Category: Lajme

  • Dëshironi të ulni sheqerin? Këto pije duhet t’i shmangni

    Dëshironi të ulni sheqerin? Këto pije duhet t’i shmangni

    Nëse po përpiqeni të reduktoni sheqerin në dietën tuaj, nuk mjafton të shmangni vetëm ëmbëlsirat.

    Edhe disa pije që konsumohen rregullisht mund të përmbajnë sasi të larta sheqeri dhe, në afat të gjatë, të ndikojnë negativisht në shëndet.

    Pijet e gazuara janë ndër burimet kryesore të sheqerit të shtuar. Një kanaçe ose shishe prej rreth 500 mililitrash mund të përmbajë deri në 31.1 gramë sheqer, ekuivalente me rreth 3.7 lugë gjelle.

    Në listë përfshihen edhe lëngjet e frutave, të cilat shpesh perceptohen si zgjedhje të shëndetshme.

    Megjithatë, një gotë prej 240 mililitrash mund të përmbajë mesatarisht 28.7 gramë sheqer, veçanërisht kur bëhet fjalë për produkte të përpunuara me sheqer të shtuar.

    Pijet energjike dhe ato sportive janë një tjetër burim i rëndësishëm sheqeri. Ndërsa pijet sportive mund të kenë rol gjatë aktivitetit fizik intensiv, konsumimi i tyre i përditshëm pa një nevojë të veçantë mund të shtojë ndjeshëm marrjen e sheqerit. Pijet energjike, ndërkohë, kombinojnë sasi të larta sheqeri me kafeinë.

    Edhe qumështi me çokollatë, pavarësisht se përmban proteina, kalcium dhe disa vitamina e minerale, mund të ketë sasi të konsiderueshme sheqeri.

    Një gotë prej 240 mililitrash mund të përmbajë deri në 24.8 gramë sheqer, ndaj për ata që duan ta reduktojnë ndjeshëm marrjen e tij, rekomandohet të mos jetë pjesë e rutinës së përditshme. /Telegrafi/

  • Fshati në kufi nervozon gjermanët: Zviceranët po vijnë për shoping dhe po na i lënë mbeturinat neve

    Fshati në kufi nervozon gjermanët: Zviceranët po vijnë për shoping dhe po na i lënë mbeturinat neve

    Jestetten, një komunë gjermane pranë kufirit me Zvicrën, po përballet me një fluks të madh të turistëve zviceranë të blerjeve, sidomos gjatë fundjavave.

    Qyteti me rreth 5,500 banorë mbushet me automjete me targa zvicerane, ndërsa banorët ankohen për kolona të gjata, mungesë të vendeve të parkimit dhe mbeturina në rrugë.

    Sipas një banori, trafiku është bërë aq i madh sa për një distancë që normalisht përshkohet për dy minuta në këmbë, me makinë mund të nevojiten deri në 10 minuta, shkruan Blick, transmeton Telegrafi.

    Megjithatë, kjo situatë sjell edhe përfitime të mëdha ekonomike për Jestetten.

    Çmimet më të ulëta, gama e produkteve dhe mundësia për të rikthyer TVSH-në tërheqin mijëra zviceranë nga kantonet e Cyrihut dhe Schaffhausenit.

    Një qytetar nga Schaffhausen thotë se shkon në Jestetten 5 deri në 6 herë në muaj për të bërë pazar.

    Sipas një studimi të Universitetit të St. Gallenit, zviceranët shpenzuan vitin e kaluar rreth 9.26 miliardë franga në blerje jashtë vendit, shifër rekord.

    Kryetari i komunës, Dominic Böhler, thotë se banorët kanë shqetësime jo vetëm për trafikun, por edhe për humbjen e identitetit të zonës. Ai përmend gjithashtu mbeturinat, përfshirë ambalazhe ushqimesh dhe pijesh që gjenden përgjatë rrugëve.

    “Jestetten përfiton ekonomikisht nga zviceranët”, pranojnë banorët, por shumë prej tyre kërkojnë që vizitorët të respektojnë më shumë vendin ku bëjnë blerjet./Telegrafi/

  • KSHZ: Vijon afati për paraqitje për personat e pafuqishëm dhe të sëmurë për zgjedhjet në Bërvenicë

    KSHZ: Vijon afati për paraqitje për personat e pafuqishëm dhe të sëmurë për zgjedhjet në Bërvenicë

    Në prag të zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve përkujton se personat e pafuqishëm dhe të sëmurë që nuk janë në gjendje të votojnë në vendvotimin e tyre duhet në kohë të parashtrojnë njoftim në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Bërvenicë.

    “Gjatë paraqitjes, është e nevojshme të dorëzohet: Njoftimi në KKZ, Dëshmia e përshtatshme mjekësore për sëmundjen në origjinal ose kopje, ose aktvendimi i vlefshëm për të përdorur kujdesin e personit tjetër. Njoftimi mund të dorëzohet personalisht, përmes personit të autorizuar ose në formë elektronike. Certifikata mjekësore nga mjeku amë pa dokumentacionin e përshtatshëm mjekësor nga mjeku specialist nuk pranohet. Afati i fundit është 10 tetor 2026, deri në orën 24:00”, thonë nga KSHZ.

    Votimi për personat e pafuqishëm dhe të sëmurë do të zbatohet më 17 tetor 2026.

  • OKB: Mbi 50 gra u arrestuan në Afganistan për shkelje të kodit të veshjes

    OKB: Mbi 50 gra u arrestuan në Afganistan për shkelje të kodit të veshjes

    Të paktën 52 gra janë arrestuar ose ndaluar në qytetet afgane Herat dhe Kabul gjatë periudhës korrik-shtator 2026, ka bërë të ditur të enjten Misioni i Asistencës së Kombeve të Bashkuara në Afganistan (UNAMA).

    Sipas UNAMA-s, gratë janë ndaluar për arsye që lidhen me veshjen, përfshirë mosmbajtjen e çadorit, flokët e dukshëm, shamitë me ngjyra ose përdorimin e grimit. Disa janë ndaluar edhe për shkak se kanë qenë në publik pa një “mahram”, një shoqërues mashkull.

    UNAMA tha se gratë u liruan pas disa orësh, por paralajmëroi se numri real i rasteve mund të jetë më i lartë për shkak të raportimit të pamjaftueshëm.

    Misioni i OKB-së u shpreh “thellësisht i shqetësuar” për arrestimet dhe kërcënimet ndaj grave, duke theksuar se këto masa cenojnë të drejtat e tyre për lëvizje, shprehje dhe autonomi.

    Që nga rikthimi i talebanëve në pushtet në vitin 2021, gratë dhe vajzat në Afganistan janë përballur me kufizime të rënda, përfshirë ndalimin e arsimimit përtej nivelit fillor dhe kufizime në veshje dhe lëvizje.

    Në fillim të kësaj jave, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi katër urdhër-arreste për zyrtarë të lartë talebanë, të dyshuar për krime kundër njerëzimit të lidhura me privimin sistematik të grave dhe vajzave nga të drejtat e tyre.

    Burimi: Dukagjini

  • Limaj: Kushtetuta e Kosovës asnjëherë s’është shkelur më shumë se në 2 vitet e fundit

    Limaj: Kushtetuta e Kosovës asnjëherë s’është shkelur më shumë se në 2 vitet e fundit

    Limaj: Kushtetuta e Kosovës asnjëherë s’është shkelur më shumë se në 2 vitet e fundit

    Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka deklaruar se zgjedhja e presidentes së re të Kosovës përbën një zhvillim pozitiv për vendin, pas një periudhe të gjatë krize institucionale.

    “Lajmi i mirë është që Kosova ka president”, tha Limaj, duke kritikuar mënyrën se si, sipas tij, institucionet kanë funksionuar gjatë dy viteve të fundit.

    Ai vlerësoi se Kosova ka kaluar një periudhë të jashtëzakonshme, gjatë së cilës institucionet, sipas tij, kanë vepruar në kundërshtim me Kushtetutën.

    “Për dy vjet e më tepër, në mënyrë masive, asnjëherë nuk është shkelur Kushtetuta më shumë se këto dy vite të fundit. Historia e Kosovës nuk njeh më shumë shkelje”, deklaroi Limaj në “Rubikon”.

    Limaj tha se i vjen keq që, sipas tij, nuk ka pasur pasoja juridike për shkeljet kushtetuese, duke e krahasuar situatën me rastin e ish-presidentit Fatmir Sejdiu.

    “Më vjen keq që nuk ka pasoja juridike. Ka president që vuan pasojat edhe sot për shkak të shkeljeve minore. Te z. Sejdi ka qenë krejt minore, pa fajin e tij. Filluam të jetojmë në një situatë jokushtetuese dhe u bë si e zakonshme gjendja institucionale”, tha Limaj.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Limaj: Kushtetuta e Kosovës asnjëherë s’është shkelur më shumë se në 2 vitet e fundit appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • Policia ndalon fushatën parazgjedhore të Serbisë në veri të Kosovës

    Policia ndalon fushatën parazgjedhore të Serbisë në veri të Kosovës

    Fushata parazgjedhore e Serbisë po tentohet të shtrihet edhe në veri të Kosovës. Policia e Kosovës ndërhyri në një tubim në Shkollën Teknike në Mitrovicë të Veriut, ku ishin mbledhur mbi 200 persona. Sipas Policisë, në mesin e pjesëmarrësve kishte edhe deputetë e zyrtarë të Listës Serbe, ndërsa institucionet kanë bërë të qartë se nuk do të lejojnë zhvillimin e aktiviteteve parazgjedhore të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi do të mbahen më 25 tetor të këtij viti. Atje Serbia është duke vazhduar fushatën paraelektorale.

    Por një tentim për tubime zgjedhore nga Serbia, në veçanti nga ish-presidenti serb Aleksandar Vuçiq, po mundohet të bëhet edhe në veriun e Kosovës.

    Dëshmi e kësaj është ndërprerja e një fushate nga Policia e Kosovës që po zhvillohej në ambientet e Shkollës Teknike në Mitrovicë të Veriut, ku po merrnin pjesë mbi 200 persona.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se në këtë tubim kanë qenë të pranishëm edhe deputetë të Listës Serbe, përfshirë Igor Simiqin, si dhe zyrtari i lartë i kësaj partie, Ivan Zaporozhac e të tjerë. Lista Serbe ka afërsi të drejtpërdrejtë politike me ish-presidentin e Serbisë, Vuçiq.

    “Ne konsiderojmë që dje kemi pasur një informacion që një fushatë parazgjedhore veç ka filluar dhe ka qenë duke u mbajtur në amfiteatrin e Shkollës Teknike këtu në Mitrovicë të Veriut. Kemi reaguar, kemi shkuar në atë amfiteatër dhe kemi parë diku rreth 200 persona të cilët kanë qenë brenda. Neve na është thënë që është njëfarë diskutimi për arsim, po informacionet tona kanë qenë që është duke u mbajtur fushatë zgjedhore. Janë larguar njerëzit nga aty, nuk kemi pasur probleme…”, tha Veton Elshani, zëvendësdrejtor i PK në veri të Mitrovicës.

    Ai ka thënë shtuar se asnjë tubim që ka të bëjë me fushatën parazgjedhore të Serbisë nuk do të lejohet të mbahet në Kosovë.

    “Ajo që është me rëndësi me thënë është që ne kemi vendimet nga eprorët tanë që nuk do të lejohet fushatë zgjedhore e Serbisë në Kosovë”. thaksoi Elashani

    Tentimi për mbajtjen e parafushatave elektorale vjen në një kohë kur Serbia po u afrohet zgjedhjeve të 25 tetorit dhe kur strukturat politike të lidhura me Beogradin tentojnë të kenë aktivitet në veri.

    Megjithatë Elshani ka thënë se tentativa për ta sjellë fushatën zgjedhore të Serbisë në Kosovë do të përballet me reagimin e Policisë dhe të institucioneve të vendit./RTK

  • Neymar zbulon prapaskenat e një nate të çmendur me Messin dhe Suarezin: Ishim tapë

    Neymar zbulon prapaskenat e një nate të çmendur me Messin dhe Suarezin: Ishim tapë

    Neymar ka rikthyer një nga kujtimet më të veçanta nga koha kur së bashku me Lionel Messin dhe Luis Suarezin formonin treshen e famshme të sulmit të Barcelonës.

    Ylli brazilian ka publikuar një video të vjetër nga arkiva e tij private, në të cilën shfaqet Lionel Messi duke kërcyer dhe festuar pas një prej fitoreve të Barcelonës në Ligën e Kampionëve.

    Pamjet kanë tërhequr menjëherë vëmendjen e tifozëve, pasi tregojnë një anë shumë më të çlirët të yllit argjentinas.

    Duke e shoqëruar videon me një koment plot humor, Neymar zbuloi edhe një detaj nga ajo natë.

    “Shikojeni Messin, duke kërcyer. Suarez, Messi dhe unë ishim tapë”, kujtoi braziliani me buzëqeshje.

    Kjo tregon edhe një herë marrëdhënien e veçantë që ekzistonte mes tre yjeve të njohur si MSN.

    Përveçse formuan një prej tresheve më të frikshme të sulmit në historinë e futbollit, Messi, Suarez dhe Neymar kishin krijuar një miqësi të ngushtë edhe jashtë fushës.

    Gjatë viteve të përbashkëta në “Camp Nou”, ata fituan trofe të rëndësishëm dhe lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Barcelonës.

    Kombinimi i tyre në repartin ofensiv u shndërrua në një nga simbolet e epokës së artë të klubit katalunas.

    Edhe sot, tifozët e Barcelonës i kujtojnë me nostalgji vitet kur Messi, Suarez dhe Neymar ndanin të njëjtën dhomë zhveshjeje dhe prodhonin spektakël në fushë, ndërsa miqësia e tyre vazhdonte edhe jashtë saj.

    Videoja e publikuar nga Neymar ka rikthyer në vëmendje pikërisht atë periudhë, duke treguar edhe anën më njerëzore të tre yjeve që së bashku krijuan një nga kapitujt më të paharrueshëm të historisë së Barcelonës. /Telegrafi/

  • Shiroka-Pula kishte kritikuar Gjykatën Speciale: “Kemi rezerva të thella”

    Shiroka-Pula kishte kritikuar Gjykatën Speciale: “Kemi rezerva të thella”

    Shiroka-Pula kishte kritikuar Gjykatën Speciale: “Kemi rezerva të thella”

    Shiroka-Pula kishte kritikuar Gjykatën Speciale: “Kemi rezerva të thella ndaj mënyrës si është konceptuar”

    Presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, kishte shprehur më herët kritika ndaj Gjykatës Speciale në Hagë, pas dënimit të katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me gjithsej 81 vjet burgim.

    Në reagimin e saj pas vendimit, Shiroka-Pula kishte thënë se rasti duhet të shërbente si shtysë për reflektim jo vetëm mbi verdiktin, por edhe mbi natyrën, mandatin dhe mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara.

    “Vendimi i fundit ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës na obligon të reflektojmë jo vetëm mbi verdiktin gjyqësor, por edhe mbi vetë natyrën, mandatin dhe mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara”, kishte shkruar ajo.

    Shiroka-Pula kishte theksuar se drejtësia duhet të perceptohet si e barabartë, gjithëpërfshirëse dhe e paanshme, duke shprehur shqetësimin se trajtimi i periudhave të ndjeshme historike mund të krijojë perceptim të drejtësisë selektive.

    Ajo kishte deklaruar gjithashtu se respektimi i procedurave juridike nuk e përjashton të drejtën për kritikë institucionale.

    “Respekti për të drejtën dhe për procedurat juridike nuk përjashton të drejtën për kritikë institucionale. Përkundrazi, në një shoqëri demokratike, legjitimiteti i institucioneve të drejtësisë forcohet pikërisht përmes transparencës, llogaridhënies dhe debatit të argumentuar publik”, kishte deklaruar Shiroka-Pula.

    Në reagimin e saj, ajo kishte vënë në pah edhe rolin e UÇK-së në historinë e Kosovës, duke thënë se proceset penale ndaj individëve nuk duhet të shndërrohen në gjykim të përgjithshëm të luftës dhe aspiratës së popullit të Kosovës për liri.

    “Ushtria Çlirimtare e Kosovës është pjesë e një kapitulli vendimtar të historisë sonë. Proceset penale ndaj individëve nuk duhet të shndërrohen në gjykim të përgjithshëm të një lëvizjeje, të një periudhe historike apo të aspiratës së një populli për liri”, kishte thënë ajo.

    Shiroka-Pula kishte deklaruar se kishte “rezerva të thella” ndaj mënyrës se si Gjykata Speciale ishte konceptuar dhe perceptuar, si dhe ndaj pasojave që, sipas saj, mund të ketë në kujtesën historike, besimin publik dhe ndjenjën e drejtësisë.

    Ndërkohë, dy ditë më parë, Kuvendi i Kosovës e zgjodhi Justina Shiroka-Pulën Presidente të Republikës së Kosovës me 81 vota.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Shiroka-Pula kishte kritikuar Gjykatën Speciale: “Kemi rezerva të thella” appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • OVL-UÇK: Reagimet kundër ndryshimeve në Ligjin për Specialen janë të nxituara dhe të pabazuara

    OVL-UÇK: Reagimet kundër ndryshimeve në Ligjin për Specialen janë të nxituara dhe të pabazuara

    OVL-UÇK: Reagimet kundër ndryshimeve në Ligjin për Specialen janë të nxituara dhe të pabazuara

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj deklarimeve të fundit lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, duke i cilësuar ato si të nxituara dhe të pabazuara në një shqyrtim serioz juridik.

    OVL-UÇK ka thënë se deri më tani nuk është bërë publike ndonjë analizë juridike që do të argumentonte se ndryshimet e miratuara janë të pazbatueshme apo në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

    “Reagimet e ditëve të fundit ndaj ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, janë sa të nxituara, aq edhe të pabazuara në një shqyrtim serioz juridik. Deri më tani, nuk është bërë publike asnjë analizë apo studim i mirëfilltë juridik që argumenton se këto ndryshime janë të pazbatueshme apo në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Në vend të argumenteve juridike, opinioni publik është përballur kryesisht me polemika, interpretime të njëanshme dhe qëndrime politike, të cilat nuk mund të trajtohen si përfundime të pakontestueshme”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

    Kjo organizatë ka thënë se nuk dëshiron të besojë se reagimet e fundit kanë për qëllim shkurajimin e qytetarëve që kanë protestuar për drejtësi.

    “Refuzojmë të besojmë se pas këtyre reagimeve qëndron një përpjekje e qëllimshme për të shkurajuar qytetarët që, natë pas nate e ditë pas dite, protestuan me dinjitet dhe shpresë për drejtësi. Megjithatë, mënyra dhe koha e këtyre reagimeve krijojnë pikërisht këtë përshtypje”, thuhet në reagim.

    OVL-UÇK ka deklaruar se kategoritë e dala nga lufta besojnë se ndryshimet e miratuara përbëjnë një hap të rëndësishëm për funksionimin e Dhomave të Specializuara në përputhje me standardet juridike.

    “Ne, kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, besojmë dhe jemi të bindur se ndryshimet e miratuara përbëjnë një hap të rëndësishëm për ta vendosur Gjykatën Speciale në binarët e duhur të drejtësisë, duke kërkuar respektimin e standardeve juridike dhe të parimeve mbi të cilat duhet të mbështetet çdo institucion i drejtësisë”, thuhet më tej.

    Sipas OVL-UÇK-së, pretendimet për pasoja të mundshme juridike duhet të shoqërohen me argumente konkrete dhe jo vetëm me deklarime politike.

    “Spekulimet mbi pasojat e mundshme juridike nuk mund të zëvendësojnë analizën profesionale dhe as të përdoren për ta zhvlerësuar një nismë legjitime institucionale. Kushdo që pretendon të kundërtën, ka përgjegjësinë ta argumentojë qëndrimin e vet me fakte, dispozita konkrete dhe arsyetim juridik, jo me deklarime politike”, thuhet në reagim.

    OVL-UÇK ka theksuar se Kosova ka treguar gatishmëri për bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare, por kjo, sipas tyre, nuk nënkupton heqjen dorë nga kërkesa për drejtësi të paanshme.

    “Kosova e ka dëshmuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare, edhe kur kjo ka kërkuar vendime jashtëzakonisht të vështira. Por ky bashkëpunim nuk nënkupton heqje dorë nga e drejta për të kërkuar drejtësi të paanshme, përgjegjshmëri institucionale dhe respekt për dinjitetin e luftës çlirimtare”, thuhet në reagim.

    Organizata ka thënë se shpresa e qytetarëve për drejtësi duhet të marrë përgjigje të argumentuara.

    “Shpresa e qytetarëve për drejtësi meriton përgjigje të argumentuara, jo përpjekje për ta relativizuar apo shuar atë”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

    The post OVL-UÇK: Reagimet kundër ndryshimeve në Ligjin për Specialen janë të nxituara dhe të pabazuara appeared first on Insajderi.

  • Shqiptarja 60-vjeçare në Zvicër nuk pret zjarrfikësit, merr kovat dhe shuan zjarrin

    Shqiptarja 60-vjeçare në Zvicër nuk pret zjarrfikësit, merr kovat dhe shuan zjarrin

    Shqiptarja 60-vjeçare në Zvicër nuk pret zjarrfikësit, merr kovat dhe shuan zjarrin

    Një shqiptare 60-vjeçare, Shadije A., ka ndërhyrë për të shuar një zjarr që kishte shpërthyer në ballkonin e banesës së saj në Rothrist të Zvicrës.

    Sapo ka parë flakët, ajo ka marrë kova dhe legenë, i ka mbushur me ujë dhe ka nisur të shuajë zjarrin, me qëllim që ai të mos përhapej më tej.

    Gjatë intervenimit, Shadija ka pësuar lëndime në krahun e djathtë dhe në këmbë.

    “Unë dola për ta parë djalin tim që po pinte cigare në ballkon dhe kur u ktheva në apartament dhe e pashë zjarrin, mora menjëherë kovat dhe legenat, i mbusha me ujë dhe u përpoqa ta shuaja. Duke vepruar kështu, lëndova krahun e djathtë dhe gjithashtu këmbët”, ka treguar ajo, raporton Blick.

    Lëndimet e saj nuk kanë qenë serioze dhe pas trajtimit në spital, ajo është liruar. Shadija ende mban një fashë të vogël në krah.

    Në shuarjen e zjarrit ka ndihmuar edhe një shqiptar tjetër, i cili ka përdorur një jastëk të lagur me ujë. Ai nuk ka pësuar lëndime.

    Pas mbërritjes së zjarrfikësve, zona është izoluar, ndërsa dëmet materiale kanë qenë të vogla.

    Autoritetet kompetente e kanë falënderuar Shadijen për intervenimin dhe bashkëpunimin e saj.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Shqiptarja 60-vjeçare në Zvicër nuk pret zjarrfikësit, merr kovat dhe shuan zjarrin appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali