Category: Lajme

  • Zelensky thotë se Ukraina pret që evropianët t'u bashkohen bisedimeve me SHBA-në

    Zelensky thotë se Ukraina pret që evropianët t’u bashkohen bisedimeve me SHBA-në

    Zelensky thotë se Ukraina pret që evropianët t'u bashkohen bisedimeve me SHBA-në

    Presidenti Volodymyr Zelensky tha të enjten se Ukraina pret që partnerët evropianë të Kievit t’u bashkohen bisedimeve me SHBA-në në ditët në vijim.

    Më herët, Zelensky deklaroi se negociatorët ukrainas do të zhvillonin bisedime në Shtetet e Bashkuara të premten dhe të shtunën, si pjesë e përpjekjeve të udhëhequra nga SHBA-ja për të gjetur një zgjidhje për luftën katër-e-gjysmë-vjeçare me Rusinë.

    Duke folur para gazetarëve në Kiev, presidenti tha se negociatorët ukrainas do të ngrinin çështjen e mbrojtjes ajrore, në dritën e sulmeve thuajse të vazhdueshme ruse ndaj qyteteve ukrainase. Më shumë se 70 persona kanë humbur jetën nga sulmet gjatë dy ditëve të fundit, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

    Zelensky tha gjithashtu se Ukraina ishte kundërpërgjigjur në të njëjtën mënyrë (“pasqyrë”) ndaj sulmeve ruse mbi qendrat e të dhënave, duke iu referuar një sulmi ndaj një qendre të operuar nga kompania ruse e teknologjisë, Yandex.

    “Ne gjithmonë përgjigjemi në të njëjtën mënyrë,” tha Zelensky. “Të gjithë e dini, ata kanë goditur dhe vazhdojnë të godasin qendrat tona të të dhënave. Ne po kundërpërgjigjemi. Nuk mund t’i jap të gjitha detajet.”

  • Mourinho tregon se si rodhi puna me Realin

    Mourinho tregon se si rodhi puna me Realin

    Mourinho tregon se si rodhi puna me Realin

    Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka folur për zërat që e lidhnin me Real Madridin sezonin e kaluar.

    Ai tha se në atë kohë ishte te Benfica dhe ishte plotësisht i fokusuar te klubi dhe e ardhmja e tij.

    “Unë kurrë nuk mendova se ishte e vërtetë”, deklaroi Mourinho.

    Sipas tij, zakonisht fillimisht ka kontakte dhe më pas dalin thashethemet.

    “Por këtu ndodhi e kundërta: thashethemet nisën kur nuk kishte pasur absolutisht asnjë kontakt”, u shpreh ai.

  • U zgjodh presidente e Kosovës, kush do ta zëvendësojë Justina Shiroka-Pulën në krye të Akademisë së Shkencave dhe Arteve?

    U zgjodh presidente e Kosovës, kush do ta zëvendësojë Justina Shiroka-Pulën në krye të Akademisë së Shkencave dhe Arteve?

    Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Kosovës pak para mesnatës më 06.10.2026. Zyrtarisht detyrën ajo e mori më 07.10.2026 pas një ceremonie solemne të inaugurimit.

    Deri më tani Justina Shiroka-Pula ka mbajtur postin e kryetares së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).

    Në kryet të Akademisë ajo ishte zgjedhur më 19.12.2025 gjatë një mbledhjeje të rregullt të Kuvendit të ASHAK-ut.

    Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes së Kosovës e ka lënë ASHAK-un pa kryetare, pasi, sipas Ligjit dhe Statutit për këtë institucion, anëtarët e Akademisë që ushtrojnë funksione politike dhe shtetërore nuk mund të ushtrojnë funksione udhëheqëse në ASHAK.

    Si e parashohin Ligji dhe Statuti zgjedhjen e kryetarit të ri?

    Pas emërimit të Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes së vendit, Akademia duhet të zgjedhë kryetarin e ri.

    Kryesia e ASHAK-ut do të shpallë zgjedhjet për kryetar dhe thërret seancën zgjedhore se paku 30 ditë përpara. Pas kësaj do të mbahen dy mbledhje të seksioneve të Akademisë.

    Në mbledhjen e parë propozohen kandidatët, ndërsa në mbledhjen e dytë votohen kandidatët e propozuar.

    Kandidati apo kandidatët që marrin numrin e nevojshëm të votave i dërgohen Kuvendit të Akademisë për votim përfundimtar.

    Kandidati që merr më së shumti vota zgjidhet në krye të ASHAK-ut.

    Kryetari i ri, i cili e zëvendëson akademiken Shiroka-Pula, do të ketë mandat deri në zgjedhjet e rregullta për kryesinë e ASHAK-ut, që sipas rregullit mbahen në fund të vitit 2029.

    KALLXO.com nuk ka mundur të marrë një prononcim nga Akademia deri në botimin e artikullit lidhur me çështjen e zgjedhjes së kryetarit të ri të saj.

    Zgjedhjet e fundit të rregullta në Akademi janë mbajtur më 19.12.2025 nga Kuvendi i këtij institucioni.

    Justina Shiroka-Pula ishte zgjedhur kryetare, ndërsa nënkryetar ishte zgjedhur Fejzullah Krasniqi, kurse Bardh Rugova ishte zgjedhur sekretar shkencor.

    Sipas Ligji nr. 05/l -038 për ASHAK-un, neni 17, pika, 1.4, kryetari i Akademisë zgjidhet nga Kuvendi i Akademisë për një periudhë katërvjeçare me të drejtë rizgjedhjeje edhe për një mandat tjetër.

    Ligji kryetarit të ASHAK-ut ia ndalon të bartë poste politike e shtetërore.

    “Anëtarët e Akademisë që ushtrojnë funksione politike dhe shtetërore nuk mund të ushtrojnë funksione udhëheqëse në Akademi”- thuhet në nenin 16, pika 6 e këtij Ligji.

    Ndërkaq, sipas Statutit të ASHAK-ut, neni 33, kryetari i Akademisë zgjidhet nga radhët e anëtarëve të rregullt të saj dhe për punën e vet i përgjigjet Kuvendit të Akademisë, ndërsa në kuadër të të drejtave dhe detyrave të Kryesisë së Akademisë, i përgjigjet Kryesisë./Kallxo.com

  • Bajram Shala zbulon prurjet e reja: Tre lojtarë kanë pranuar, njëri luan në Gjermani

    Bajram Shala zbulon prurjet e reja: Tre lojtarë kanë pranuar, njëri luan në Gjermani

    Menaxheri i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Bajram Shala thotë se te Kosova do të ketë edhe tri prurje të reja, nëse përzgjedhësi Franco Foda i fton.

    Kosova po kalon një formë të shkëlqyer në aspektin sportiv, ndërsa po vazhdojnë të përforcojnë ekipin kombëtar me lojtarë të rinj.

    Në një podcast në “Telesport”, ai u pyet për pesë emra konkret: Lorent Tolaj, Arijon Ibrahimovic, Leo Blesson, Selmin Hoxha dhe Lutfi Dalipi.

    Shala nënvizoi se prej këtyre dy veçse janë lojtarë të Kosovës, dy janë afër ndërsa me njërin negociatat janë më të mbyllura.

    “Me një prej tyre nuk jemi afër. Dy prej tyre jemi afër dhe dy të tjerë veçse janë lojtarë të Kosovës, por mbi të gjithë – e përmende presidentin Ademi, ai aktualisht është në Gjermani dhe pak para se të futesha në emision më tha se e ka mbyllur me një emër, i cili është i gatshëm ta përfaqësojë Kosovën”.

    “Është futbollist që është i gatshëm për të qenë pjesë e Kosovës sapo të përzgjidhet nga Foda”.

    “Njëri prej tyre ishte i gatshëm edhe për ta përfaqësuar Kosovën në shtator, por fatkeqësisht u lëndua dhe nuk erdhi”.

    Shala gjithashtu shtoi se një lojtar që po luan në Gjermani ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën dhe nuk bëhet fjalë për Enis Rexhepin.

    “Enis Rexhepi? Jo, ai është pjesë e Shqipërisë. Ne kemi kujdes shumë për lojtarët që luajnë për Shqipërinë. Është lojtar me të ardhme në Gjermani, me të cilët presidenti Ademi ka mbyllur diskutimet dhe ai ka pranuar të jetë pjesë e ekipit kombëtar të Kosovës”.

    Ndërkohë, nuk është e konfirmuar por thuhet se bëhet fjalë për talentin tjetër të Bayern Munichut, Yll Gashi që luan në ekipin e dytë dhe është bashkëlojtar me Erblin Osmanin./Telegrafi/

  • "Toka në Zvërnec u ble për 230 milionë euro, Kushner: Nëse miratohet, shqiptarët do të jenë krenarë

    “Toka në Zvërnec u ble për 230 milionë euro, Kushner: Nëse miratohet, shqiptarët do të jenë krenarë

    Jared Kushner ka reaguar ndaj raportimeve të disa mediave amerikane lidhur me projektin e planifikuar në zonën e Zvërnecit në Shqipëri, duke hedhur poshtë pretendimet se toka i është dhënë nga qeveria shqiptare dhe duke paraqitur detaje mbi investimin dhe planet për zhvillimin e zonës.

    Në reagimin e tij, Kushner ka thënë se toka është blerë përmes një transaksioni privat për 230 milionë euro, ndërsa ka theksuar se investimi i përgjithshëm, nëse projekti realizohet, mund të arrijë në rreth 4 miliardë euro.

    “Toka nuk na u dha nga qeveria shqiptare. Partnerët tanë e blenë atë nga një palë private për 230 milionë euro në një transaksion privat, ndër çmimet më të larta të paguara në rajon për një transaksion të këtyre përmasave”, ka shkruar Kushner.

    Sipas tij, titulli i pronësisë është shqyrtuar nga këshilltarët ligjorë dhe është verifikuar para vijimit të projektit.

    Kushner ka deklaruar se projekti ka nisur si një investim privat, i mbështetur në bindjen për potencialin ekonomik dhe turistik të Shqipërisë.

    “Ne po investojmë kapital të konsiderueshëm privat në një vend që nuk ka pasur kurrë një projekt të kësaj shkalle. Edhe pse nuk ka garanci, ne po e ndërmarrim këtë rrezik sepse besojmë te Shqipëria dhe besojmë te shqiptarët”, ka shkruar ai.

    Ai ka thënë se, nëse projekti rezulton i suksesshëm, mund të përfaqësojë rreth 4 miliardë euro investime dhe të krijojë vende pune, aktivitet ekonomik dhe më shumë vizibilitet ndërkombëtar për Shqipërinë.

    Kushner ka theksuar gjithashtu se puna për projektin ka zgjatur më shumë se tre vjet, gjatë të cilave, sipas tij, janë shpenzuar dhjetëra miliona dollarë për studimin e terrenit, mjedisit dhe nevojave të rajonit.

    Ai ka bërë të ditur se në proces janë përfshirë arkitektë, dizajnerë, inxhinierë, ekspertë mjedisorë dhe partnerë të tjerë, me synimin për të krijuar një projekt që, sipas tij, të ketë ndikim afatgjatë në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

    Kushner ka përmendur edhe partnerët në projekt, përfshirë Asher Abehsera, të cilin e ka përshkruar si mik dhe partner biznesi, si dhe familjen shqiptare Kastrati, e cila, sipas tij, ua kishte prezantuar fillimisht mundësinë e investimit në këtë zonë.

    Në reagimin e tij, Kushner ka folur edhe për Ramez dhe Moutaz Alkhayyat, me të cilët tha se ishte takuar për herë të parë në Doha gjatë Kupës së Botës 2022. Ai ka përshkruar historinë e tyre si sipërmarrës që u larguan nga Siria dhe ndërtuan bizneset e tyre në Katar.

    Kushner ka sqaruar se roli i tij në projekt është kryesisht i lidhur me vizionin dhe dizajnin, ndërsa ka theksuar se është partner në pakicë dhe nuk është i përfshirë në menaxhimin e përditshëm të projektit.

    Një pjesë të rëndësishme të reagimit ai ia ka kushtuar edhe çështjes së mjedisit, duke deklaruar se projekti synon të zhvillohet sipas standardeve të larta mjedisore.

    “Ambicia jonë është të ndërtojmë sipas standardeve më të larta të dizajnit dhe mjedisit, dhe ta lëmë këtë pjesë të jashtëzakonshme të Shqipërisë më të gjelbër, me më shumë biodiversitet dhe më të fortë nga ana mjedisore”, ka shkruar Kushner.

    Ai ka theksuar se projekti duhet të kalojë nëpër të gjitha procedurat përkatëse rregullatore dhe mjedisore në Shqipëri dhe të marrë miratimet e nevojshme për të vijuar.

    Kushner ka mohuar gjithashtu se projekti ka përparuar për shkak të lidhjeve të tij me presidentin amerikan Donald Trump, duke argumentuar se interesi për projektin kishte nisur në verën e vitit 2021, kur ai ishte ende qytetar privat dhe para se Trump të shpallte kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

    Edhe për aeroportin e përfshirë në raportimet për projektin, Kushner ka dhënë një version tjetër, duke thënë se ai ishte miratuar para se ai ta shihte projektin për herë të parë dhe se aeroporti ishte një nga faktorët që e kishte tërhequr drejt kësaj mundësie investimi.

    Në fund, Kushner ka thënë se vendimi për vazhdimin e projektit i takon Shqipërisë dhe institucioneve të saj.

    “Nëse miratohet, shpresoj që të mund të krijojmë diçka për të cilën shqiptarët të jenë krenarë dhe që familjet nga Shqipëria dhe anembanë botës ta shijojnë për breza me radhë”, ka përfunduar ai.

  • Pas mbi 70 viktimave në dy ditë, Zelensky kritikon SHBA-në: Ku është sinqeriteti?

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kritikuar Shtetet e Bashkuara për atë që e konsideron mungesë gatishmërie për ta ndihmuar Ukrainën, pas një sulmi rus në Kramatorsk ku u vranë të paktën 30 persona.

    Sulmi ndaj dy autobusëve në qytetin lindor të Ukrainës e ka çuar në mbi 70 numrin e viktimave nga sulmet ruse gjatë vetëm dy ditëve.

    Duke folur para gazetarëve në Pryluky, Zelensky i bëri thirrje Washingtonit që të zgjerojë qasjen e Ukrainës në shërbimin satelitor “Starlink”, me qëllim që të ndihmohet në mbrojtjen e hapësirës ajrore dhe shënjestrimin e raketahedhësve balistikë rusë.

    “Hapeni Starlinkun për Ukrainën. Na ndihmoni që ta mbrojmë qiellin tonë dhe të mbizotërojmë aty. Pastaj, Putini do të ulet në tavolinën e bisedimeve”, tha Zelensky.

    Ai kritikoi gjithashtu qasjen e Washingtonit ndaj Moskës, duke iu referuar deklaratës së sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, se lufta mes Ukrainës dhe Rusisë ndodhet në ngërç dhe se SHBA-ja do të vazhdojë përpjekjet për një zgjidhje.

    “Atëherë ku është e vërteta këtu, ku është sinqeriteti? Ku është ngërçi? Kjo quhet mungesë gatishmërie”, deklaroi Zelensky.

    Sipas tij, është kontradiktore që në njërën anë të kërkohet zgjidhje diplomatike për luftën, ndërsa në anën tjetër të diskutohen projekte të ardhshme ekonomike me Rusinë.

    “Nuk mund të bisedosh me rusët për projektet e ardhshme ekonomike, përderisa, në anën tjetër, thua se gjendemi në njëfarë ngërçi diplomatik”, tha presidenti ukrainas.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Pas mbi 70 viktimave në dy ditë, Zelensky kritikon SHBA-në: Ku është sinqeriteti? appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • Rubio paralajmëron se lufta e Rusisë mund të përhapet përtej kufijve të Ukrainës

    Rubio paralajmëron se lufta e Rusisë mund të përhapet përtej kufijve të Ukrainës

    Rubio paralajmëron se lufta e Rusisë mund të përhapet përtej kufijve të Ukrainës

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka paralajmëruar të enjten se lufta e Rusisë kundër Ukrainës mund të përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë rajonal, nëse ngecja në luftime e shtyn ndonjërën nga palët luftuese të bëjë ndonjë veprim gjithnjë e më të rrezikshëm.

    Duke folur në Lisbonë, në ndalesën e fundit të një vizite në tri vende anëtare të NATO-s, Islandë, Greqi dhe Portugali, Rubio tha se Uashingtoni beson se lufta, në fund, kërkon zgjidhje të negociuar dhe se mbetet i gatshëm t’i lehtësojë bisedimet diplomatike.

    Ai foli në të njëjtën ditë kur një sulm rus ndaj dy autobusëve në qytetin ukrainas Kramatorsk vrau të paktën 33 njerëz, sipas autoriteteve vendase.

    I pyetur nga Radio Evropa e Lirë (REL) për sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës dhe sigurinë e krahut lindor të NATO-s, Rubio e cilësoi konfliktin si “luftime shumë të rrezikshme” që kanë ngecur, dhe tha se një luftë si kjo zakonisht përfundon ose përmes bisedimeve, ose përmes përshkallëzimit.

    Mundësia e parë kërkon që të dyja palët të bëjnë lëshime të vështira. Ndërsa e dyta mund të përfshijë përshkallëzimin e konfliktit nga Rusia ose Ukraina, në përpjekje për ta ndryshuar baraspeshën ushtarak.

    “Kjo është shumë e rrezikshme”, tha Rubio.

    Ai paralajmëroi se përshkallëzimi mund të përfshijë sabotime në vendet fqinje anëtare të NATO-s, ndonjë sulm apo veprime të tjera që mund ta zgjerojnë me shpejtësi konfliktin.

    Kjo mund ta “shndërrojë shpejt këtë luftë mes dy vendeve në një konflikt rajonal shumë më të gjerë dhe shumë më të rrezikshëm”, tha ai.

    “Në fund, ne nuk besojmë se do të ketë zgjidhje ushtarake… Ne mendojmë se kjo luftë duhet të përfundojë dhe se zgjidhja e negociuar është më e shpejtë dhe më e mirë”, theksoi Rubio.

    Ministri i Jashtëm i Portugalisë, Paulo Rangel, mbështeti përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, duke thënë se pushtimi rus shkel të drejtën ndërkombëtare dhe se çdo marrëveshje duhet ta respektojë sovranitetin e Ukrainës.

    Rubio gjithashtu e riformuloi debatin për shpenzimet e mbrojtjes së NATO-s, duke i përshkruar rritjet e shpenzimeve ushtarake si investim në mbrojtje, dhe jo thjesht si “shpenzim më të madh”. Ai tha se forcimi i shteteve anëtare të NATO-s do ta forconte aleancën dhe aftësinë e saj parandaluese.

    Rubio tha se NATO-ja është në thelb një aleancë mbrojtëse dhe se besueshmëria e saj varet nga kapacitetet e vendeve anëtare.

    “NATO-ja është e rëndësishme. Që NATO-ja të ketë rëndësi, ajo duhet të jetë e fortë”, tha ai. “Që NATO-ja të jetë e fortë, shtetet anëtare të NATO-s duhet të jenë të forta”.

    Ai tha se vendet anëtare të NATO-s kanë rrethana të ndryshme dhe nuk mund të kontribuojnë të gjitha në të njëjtën mënyrë, por secila duhet të zhvillojë kapacitetet më të fuqishme që mundet.

    Ai bëri gjithashtu thirrje për bashkëpunim më të madh në teknologjinë e avancuar ushtarake dhe në gjeneratën e ardhshme të armëve, duke thënë se aleatët duhet të punojnë së bashku për t’u përballur me kërcënimet e së ardhmes.

    I pyetur nëse aleatët evropianë mund të vazhdojnë të mbështeten te SHBA-ja, në kushtet e ndryshimeve të mundshme në praninë ushtarake amerikane në Evropë, Rubio theksoi rëndësinë e ruajtjes së kapaciteteve të forta të NATO-s dhe aftësisë parandaluese.

    Ai nuk dha hollësi për zhvendosjen e ardhshme të trupave amerikane, por tha se anëtarët e aleancës ndajnë përgjegjësinë për ruajtjen e fuqisë së saj.

    Rubio gjithashtu kritikoi ashpër Iranin kur u pyet për shqetësimet lidhur me përdorimin e bazës ajrore portugeze, Lajes, dhe akuzat e ngritura nga Amnesty International për shkelje të mundshme të së drejtës ndërkombëtare.

    Ai nuk pranoi të komentonte një hetim portugez, duke thënë se kjo është çështje për autoritetet portugeze.

    Rubio e akuzoi Amnesty International se nuk po fokusohet te abuzimet e pretenduara të Qeverisë së Iranit ndaj protestuesve, përfshirë “vrasjet me gjakftohtësi të dhjetëra mijëra njerëzve në rrugë”.

    “Këto janë krime lufte. Këto janë krime kundër njerëzimit. Këto janë krime të kryera kundër popullit të tyre”, tha Rubio.

    The post Rubio paralajmëron se lufta e Rusisë mund të përhapet përtej kufijve të Ukrainës appeared first on Insajderi.

  • Dy gjigantë të Ligës Premier në garë për yllin e Barcelonës

    Dy gjigantë të Ligës Premier në garë për yllin e Barcelonës

    Sipas raportimeve të fundit, Jules Kounde po përballet me një situatë të re te Barcelona, pasi ka humbur vendin e titullarit në formacionin e Hansi Flick.

    Kjo ka bërë që mbrojtësi francez të tërheqë interesimin e disa klubeve të mëdha të Ligës Premier, me Chelsea dhe Arsenalin që kanë nisur kontaktet për mundësinë e transferimit të tij.

    Megjithatë, sipas SPORT, Kounde i ka refuzuar menjëherë afrimet nga klubet angleze, pasi prioriteti i tij aktual është të rikthehet në formacionin titullar të Barcelonës dhe të luftojë për vendin e tij në ekip, përpara se të mendojë për një largim.

    Francezi ka kontratë me Barcelonën deri në qershor të vitit 2030, ndërsa klubi katalunas nuk është i gatshëm ta shesë për një shumë të ulët.

    Barcelona do të shqyrtonte vetëm një ofertë të rëndësishme ekonomike, veçanërisht duke pasur parasysh kontratën afatgjatë të mbrojtësit.

    Interesimi për Kounden nuk kufizohet vetëm te Chelsea dhe Arsenali, pasi edhe Liverpooli, Manchester City dhe Manchester United po e monitorojnë situatën e tij.

    Polivalenca e francezit, i cili mund të luajë si qendërmbrojtës dhe si mbrojtës i djathtë, e bën atë një objektiv tërheqës për klubet angleze.

    Nëse Kounde nuk arrin të rikthejë statusin e titullarit gjatë muajve të ardhshëm, klubet e Ligës Premier pritet të intensifikojnë përpjekjet për transferimin e tij.

    Për momentin, megjithatë, dëshira e mbrojtësit është të qëndrojë te Barcelona dhe të bindë Flickun për ta rikthyer në formacionin bazë. /Telegrafi/

  • Messi kthehet nga Argjentina

    Messi kthehet nga Argjentina

    Messi kthehet nga Argjentina

    Pas emocioneve të ndeshjes në Monumental, Lionel Messi është rikthyer menjëherë në stërvitje me Inter Miamin.

    Argjentinasi është parë në stërvitje së bashku me Rodrigo De Paul dhe bashkëlojtarët e tjerë.

    Messi është gati të rikthehet në aksion me klubin amerikan pasi luajti ndeshjen e fundit me kombëtarej argjentinase.

  • Irani godet me dronë grupet kurde në Irak

    Irani godet me dronë grupet kurde në Irak

    Irani ka goditur sërish sonte me dronë Shahed-136 objektet e grupeve kurde-iraniane në Erbil, në rajonin autonom të Kurdistanit të Irakut.

    Sulmi përbën testin e parë të rëndësishëm për sistemet e mbrojtjes ajrore të Erbilit që nga largimi i koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, rreth 30 shtatorit.

    Goditja vjen në një periudhë tensioni të vazhdueshëm mes Iranit dhe grupeve kurde-iraniane, të cilat Teherani i akuzon për veprimtari kundër Republikës Islamike.

    Përdorimi i dronëve Shahed-136 e bën sulmin veçanërisht të rëndësishëm për shkak të aftësive të këtyre mjeteve ajrore pa pilot për të goditur objektiva në distanca të mëdha.

    Sulmi i fundit pritet të ngrejë pikëpyetje të reja mbi kapacitetet e mbrojtjes ajrore të Erbilit pas përfundimit të pranisë së koalicionit ndërkombëtar në zonë.

    Ndryshe, trupat amerikane e përfunduan tërheqjen nga Iraku më 30 shtator të këtij viti. /Telegrafi/