Category: Lajme

  • Nga Drenasi nis projekti për edukimin klimatik dhe energjinë e gjelbër nga GIZ Kosova dhe Caritas

    Nga Drenasi nis projekti për edukimin klimatik dhe energjinë e gjelbër nga GIZ Kosova dhe Caritas

    GIZ Kosova dhe Caritas Switzerland në Kosovë kanë nënshkruar marrëveshje granti për projektin “Youth Empowerment in Green Energy” (YEGE), i cili synon të rrisë njohuritë dhe pjesëmarrjen e të rinjve në veprimin klimatik dhe tranzicionin energjetik.

    Projekti u prezantua në Institucionin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional “Fehmi Lladrovci” në Drenas, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunës, partnerëve të projektit, mësimdhënësve dhe nxënësve.

    Përmes YEGE do të mbështeten 30 Eco Klube në dhjetë komuna, prej të cilave 15 do të jenë klube të reja, ndërsa 15 të tjera do të ndërtojnë mbi përvojën e projektit të mëparshëm “Youth Environmental Impact” (YENI).

    Sipas organizatorëve, nxënësit do të kenë mundësi të zhvillojnë iniciativa për klimën dhe mjedisin, të përgatisin propozime për projekte të gjelbra dhe të bashkëpunojnë me komunat në hartimin e planeve të veprimit mjedisor të shkollave.

    “Të rinjtë duhet të jenë pjesë e zgjidhjes. Ata kanë nevojë për mundësi që të identifikojnë problemet, të zhvillojnë ide, të punojnë me institucionet, të avokojnë për ndryshim dhe t’i shohin idetë e tyre të realizueshme të shndërrohen në veprime konkrete. YEGE e çon përpara këtë përvojë”, ka thënë Astrid Wein, drejtore e Caritas Switzerland në Kosovë.

    Projekti do të mbështesë gjithashtu pjesëmarrjen e nxënësve në proceset e konsultimit dhe planifikimit komunal për klimën dhe energjinë, përfshirë Planet Komunale të Veprimit për Energji dhe Klimë.

    Në kuadër të projektit parashihet edhe ngritja e kapaciteteve për mësimdhënës të biologjisë dhe fizikës, zyrtarë të nivelit lokal e qendror dhe gazetarë të rinj që mbulojnë çështjet mjedisore.

    “Ambicia jonë është që edukimi klimatik të bëhet pjesë domethënëse e të nxënit për nxënësit në mbarë Kosovën, i qasshëm për të gjithë, i lidhur me jetën e tyre dhe me aftësitë e mundësitë që ofron tranzicioni energjetik”, ka deklaruar Shkumbin Kelmendi, këshilltar klimatik në projektin IKI të GIZ Kosova. /Telegrafi/

  • Franca pezullon mësimin shkollor

    Franca pezullon mësimin shkollor

    Kryeministri francez njofton pezullimin e mësimit për t’i dëgjuar shqetësimet e nxënësve.

    Kryeministri i Francës, Sebastien Lecornu, ka folur në parlament për trazirat në shkollat e vendit.

    Qeveria e Lecornut ka njoftuar se mësimi do të pezullohet nga mëngjesi i së mërkurës deri të premten, shkruan skynews.

    Ky vendim synon t’u japë drejtuesve të shkollave kohë për të zhvilluar diskutime dhe për të dëgjuar shqetësimet e nxënësve.

    “Qëllimi është t’i japim çdo ekipi drejtues dhe çdo drejtorie shkolle kohë për demokraci të brendshme në shkollat e mesme”, tha Lecornu në Asamblenë Kombëtare.

    Kryeministri dënoi gjithashtu atë që e cilësoi si “dhunë ekstreme”, e cila, sipas tij, ka trokitur “në dyert e shkollave të mesme”, duke theksuar se e dënon atë pa kushte.

    Sipas të dhënave të bëra publike nga Lecornu, që nga nisja e protestave janë lënduar gjithsej 215 nxënës dhe 85 punonjës të arsimit. /Telegrafi/

  • Ishte shpallur “vajza më e bukur në botë”, modelja 25-vjeçare shkëlqeu në Javën e Modës në Paris

    Ishte shpallur “vajza më e bukur në botë”, modelja 25-vjeçare shkëlqeu në Javën e Modës në Paris

    Thylane Blondeau, e cila dikur u shpall “vajza më e bukur në botë” nga media, u shfaq në shoqërinë e shumë fytyrave të famshme në Javën e Modës në Paris.

    Modelja 25-vjeçare franceze ishte ulur në rreshtin e parë në sfilatën pranverë/verë 2027 të Zimmermann, e cila u mbajt në Le Carreau du Temple në Paris.

    Ndër të ftuarit ishin Naomi Watts, Uma Thurman, Sarah Snook dhe Jessica Alba.

    Thylane, emri i plotë i së cilës është Thylane Léna-Rose Loubry Blondeau, zgjodhi një komplet elegant me dy pjesë me vija krem dhe të zeza për shfaqjen.

    Ajo u shfaq për herë të parë para kamerës si modele në moshën katërvjeçare, dhe në vitin 2006 Vogue Enfants e shpalli atë “vajzën më të bukur në botë”. Më vonë ajo bashkëpunoi me marka të mëdha të modës dhe kozmetikës si Dolce & Gabbana, L’Oréal dhe Versace.

    Ajo u martua në Cote d’Azur

    Ky vit i solli asaj një tjetër moment të madh. Në korrik, ajo i tha “Po” DJ Ben Attal, në një dasmë luksoze të mbajtur në Chateau Diter në jug të Francës, e cila vlerësohet të ketë një vlerë prej 64 milionë dollarësh.

    Për ditën e saj të madhe, ajo veshi një fustan nusërie me stil sirene nga Miu Miu. Iu deshën 240 orë punë dhe 30 metra dantellë franceze për ta realizuar.

    Miu Miu është një markë simotër e Prada-s dhe është në pronësi të plotë të Grupit Prada, dhe u themelua nga stilistja Miuccia Prada.

    Pas dasmës, Thylane zbuloi se sa shumë domethënës ishte ai fustan për të.

    “Ëndrra ime më e çmendur. Nuk e kisha imagjinuar kurrë se një ditë do të vishja fustanin e nusërisë së ëndrrave të mia që @miumiu ma bëri me porosi. U deshën mbi 30 metra dantellë franceze dhe 240 orë punë dore, dhe çdo detaj u krijua me kujdes dhe aftësi të jashtëzakonshme. Faleminderit çdo personi që e bëri këtë ëndërr realitet. Jam jashtëzakonisht mirënjohëse. Fillova të punoja me markën Miu Miu në moshën 16 vjeç dhe nuk mund ta kisha imagjinuar se vite më vonë ata do të krijonin fustanin për një nga ditët më të rëndësishme të jetës sime. Ky është një kujtim që do ta ruaj përgjithmonë. Faleminderit nga thellësia e zemrës sime.”

    Dasma u zhvillua në pronën e milionerit britanik Patrick Dieter. Prona luksoze në stilin toskan shtrihet në shtatë hektarë në Grasse dhe përmban 18 suita, dy platforma uljeje helikopterësh, pishina me ujë të kripur, kopshte italiane, një manastir mesjetar dhe një bodrum vere.

    Qiraja e një vendi për dasma fillon nga 17,000 £, por fatura përfundimtare mund të jetë shumë më e lartë kur përfshihen dekorimet dhe shërbimet e tjera.

  • Prokuroria autorizon IPK-në të hetojë veprimet policore gjatë protestës së 5 tetorit

    Prokuroria autorizon IPK-në të hetojë veprimet policore gjatë protestës së 5 tetorit

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) që të ndërmarrë veprime lidhur me veprimet e zyrtarëve policorë gjatë protestës së mbajtur më 5 tetor në hapësirat përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

    Sipas Prokurorisë, hetuesit e IPK-së janë autorizuar të ndërmarrin veprime paraprake për trajtimin e secilit rast që lidhet me veprimet policore gjatë protestës.

    Qëllimi i autorizimit është grumbullimi i informatave dhe provave relevante për të vlerësuar nëse ka pasur tejkalim eventual të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës për shpërndarjen e protestuesve.

    Prokuroria ka bërë të ditur se, në bashkëpunim dhe koordinim me IPK-në, do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore për të ndriçuar rastet ku dyshohet se mund të jetë përdorur forcë përtej nevojës dhe autorizimeve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave të krijuara gjatë zhvillimit të protestave”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Hetimet do të fokusohen në veprimet e zyrtarëve policorë gjatë ndërhyrjes për shpërndarjen e protestuesve dhe në vlerësimin e ligjshmërisë së përdorimit të forcës.

  • Pse Argjentina nuk mund ta pensionojë fanellën me numrin 10 të Leo Messit

    Pse Argjentina nuk mund ta pensionojë fanellën me numrin 10 të Leo Messit

    Lionel Messi është gati t’i japë fund karrierës me Kombëtaren e Argjentinës, por pas largimit të tij do të mbetet një pyetje e madhe, kush do ta veshë fanellën me numrin 10?

    Edhe pse do të dukej e natyrshme që Argjentina ta pensiononte përgjithmonë këtë numër në nderim të një prej futbollistëve më të mëdhenj në histori, kjo nuk është e mundur në garat zyrtare të FIFA-s.

    Messi e ka mbajtur numrin 10 me Argjentinën që nga viti 2009, duke ndjekur gjurmët e një tjetër legjende që është identifikuar përjetësisht me këtë fanellë – Diego Maradonës.

    Tani, në moshën 39-vjeçare, Messi është në prag të ndeshjes së fundit me Argjentinën, pas një karriere të jashtëzakonshme me dy tituj të Copa América dhe triumfin në Kupën e Botës 2022.

    FIFA nuk lejon që numri të mbetet i papërdorur

    Arsyeja lidhet me mënyrën se si funksionon futbolli ndërkombëtar. Ndryshe nga ligat, ku një klub apo edhe një ligë mund ta pensionojë një numër për të nderuar një legjendë, në turnetë zyrtare të FIFA-s kombëtaret duhet t’u caktojnë lojtarëve numrat e fanellave sipas rregulloreve të garës.

    Në Kupën e Botës 2026, për shembull, ekipet mund të regjistronin nga 23 deri në 26 futbollistë dhe numrat e fanellave përfshinin numrat nga 1 deri në 26. Kjo do të thotë se Argjentina nuk mund të vendosë që numri 10 t’i përkasë përgjithmonë Messit dhe ta lërë bosh në një turne zyrtar.

    Situata është pak më ndryshe në ndeshjet miqësore. Argjentina mund ta lërë numrin 10 të papërdorur kur Messi nuk është pjesë e skuadrës, siç ka ndodhur edhe në ndeshjet e fundit para lamtumirës së tij. Por në një Kupë Bote apo në një tjetër turne zyrtar të FIFA-s, dikush do të duhet ta veshë numrin 10.

    Argjentina e kishte provuar edhe me Maradonën

    Ky nuk është rasti i parë kur Argjentina është përballur me këtë problem. Para Kupës së Botës 2002, Federata Argjentinase e Futbollit i kishte kërkuar FIFA-s që ta pensiononte numrin 10 në nderim të Maradonës.

    FIFA e kishte refuzuar kërkesën dhe Argjentina u detyrua ta përdorte numrin në turneun e zhvilluar në Korenë e Jugut dhe Japoni. Në atë Botëror, fanellën me numrin 10 e veshi Ariel Ortega.

    Ky precedent e bën shumë të vështirë që Argjentina të ketë një përjashtim për Messin. Në një mënyrë simbolike, historia përsëritet: Maradona e bëri numrin 10 legjendar duke udhëhequr Argjentinën drejt titullit botëror në vitin 1986, ndërsa Messi e trashëgoi atë fanellë dhe e udhëhoqi kombëtaren drejt trofeut të Botërorit në vitin 2022.

    Kush do ta veshë numrin 10 pas Messit?

    Kjo është pyetja që Argjentina do të duhet ta zgjidhë pas lamtumirës së Messit. Deri tani nuk ka një pasardhës të përcaktuar, por në mesin e emrave të përmendur janë talentet e rinj Nico Paz dhe Franco Mastantuono.

    Cilido që ta marrë fanellën do të trashëgojë një prej numrave më të rëndësishëm në historinë e futbollit argjentinas. Pas Maradonës dhe Messit, numri 10 tashmë mbart një peshë që shkon përtej një fanellë të zakonshme.

    Messi do të largohet nga Kombëtarja, rekordet e tij do të mbeten dhe trashëgimia e tij do të jetë e përjetshme. Por një gjë është e sigurt: numri 10 nuk mund të largohet bashkë me të. Në turnetë zyrtare të FIFA-s, ai do të duhet të mbetet në fushë. /Telegrafi/

  • Hamza: Nëse shkojmë në zgjedhje, ligji për Specialen nis nga zero

    Hamza: Nëse shkojmë në zgjedhje, ligji për Specialen nis nga zero

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se qëndrimi i kësaj partie për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në dy lexime mbetet i pandryshuar.

    Hamza ka paralajmëruar se nëse ligji nuk përfundon në dy lexime dhe vendi shkon në zgjedhje, procedura për miratimin e tij duhet të nisë nga fillimi.

    “Ne jemi takuar me të gjithë, por nuk mund të bëjmë seri me shumë episode pa pasur asnjë rezultat”, ka deklaruar Hamza.

    Ai ka theksuar se PDK-ja e ka ngritur këtë çështje në kuadër të përgjegjësisë politike dhe se miratimi i ligjit nuk është i lidhur me ndonjë pozitë politike apo institucionale.

    “Nëse ligji nuk aprovohet në dy leximet nuk prodhon efekt juridik. Po që nëse nuk finalizohet ligji dhe vendi shkon në zgjedhje, ai kthehet nga fillimi”, ka thënë Hamza.

    Duke folur për vonesat në miratimin e ligjit, Hamza ka pyetur pse ai nuk është miratuar të dielën.

    “Pse nuk e aprovuam të dielën. UÇK-ja na takon të gjithëve. Shteti na takon të gjithëve, veteranët janë të gjithëve, viktimat janë të gjithëve”, ka deklaruar ai.

    Hamza ka folur edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se ajo duhet të trajtohet ndaras nga çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Ndërkohë, ai ka sqaruar edhe qëndrimin e PDK-së për marrëveshjen me ish-gjykatësin e Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu.

    “Marrëveshja me Sejdiun nuk është me PDK-në. Ajo është marrëveshje me LDK-në. Nuk kam ndonjë vërejtje personale a politike me zotin Sejdiu, por nuk është marrëveshje me ne”, ka thënë Hamza.

    Ai ka kritikuar gjithashtu mungesën e një zgjidhjeje për çështjen e presidentit, duke theksuar se Kosova prej 7 gushtit është përballur me vonesa në proceset institucionale.

    Hamza ka folur edhe për deklaratën politike për luftën e UÇK-së, e cila është mbështetur nga deputetë të Kuvendit, duke theksuar se mbrojtja e luftës çlirimtare nuk është përgjegjësi vetëm e PDK-së.

    “Lufta e popullit të Kosovës dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është luftë e cila është veç e PDK-së. Askund në deklaratë nuk shkruan për PDK-në”, ka deklaruar ai.

    Sipas Hamzës, çështja e UÇK-së, veteranëve, dëshmorëve dhe viktimave të luftës u takon të gjitha subjekteve politike dhe shoqërisë së Kosovës./Telegrafi/

  • Avokati i PDK-së kundërshton Kurtin: Për lexim të dytë, nuk është 72-orëshi rruga e vetme

    Avokati i PDK-së kundërshton Kurtin: Për lexim të dytë, nuk është 72-orëshi rruga e vetme

    Avokati i PDK-së kundërshton Kurtin: Për lexim të dytë, nuk është 72-orëshi rruga e vetme

    Faton Fetahu, Avokati i angazhuar nga PDK-ja, ka reaguar pas deklaratës së sotme të kryeministrit Albin Kurti lidhur me procedurën e shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Sipas tij, deklarata e sotme e kryeministrit Albin Kurti se Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk mund të shqyrtohet në lexim të dytë pa kaluar 72 orë nga leximi i parë, si dhe nga referimi i tij në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të 9 janarit 2026, “është tërësisht i paqëndrueshëm juridikisht dhe devijon qartazi nga konstatimet që vetë Gjykata Kushtetuese ka dhënë në atë Aktgjykim”.

    “Afati prej 72 orësh buron nga neni 85 i Rregullores së Kuvendit, i cili rregullon institutin e veçantë të procedurës së përshpejtuar. Mirëpo, kjo nuk është rruga e vetme që njeh Rregullorja. Neni 123 përcakton shprehimisht se, me propozim të së paku gjashtë deputetëve dhe me votën e dy të tretave të deputetëve të pranishëm, Kuvendi mund të vendosë për shmangie nga afatet procedurale. Pikërisht ky institut mund të zbatohet për fazën e shqyrtimit të dytë të këtij Projektligji”, tha Fetahu.

    Ai ka kundërshtuar edhe referimin në ligjet e miratuara më 5 dhjetor 2024.

    “Situata e sotme është thelbësisht tjetër. Materialet e Projektligjit për Dhomat e Specializuara u janë shpërndarë deputetëve të shtunën, më 3 tetor 2026, ndërsa leximi i parë është zhvilluar dhe përfunduar të hënën, më 5 tetor. Deputetët kanë pasur rreth 48 orë për shqyrtimin e materialit para leximit të parë, ndërsa sot kërkohet vetëm zhvillimi i fazës që çon në leximin e dytë”, ka shkruar ai.

    Reagimi i tij i plotë.

  • Hamza i përgjigjet Kurtit: Ligji për Specialen s'lidhet me asnjë pozitë politike (VIDEO)

    Hamza i përgjigjet Kurtit: Ligji për Specialen s’lidhet me asnjë pozitë politike (VIDEO)

    Hamza i përgjigjet Kurtit: Ligji për Specialen s'lidhet me asnjë pozitë politike (VIDEO)

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në një konferencë për media ka deklaruar se qëndrimi i PDK-së për Ligjin për Dhomat e Specializuara ka qenë dhe vazhdon të jetë i njëjtë, duke kërkuar miratimin e tij në dy lexime.

    Hamza ka theksuar se çështja e Ligjit për Specialen nuk lidhet me pozita politike apo institucionale, raporton Klankosova.tv.

    “Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë dhe vazhdon të jetë konsistent, aprovimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara në dy lexime. Nuk janë çështje të ndërlidhura me asnjë pozitë politike apo institucionale”.

    “Kemi vonesa, mosrespektin të afateve kushtetuese për Kuvendin e Kosovës, për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, si rezultat i deklaratave, i veprimeve që pa marrëveshje për presidentin, nuk e konstituojmë Kuvendin”, u shpreh ai.

    Sipas tij, nga 7 gushti e deri më sot nuk është ndërmarrë ndonjë veprim konkret për t’i dhënë vendit një President.

    “Asnjë veprim konkret, serioz për një periudhë prej datës 7 gusht, deri sot, deri në orët e fundit, për t’i dhënë vendit president”.

    Duke folur për Ligjin për Dhomat e Specializuara, Hamza ka thënë se drejtësia duhet të vlejë për të gjithë dhe se viktimat, dëshmorët, veteranët dhe qytetarët e Kosovës nuk i takojnë vetëm një subjekti politik.

    “Viktimat, dëshmorët, viktimat civile, invalidët e luftës, veteranët, populli i Kosovës nuk i takon veç një subjekti politik, i takon të gjitha subjekteve politike”.

    Hamza ka theksuar gjithashtu se Ligji synon drejtësi për personat që janë pjesë e procesit në Dhomat e Specializuara.

    “Ligji kërkon drejtësi, drejtësi për njerëzit të cilët janë në këtë proces. Nuk janë ata atje për veprimet e tyre të pasluftës, nuk janë atje si ndonjë pjesëtar, lider i ndonjë subjekti politik, janë për pjesën më të ndritshme të historisë së Kosovës, luftën çlirimtare të Kosovës”, u shpreh Hamza./Klankosova.tv

  • Gucati për Kurtin: “S’ka më veresi, duhet të votohet ligji”

    Gucati për Kurtin: “S’ka më veresi, duhet të votohet ligji”

    Gucati për Kurtin: “S’ka më veresi, duhet të votohet ligji”

    Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka komentuar zhvillimet politike dhe deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, gjatë një interviste për Klan Kosovën, me gazetaren Endrita Bajrami.

    Gucati u ka bërë thirrje deputetëve që fillimisht të votojnë Projektligjin për Specialen dhe më pas të procedojnë me zgjedhjen e presidentit.

    “Ne do të qëndrojmë deri në orën 24:00, deri të përmbyllet Kuvendi krejt. Ju bëj thirrje edhe për president, po ma së pari ju bëj thirrje me votu ligjin”, tha Gucati.

    Duke iu referuar deklaratave të Kurtit, Gucati tha se tashmë “nuk ka më veresi”, duke kërkuar që procesi të përfundojë me votimin e ndryshimeve ligjore dhe më pas të zgjidhet presidenti.

    “Nuk ka më veresi. Merre mallin, m’i bjen paret mas ni muj dite. Duhet me u kalu plotësim-ndryshimi i ligjit në lexim të dytë, me u votu edhe me hy me votu presidentin menjëherë. Këta janë tu bo pazare politike”, u shpreh Gucati për Klan Kosova.

     

  • Rriten shpenzimet e varrimit në Rahovec

    Rriten shpenzimet e varrimit në Rahovec

    Shpenzimet për shërbimet e varrimit në Komunën e Rahovecit janë rritur për vitin 2026.

    Tarifat e reja janë bërë publike nga anëtari i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), Shaip Shala.

    Sipas dokumentit të miratuar nga Kuvendi Komunal i Rahovecit, kostoja e shërbimeve të varrimit është rritur për 60 euro krahasuar me vitin paraprak.

    Në tarifat e reja përfshihen një sërë shërbimesh që lidhen me procesin e varrimit, përfshirë transportin e kufomës, hapjen dhe mbylljen e varrit, dërrasat e varrit, qefinin dhe kujdestarinë.

    Në dokument janë përfshirë edhe shërbime të tjera përcjellëse që ofrohen në kuadër të shërbimeve të varrimit në komunë.

    Rritja e tarifave vjen si pjesë e tarifave të përcaktuara për shërbimet e varrimit për vitin 2026. /Telegrafi/