Blog

  • Sergen Yalcin pritet të emërohet përzgjedhës i Turqisë

    Sergen Yalcin pritet të emërohet përzgjedhës i Turqisë

    Turqia ka mbetur pa përzgjedhës që nga fillimi i tetorit, kur Federata e Futbollit e shkarkoi italianin Vincenzo Montella pas rezultateve zhgënjyese në kualifikimet për Kupën e Botës 2026 dhe në Ligën e Kombeve.

    Në Ligën e Kombeve, Turqia renditet e fundit në Grupin 1A, pas katër humbjeve në po aq ndeshje.

    Yalcin, pesëdhjetë e tre vjeçar, së fundmi e ka drejtuar Besiktas gjatë sezonit 2025/26. Ai e mori drejtimin e klubit në gusht të vitit 2025, duke zëvendësuar Ole Gunnar Solskjaer, ndërsa sezonin e ka përfunduar në vendin e katërt, me shtatëmbëdhjetë pikë më pak se kampioni Galatasaray.

    Ky ka qenë mandati i dytë i Yalcinit te Besiktas. Në sezonin 2020/21, ai e kishte udhëhequr skuadrën drejt fitimit të dy trofeve vendorë.

    Si futbollist, Yalcin i ka zhvilluar tridhjetë e shtatë ndeshje me përfaqësuesen e Turqisë dhe e ka fituar pesë herë titullin e kampionit në Superligën turke.

    Gjatë karrierës si trajner, ai ka drejtuar edhe disa klube të tjera turke, përfshirë Gaziantepspor, Sivasspor, Konyaspor, Alanyaspor dhe Antalyaspor.

    Turqia do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje në Ligën e Kombeve, kundër Belgjikës më 12 nëntor dhe Francës më 15 nëntor.

    Burimi: RTKLive

  • Ronaldo pezullohet për tridhjetë ditë dhe gjobitet me 255 euro nga Federata

    Ronaldo pezullohet për tridhjetë ditë dhe gjobitet me 255 euro nga Federata

    Vendimi është marrë të hënën nga këshilli disiplinor i federatës, i cili e ka konfirmuar plotësisht shkeljen e pretenduar ndaj sulmuesit dyzet e një vjeçar.

    Ronaldo është larguar nga kampi i Portugalisë në Kopenhagë para ndeshjes së Ligës së Kombeve kundër Danimarkës, pas një mosmarrëveshjeje me përzgjedhësin Jorge Jesus për rolin e tij në ekip.

    Ylli portugez kishte pretenduar se Jesus nuk e kishte mbajtur fjalën dy herë lidhur me aktivizimin e tij, pasi Ronaldo e kishte ndjekur nga banka rezervë, pa u inkuadruar në lojë, ndeshjen kundër Norvegjisë.

    Jesus i ka mohuar pretendimet se kishte pasur ndonjë marrëveshje me Ronaldon, por pas fitores së Portugalisë me rezultatin dy me një e ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit të sulmuesit në përfaqësuese.

    Sipas vendimit të publikuar të hënën, këshilli disiplinor ka vlerësuar se Ronaldo e ka kryer me dashje shkeljen e parashikuar në nenin 160, paragrafi i parë, të rregullores disiplinore të federatës. Procedura ndaj tij është hapur më nëntë tetor, pas raportimeve për ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë.

    Megjithatë, federata nuk ka sqaruar se cilat ndeshje apo aktivitete do të përfshihen në pezullim dhe nëse periudha e kaluar nën një pezullim të përkohshëm do të llogaritet në dënimin prej tridhjetë ditësh.

    Pas incidentit, Ronaldo ka kërkuar falje për faktin se nuk i kishte përshëndetur tifozët pas ndeshjes kundër Norvegjisë dhe për largimin nga bashkëlojtarët. Ai ka deklaruar se mbetet i gatshëm të luajë për Portugalinë, pasi ta vuajë dënimin që do t’i shqiptohet.

    Presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, ka thënë se brenda institucionit ekziston dëshira që Ronaldo të rikthehet në përfaqësuese pasi çështja të zgjidhet.

    Rregullorja parashihte për Ronaldon një pezullim prej një deri në gjashtë muajsh, si dhe gjobë, për largimin pa arsye të justifikuar nga grumbullimi i përfaqësueses. Në fund, këshilli disiplinor ka vendosur për një pezullim prej 30 ditësh dhe një gjobë prej 255 eurosh.

    Burimi: RTKLive

  • Aksident trafiku në Lluzhan të Podujevës, dyshohet për të lënduar

    Aksident trafiku në Lluzhan të Podujevës, dyshohet për të lënduar

    Aksident trafiku në Lluzhan të Podujevës, dyshohet për të lënduar

    Një aksident trafiku ka ndodhur sonte në fshatin Lluzhan të Komunës së Podujevës, ku raportohet për persona të lënduar dhe dëme materiale.

    Sipas informacioneve të para, aksidenti ka shkaktuar edhe kolona të automjeteve në rrugën Lluzhan–Batllavë, duke vështirësuar qarkullimin në këtë segment rrugor.

    Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po zhvillon hetimet fillestare për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan deri te aksidenti.

    Sinjali ka kontaktuar Policinë dhe është në pritje të një përgjigje zyrtare rreth këtij aksidenti.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Aksident trafiku në Lluzhan të Podujevës, dyshohet për të lënduar appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • Haradinaj e quan Kurtin “sundimtar”: Protestuesve u dha gaz lotsjellës e dajak

    Haradinaj e quan Kurtin “sundimtar”: Protestuesve u dha gaz lotsjellës e dajak

    Ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e atëhershëm të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se kanë dhënë urdhër politik për ndërhyrjen e Policisë ndaj protestuesve më 5 tetor, gjatë protestës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

    Në Debat Plus, Haradinaj ka thënë se ndërhyrja ndodhi një natë para skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar atë si vendim politik.

    “Priti deri një natë para skadimit të afatit dhe dha urdhër politik policisë për të ndërhyrë, me iu tregu ligjin. E kujt po ia tregon ligjin, atyre që po lypin ligj”, ka deklaruar Haradinaj.

    Ai ka thënë se protestuesit kishin dalë në rrugë për të kërkuar zbatimin e ligjit dhe jo për të kërkuar diçka të jashtëligjshme.

    “E qeveria që i merr pagat prej taksave të këtyre njerëzve”, është shprehur ai, duke kritikuar mënyrën se si u trajtuan protestuesit.

    Haradinaj ka thënë se e respekton Policinë dhe pjesëtarët e saj, por ka kritikuar atë që e ka cilësuar si ndërhyrje të urdhëruar politikisht.

    “Policia duhet ta bëjë një dallim mes qeverisjes dhe sundimit. Vërtetë duhet të sundojë rendi e ligji, por nuk duhet të sundojë politika kundërligjshëm, përmes mekanizmave të rendit e ligjit”, ka deklaruar ai.

    Haradinaj ka shtuar se protestuesit, të cilët sipas tij po kërkonin zbatimin e ligjit, u përballën me gaz lotsjellës dhe dhunë.

    “Sundimtari i detyroi ata njerëz me plagë e vuajtje e trauma, për tri javë ditë me i ardhë para zyrës, në vend me ua dhënë ligjin, u dha gaz lotsjellës e dajak. E kujt është kjo qeveri, që i jep dajak e gaz lotsjellës qytetarëve që po kërkojnë ligj”, ka thënë Haradinaj.

    Protesta e 5 tetorit u përshkallëzua jashtë objektit të Kuvendit të Kosovës, ku protestuesit hodhën mjete piroteknike, ndërsa Policia ndërhyri me gaz llotsjellës dhe ujë me presion.

     

    Burimi: Dukagjini

  • Pelet me çmim të kripur në Podujevë: 312 mijë euro me negocim për kompaninë e aktivistit të VV-së (VIDEO)

    Pelet me çmim të kripur në Podujevë: 312 mijë euro me negocim për kompaninë e aktivistit të VV-së (VIDEO)

    Pelet me çmim të kripur në Podujevë: 312 mijë euro me negocim për kompaninë e aktivistit të VV-së (VIDEO)

    Komuna e Podujevës, e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, ka nënshkruar kontratë 312 mijë euro për furnizim me 600 tonë pelet, me çmim prej 520 eurosh për ton.

    Marrëveshja gjashtëmujore u lidh më 6 tetor 2026, përmes procedurës së negociuar, ku figuron vetëm një ofertë e pranuar, ajo e kompanisë DnA Core L.L.C. Komuna kishte paraparë 252 mijë euro, por kontrata u nënshkrua për 60 mijë euro më shumë.

    Kiks Kosova ka krahasuar çmimin e Podujevës me kontrata të komunave të tjera, të cilat kanë siguruar pelet dukshëm më lirë.

    Kamenica ka kontraktuar 295 euro për ton, Lipjani 329 euro, Vushtrria 350 euro, ndërsa Fushë Kosova 384 euro. Nëse Podujeva do të paguante çmimin e Kamenicës për të njëjtën sasi prej 600 tonësh, fatura do të ishte 135 mijë euro më e ulët.

    Kontrata e re vjen pavarësisht se në shtator të vitit 2025, Podujeva kishte nënshkruar një marrëveshje kornizë trevjeçare për furnizim me pelet, me çmim prej 203 eurosh për ton. Marrëveshja me grupin e kompanive Evergreen Timber dhe Marigona AU parashihte 1.300 tonë pelet, me vlerë indikative prej 263.900 eurosh. Pronari i Evergreen Timber, Blerim Vitija, i tha Kiks Kosova se kompania ishte tërhequr nga kontrata në pranverën e këtij viti, pasi çmimi i peletit ishte rritur ndjeshëm. Vitija, sipas fotografive dhe publikimeve në rrjete sociale të shqyrtuara nga Kiks-i, ka shprehur publikisht përkrahje për Lëvizjen Vetëvendosje.

    Edhe kompania që përfitoi kontratën e re lidhet me një përfaqësues të Vetëvendosjes. Aridon Sylejmani, përfaqësues i DnA Core, ishte prezantuar në një njoftim partiak të gushtit 2022 si kryetar i një pike të kësaj partie. Kompania, e themeluar në mars të vitit 2025, ka përfituar edhe një marrëveshje kornizë deri në 120 mijë euro nga Komuna e Kamenicës për mirëmbajtje të terreneve dhe furnizim me rekuizita sportive. Në prill të vitit 2023, Sylejmani ishte angazhuar po ashtu nga kjo komunë si konsulent ndërtimi, për 9.480 euro.

    Kiks Kosova e ka pyetur Komunën e Podujevës për bazën ligjore dhe rrethanat që e arsyetuan procedurën e negociuar, si dhe për dokumentet e negocimit, por deri në publikimin e materialit nuk ka marrë përgjigje. Përgjigje nuk ka kthyer as Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik lidhur me atë nëse ka pranuar sqarim nga komuna për përdorimin e kësaj procedure. Sylejmanit i janë dërguar pyetje për kontratën dhe angazhimet e kompanisë, por ai nuk është përgjigjur deri në publikim.

  • Laporta thumbon Realin: Shumë gjela në një kafaz s’funksionojnë

    Laporta thumbon Realin: Shumë gjela në një kafaz s’funksionojnë

    Laporta thumbon Realin: Shumë gjela në një kafaz s’funksionojnë

    Ethet e derbit më të madh në futbollin botëror, “El Clasico”, po afrohen, teksa përballja mes Barcelonës dhe Real Madridit vjen e ngarkuar me tensione të larta jo vetëm në fushën e blertë, por edhe në zyrat drejtuese.

    Raportet mes dy klubeve gjigante janë ftohur ndjeshëm, veçanërisht mes dy krerëve, Florentino Perez dhe Joan Laporta.

    Shkak për këtë përplasje institucionale u bë e ashtuquajtura çështja “Negreira”, pas së cilës madrilenët akuzuan hapur klubin katalunas për favorizim dhe trukim të ndeshjeve përmes gjyqtarëve.

    Në një intervistë për prestigjiozen franceze L’Équipe, Laporta nënvizoi se grumbullimi i emrave me peshë mund të shkatërrojë frymën e grupit, transmeton Klankosova.tv.

    E thashë! Të kesh më shumë se një gjel në të njëjtin kafaz pule nuk mund të funksionojë, kurrë. Prioriteti në futboll është ekipi dhe fryma e ekipit. Nëse nuk i ke këto gjëra, projekti nuk do të funksionojë. Kjo është një nga pikat e forta të Barcelonës. Ne kemi talente të shkëlqyera, lojtarë të La Masias, lojtarë që vijnë nga kultura të tjera të futbollit, dhe më pas arrijmë të formojmë një ekip midis tyre me harmoni që funksionon mirë” ka thënë Laporta.

    Përballja e parë “El Clasico” për këtë sezon do të luhet të dielën në orën 21:00 në “Camp Nou”.

  • Protesta gjithandej, Zherka: Gjenerata Z nuk e pranon autoritetin sikur gjeneratat tjera (VIDEO)

    Protesta gjithandej, Zherka: Gjenerata Z nuk e pranon autoritetin sikur gjeneratat tjera (VIDEO)

    Protesta gjithandej, Zherka: Gjenerata Z nuk e pranon autoritetin sikur gjeneratat tjera (VIDEO)

    Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Bardh Zherka, ka komentuar protestat që po zhvillohen në shumë vende të botës, shumicën prej të cilave, janë duke u organizuar e mbajtur nga të rinjtë.

    Përveç në Paris, Milano edhe në disa vende tjera, edhe në Tiranë tash e shtatë ditë janë duke u mbajtur protesta të dhunshme, të prirë nga studentë dhe të rinj.

    Në Rubikon të Klan Kosovës, Zherka ka dhënë disa prej arsyeve që “Gjenerata Z” është bërë pjesë e këtyre protestave dhe pakënaqësive që ata janë duke i shfaqur me qeverisjet.

    “Janë një gjeneratë e cila kryesisht informohet prej rrjeteve sociale. Kjo jep informacion të shpejt, por jo gjithmonë të saktë. Jemi duke folur për një gjeneratë që autoritetin e sheh ndryshe. Ata kërkojnë njëfarë respekti të ndërjesllë. Është një gjeneratë që është rritur me telefon në dorë. Duke e marrë parasysh se si funksionon politika e dekadës së kaluar, për shkak se nuk i përfaqëson në asnjë pikë ku ata interesohen dhe ku i kanë hallet në ditët e sotme.”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se kjo gjeneratë kërkon pak studim, pasi që aktualisht shoqëria nuk i njeh sa duhet kërkesat e tyre.

    “Janë shumë të shkëputur prej politikës, prej ku e marrin informacionin janë shumë ndryshe prej neve”, ka thënë ai. /Klankosova.tv

  • Drenica barazon me Dukagjinin në Klinë

    Drenica barazon me Dukagjinin në Klinë

    Dukagjini e ka nisur mirë ndeshjen, por nuk ka arritur ta ruajë epërsinë deri në fund.

    Kapiteni Elton Basri e ka shënuar golin e epërsisë për vendasit në minutën e pestë, me goditje me kokë. Dy minuta më herët, Altin Merlaku e kishte humbur një penallti.

    Situata për Dukagjinin është vështirësuar në minutën e gjashtëmbëdhjetë, kur Kushtrim Gashi është ndëshkuar drejtpërdrejt me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër.

    Drenica e ka shfrytëzuar epërsinë numerike dhe e ka barazuar rezultatin në minutën e njëzet. Agim Zeka ka shënuar për 1:1, që ka qenë edhe rezultati përfundimtar i ndeshjes.

    Pas këtij barazimi, Drenica renditet në vendin e shtatë me njëmbëdhjetë pikë, ndërsa Dukagjini zë vendin e pestë me shtatëmbëdhjetë pikë, aq sa kanë edhe Drita dhe Gjilani.

    Më herët gjatë ditës, Prishtina ka arritur fitore në udhëtim, duke e mposhtur Ballkanin me rezultat 0:1 në Suharekë.

    Pas kësaj fitore, Prishtina ka njëzet e tri pikë aq sa ka edhe Malisheva në kreun e tabelës, kurse, Ballkani renditet e gjashta me trembëdhjetë sosh.

     

    Burimi: RTKLive

  • Ndërpritet furnizimi me ujë në disa rrugë në Prishtinë, rikthimi pritet nesër

    Ndërpritet furnizimi me ujë në disa rrugë në Prishtinë, rikthimi pritet nesër

    Ndërpritet furnizimi me ujë në disa rrugë në Prishtinë, rikthimi pritet nesër

    Banorët e disa rrugëve në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë do të përballen me ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë, për shkak të dëmtimit të një gypi të ujësjellësit.

    Sipas njoftimit për konsumatorët, dëmtimi ka ndodhur në një gyp me diametër DN 150 milimetra, ndërsa ekipet përkatëse janë duke u marrë me sanimin e tij.

    Ndërprerja e furnizimit me ujë do të prekë këto rrugë dhe zona:

    Rruga “Hyzri Talla”

    Rruga “Ilir Durmishi”

    Rruga “Besa”

    Rruga “Fadil Ferati”

    Zona e qendrës tregtare

    Për shkak të kompleksitetit të punimeve, rikthimi i furnizimit me ujë pritet të bëhet gjatë ditës së nesërme.

    Konsumatorëve u është kërkuar mirëkuptim deri në përfundimin e punimeve dhe sanimin e dëmtimit.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Ndërpritet furnizimi me ujë në disa rrugë në Prishtinë, rikthimi pritet nesër appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • Protestuesit e dhunshëm rrezikojnë të futen në “listën e zezë” për hyrje në BE

    Protestuesit e dhunshëm rrezikojnë të futen në “listën e zezë” për hyrje në BE

    Personat që kryejnë akte dhune gjatë protestave në Shqipëri mund të përfshihen në një listë të zezë në sistemin TIMS, me synimin që t’u kufizohet hyrja në vendet e Bashkimit Evropian.

    Sipas raportimit të Top Channel nga grupi që po merret me hartimin e paketës pranë Kryeministrisë, propozimi parasheh identifikimin e personave të përfshirë në akte dhune gjatë protestave dhe regjistrimin e tyre në këtë sistem.

    Nisma vjen pas paketës së paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama të hënën, ndërsa grupi i punës po përgatit masat që synojnë trajtimin e rasteve të dhunës.

    Sipas raportimeve, përfshirja në listën e zezë do të kishte për qëllim kufizimin e hyrjes në vendet e BE-së për personat e identifikuar.

    Megjithatë, propozimi është në fazën e shqyrtimit dhe nuk është bërë e ditur nëse masa do të miratohet dhe si do të zbatohej në praktikë.

    Burimi: Dukagjini