë në Zvicër frikësohen se do t’u shemben banesat, pas idesë së një projekti të ri të ndërtimit

    Mbi 300 banorë në Zvicër frikësohen se do t’u shemben banesat, pas idesë së një projekti të ri të ndërtimit

    Mbi 300 banorë të një kompleksi banesor në lagjen Weinegg të Cyrihut janë të shqetësuar për të ardhmen e banesave të tyre, pasi një kompani e lidhur me UBS planifikon një projekt të ri ndërtimi në këtë zonë.

    Kompleksi aktualisht përbëhet nga 119 banesa, ndërsa plani i ri parashikon ndërtimin e rreth 300 apartamenteve.

    Shumica e ndërtesave janë ndërtuar në vitin 1952 dhe, sipas administrimit të pronës, kanë nevojë për investime dhe rinovime të mëdha. Për zhvillimin e projektit është angazhuar kompania e pasurive të paluajtshme Halter.

    Banorët frikësohen se projekti mund të nënkuptojë prishjen e ndërtesave ekzistuese dhe ndërtimin e një kompleksi të ri, shkruan Blick, transmeton Telegrafi.

    Për këtë arsye, një grup banorësh ka nisur një peticion kundër projektit. Ata kërkojnë që të shmanget prishja e banesave ekzistuese dhe që, nëse ndërhyrjet janë të domosdoshme, ato të realizohen në faza. Gjithashtu kërkojnë qira të përballueshme dhe informim më transparent për të ardhmen e kompleksit.

    Shqetësimi kryesor lidhet me rritjen e mundshme të qirave. Një banore aktualisht paguan rreth 2 mijë franga në muaj për një apartament me tri dhoma dhe 75 metra katrorë. Sipas vlerësimeve të përmendura në raportim, një banesë e ngjashme pas një ndërtimi të ri mund të kushtojë nga 4 mijë deri në 5 mijë franga në muaj.

    Nga UBS është bërë e ditur se deri tani nuk u është komunikuar banorëve ndonjë vendim për largim dhe se ende nuk është përcaktuar mënyra se si do të zhvillohet projekti.

    Aktualisht, pronarja dhe qyteti i Cyrihut janë në fazën e vlerësimit të projektit. Studio të ndryshme arkitekturore mund të paraqesin propozimet e tyre, ndërsa më pas një juri pritet të rekomandojë projektin për zhvillimin e mëtejshëm të zonës.

    Peticioni i banorëve ka mbledhur 6,567 nënshkrime në pak më shumë se dy javë. Organizatorët planifikojnë ta dorëzojnë atë më 21 tetor te përfaqësuesit e qytetit të Cyrihut.

    Për momentin, nuk ka një vendim përfundimtar për prishjen e ndërtesave, por banorët kërkojnë garanci për të ardhmen e tyre dhe kundërshtojnë një zhvillim që mund t’i detyrojë të largohen nga banesat ku kanë jetuar prej vitesh./Telegrafi/

  • Reagon Sejdiu: Emri im u përfshi sërish në diskutime, por unë jam tërhequr nga gara për president

    Reagon Sejdiu: Emri im u përfshi sërish në diskutime, por unë jam tërhequr nga gara për president

    Ish-kandidati për president të Kosovës, Bekim Sejdiu, ka reaguar sërish pasi emri i tij është përmendur sot nga kryeministri Albin Kurti në kuadër të diskutimeve për zgjedhjen e presidentit të vendit.

    Sejdiu ka sqaruar se më 14 shtator ka njoftuar tërheqjen e tij nga procesi i zgjedhjes së presidentit, për shkak të pamundësisë për të realizuar marrëveshjen politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, dy subjektet që e kishin propozuar dhe mbështetur kandidaturën e tij.

    Sipas tij, tërheqja erdhi edhe për shkak të qëndrimit të dy partive të tjera opozitare dhe gjashtë deputetëve të LDK-së.

    “E konsideroj të domosdoshme të sqaroj qëndrimin tim, pas përmendjes së emrit tim si kandidat për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sejdiu.

    Ai ka theksuar se motivi i vetëm për pranimin e kandidaturës së tij kishte qenë interesi i vendit dhe përpjekja për të ndihmuar në tejkalimin e krizës politike.

    “Së fundi, emri im është përfshirë përsëri në diskutimet për gjetjen e një kandidati për President të vendit”, ka thënë Sejdiu, duke falënderuar liderët politikë që, sipas tij, vazhdojnë ta konsiderojnë kandidat të denjë për këtë pozitë.

    Sejdiu ka bërë të ditur se gjatë ditëve të fundit ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me krerët e LDK-së, pasi kjo parti fillimisht ia kishte ofruar kandidaturën për president në fillim të shtatorit.

    Ai tha se krerët e LDK-së dhe kryeministrin Kurti i ka njoftuar se nuk e konsideron veten pjesë të procesit të zgjedhjes së presidentit, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike dhe mbështetjes së nevojshme në Kuvend.

    “Kryeministrin Kurti dhe kryetarin Abdixhiku i kam falënderuar për besimin ndaj meje dhe korrektësinë në komunikimin me mua. Dëshiroj që këtë falënderim ta përsëris edhe në këtë rast”, ka deklaruar Sejdiu.

    Ai ka shprehur mirënjohje edhe për politikanë nga partitë e tjera, kolegë, miq dhe personalitete nga jeta akademike që i kanë dhënë mbështetje.

    Në fund, Sejdiu ka shprehur shqetësimin e tij për situatën politike në vend dhe gjendjen e qytetarëve.

    “Nuk mund të përmbyllë këtë postim pa shprehur dhimbjen time personale për ankthin dhe zhgënjimin që po përjeton Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj. Le të jenë këto momente reflektimi për të gjithë, përtej inateve të ngushta dhe interesave personale”, ka shkruar Sejdiu./Telegrafi.